E Diel, 1 Nëntor 2026

Spektri më i plotë i koalicionit garanton fitore përballë të dyzetave të social-komunistëve

25-04-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha në takim me strukturat drejtues të PD-së, garanton zgjedhje të standardeve më të larta ndërkombëtare

Kryeministri Sali Berisha ironizoi dje, në takimin me drejtuesit e strukturave të Partisë Demokratike për fushatën elektorale, kreun e opozitës, Edi Rama, për aleancën parazgjedhore, duke iu referuar numrit 40 të emrave të regjistruar në KQZ të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”.
Duke i cilësuar zhvillimet si tepër pozitive, Kryeministri Berisha u shpreh se Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim është aleanca më e gjerë që ka ekzistuar ndonjëherë në historinë e vendit, ndërsa theksoi se “krahu tjetër firmosi sot të dyzetat e Rilindjes”.
“Rama regjistroi sot të 40 vitet e lindjes, dështak dhe qesharak, ai ka rreshtuar 40 emra njëlloj si për të respektuar të dyzetat”, ironizoi kreu i qeverisë, ndërsa ka vlerësuar Aleancën për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim si një aleancë të ndërtuar mbi vlera.
Ai gjithashtu informoi se shumë shpejt koalicionit të djathtë do t’i shtohet dhe një parti, duke e çuar numrin në total 25+1.
“Zhvillimet janë shumë pozitive. Së pari, u krijua aleanca më e gjerë që ka ekzistuar ndonjëherë në historinë e këtij vendi, aleancë kjo me 25 parti politike, të cilat kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 2005 dhe pritet të regjistrohet edhe një tjetër parti sot, dhe bëhen 26 parti. Kjo aleancë, e bazuar në vlera programore, përfshin në total të gjitha partitë e qendrës, të qendrës së djathtë dhe të së djathtës. Kanë mbetur vetëm ato që janë në erë. Atyre nuk kemi çfarë tu bëjmë, ndërsa të tjerët janë bashkuar si kurrë ndonjëherë. Krahu tjetër firmosi sot të dyzetat e Rilindjes. Qesharak dhe fantazmagorik, siç nisi politikën, do të dalë prej saj. Ka rreshtuar dyzet emra, njëlloj si për të respektuar traditën e të dyzetave. Pasi braktisi, në traditën e tij të bojkotit dhe të bllokimit, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga të katër anët gjeti vetëm një mesazh zyrtar nga qeveri dhe institucione ndërkombëtare: plotëso vendet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ai kurrë nuk mund të rri dy muaj pa i shkaktuar një humbje vetes së tij. Po të studioni ecurinë e tij, trajektoren e tij, ai ka për borxh të krijojë dhe të nisë çdo dy muaj beteja që janë të humbura që në fillim për të. Ndaj dhe i them: kthe sa më shpejt anëtarët në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, se nuk do të ketë as edhe një germë ndryshim në Kodin Zgjedhor dhe përbërjen e institucioneve”, u shpreh kryeministri Sali Berisha.
Kryeministri i bëri apel Ramës për të kthyer sa më shpejt anëtarët në KQZ, ndërsa garantoi se këto zgjedhje do të jenë sipas standardeve ndërkombëtare dhe ftoi OSBE/ODIHR të vlerësojë procesin zgjedhor. “Sikundër, dua të dënoj lojën që bëri me përfaqësuesin e partisë së minoriteteve. Ajo që i ndodhi Jani Janit, as në romane nuk lexohet. E ngrinë, e shkrinë, e përzunë dhe sot doli KQZ-ja, në kundërshtim me respektin që duhet të tregohet për pakicat, ia zuri të gjitha vendet partisë së Janit. Pra viktima e pamerituar e këtyre zgjedhjeve është i ndjeri politik Jani Jani. Në atë kamp ndodh çdo gjë. Megjithatë, ato janë çështje të tyre. Ne nuk duhet t’u ndërhymë dhe nuk do t’i ndërhymë. Edhe njëherë, dua të garantoj shqiptarët se këto zgjedhje do të jenë zgjedhje të standardeve më të larta ndërkombëtare. Ftojmë OSBE/ODIHR-in të sjellë numrin më të madh të vëzhguesve dhe të faktojmë përpara botës sesa absurd, sa qesharakë janë ata individë që kërkojnë t’i demonizojnë zgjedhjet shqiptarëve, të cilët kanë tashmë të konsoliduar kulturën demokratike të votës, të votimit, të respektit për mendimin ndryshe, të respektit votën ndryshe”, u shpreh Berisha.
Ndërsa dha direktivat për fushatën elektorale, Berisha kërkoi mobilizimin e strukturave për të faktuar para botës sesa absurd dhe qesharak janë ata që duan të demantojnë zgjedhjet. “Këto janë zhvillimet kryesore politike. Ne mbetemi të vendosur për fushatën elektorale më të mirë, më intensive, më të qytetëruar që kemi zhvilluar ndonjëherë. Ne po përpunojmë programin, po bashkërendojmë të gjitha veprimet me aleatët tanë. Spektri ynë kurrë ndonjëherë nuk ka qenë më i plotë. Ndaj shkojmë të sigurt drejt një rezultati të shkëlqyer, drejt një perspektive të pakrahasueshme me asnjë tjetër në katër vitet që vijnë”, tha më tej Kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›