E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha i dërgon mesazh ngushëllimi Presidentit të SHBA-ve Barack Obama për humbjen e jetëve njerëzore në fatkeqësinë natyrore të shkaktuar nga stuhia masive

 I dashur President Obama,

Me keqardhje të thellë kam mësuar për fatkeqësinë natyrore të stuhisë masive që ka përfshirë pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si pasojë e së cilës humbën tragjikisht jetën disa dhjetëra qytetarë të vendit Tuaj dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale e pasurore. Ndaj, Ju përcjell, në emrin tim, të qeverisë shqiptare dhe të të gjithë qytetarëve të vendit tim, ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e jetëve të çmuara njerëzore së bashku me shpresën që kjo situatë të kapërcehet sa më parë dhe me sa më pak dhimbje.

Shqiptarët ndajnë me familjet e viktimave, me Ju, qeverinë e SHBA-ve dhe kombin  amerikan, mikun më të madh e strategjik të shqiptarëve, hidhërimin për humbjen tragjike të jetëve njerëzore dhe bashkojnë lutjet e tyre që shpirtrat e viktimave të gjejnë paqen e amshuar.

Qeveria shqiptare dhe unë personalisht po ndjekim me vëmendje zhvillimet e situatës dhe solidarizohemi plotësisht me përpjekjet e qeverisë Suaj dhe të të gjitha autoriteteve amerikane në zonat e prekura për përballimin e kapërcimin e kësaj situate të vështirë.

Me sigurimet e konsideratës dhe të respektit më të lartë,

JUAJI,

 

SALI BERISHA


31/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›