“T’u japim mundësi emigrantëve të votojnë në vendet ku jetojnë”
Kryeministri Sali Berisha ripërsërit thirrjen ndaj Edi Ramës
Kryeministri Berisha ftoi sërish dje, nga mbledhja e qeverisë, kryetarin e Partisë Socialiste për t’u dhënë mundësi të gjithë emigrantëve shqiptarë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e 23 qershorit në vendet ku jetojnë.
Kryeministri tha se teknologjitë e avancuara bëjnë këtë të mundur dhe se qeveria merr përsipër përgjegjësinë, “nëse ajo nuk krijon kushtet që ata të votojnë aty ku janë”.
Kryeministri mori shkas për të ripërsëritur këtë apel, nga vendimi që qeveria miratoi sot, për të vendosur një afat të ri për procesin e rivlerësimit të banesave, për t’ia mundësuar këtë edhe atyre emigrantëve që ende nuk kanë mundur ta kryejnë.
Lidhur me këtë çështje, Kryeministri Berisha u shpreh se, “Pushimet verore po afrojnë. Me mijëra emigrantë, për një arsye apo një tjetër mbeten pa rivlerësimin e banesave dhe apartamenteve të tyre. Qeveria vendos sot për të pasur një afat të ri në këtë proces, me shumë interes për ta. Me këtë rast i them zotit Rama se është në nderin dhe dinjitetin tonë t’u japim atyre mundësi të votojnë aty ku janë, siç bëjnë kombe të tjera të qytetëruara. I them zotit Rama se në vendin fqinj ku ishte dhe mashtronte duke dëshmuar se është i mbrujtur me gënjeshtrën në mënyrë të pashpresë - dhe për burrin nuk ka dobësi më të madhe, sesa gënjeshtra, është toksina e karakterit të burrit. Gratë nuk gënjejnë zakonisht, është e provuar sinqeriteti i tyre - pra, në atë vend, pikërisht vota e bashkëpatriotëve italianë nga Argjentina ka përcaktuar rezultate zgjedhjesh. Ndaj, zoti Rama çlirohu nga fobitë dhe ta vendosim në parlament që nesër ose ditën e hënë dhe përgjegjësinë e merr qeveria, nëse ajo nuk krijon kushtet që ata të votojnë aty ku janë”.
“Është e lehtë të shkosh e të mbledhësh fonde prej tyre dhe t’i mashtrosh. Por le t’u krijojmë mundësi të votojnë aty ku janë. Teknologjitë e avancuara bëjnë të mundur këtë edhe për vëllezërit e motrat tonë, të cilët janë aksionerë ndër më kryesorët në këtë vend, me financimet që u kanë bërë familjeve, me të njëjtën saktësi, me të njëjtën siguri sistemi. Nuk duhet të kesh frikë nga vota e shqiptarëve. Një ditë e shihja mjeran. Sapo unë fola për votën e 16-vjetarëve, ishte dorëzuar në një studio, në moshën 16-vjeçare. Por nuk mund të krahasojë kurrë 16-vjeçarët të sotëm, të lirë me 16-vjeçare e bunkerit të bllokut. Njësoj si të krahasosh breshkën me shqiponjën! Kishte shkuar aty dhe donte të bindte gazetarin se ai nuk dinte çfarë është vota, nuk dinte çfarë është kutia e votimit, për të argumentuar se 16-vjeçari nuk duhet të votojë. Dakord për një 16-vjeçar në bunker të bllokut, por sot 16-vjeçarët janë të lirë”, përfundoi Kryeministri Sali Berisha.