Rehn: Liria e shprehjes, problem shqetësues, duhet ndërhyrë urgjentishtNga TemaKomisionari për Zgjerimin, Olli Rehn, duke raportuar dje përpara komisioneve të Parlamentit Evropian tha se problemet kryesore, me të cilat përballen vendet që duan të anë
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Rehn: Liria e shprehjes, problem shqetësues, duhet ndërhyrë urgjentishtNga TemaKomisionari për Zgjerimin, Olli Rehn, duke raportuar dje përpara komisioneve të Parlamentit Evropian tha se problemet kryesore, me të cilat përballen vendet që duan të anëtarësohen në BE, përveç krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë dhe liria e të shprehurit dhe ajo e medies. Rehn tha se duhet të ndërhyhet urgjentisht në këtë drejtim.
“Për fat të keq, liria e shprehjes dhe liria e medieve mbetet një problem në shumë vende të rajonit. Është një çështje që duhet të adresohet me urgjencë”, - tha Rehn.
Komisionari për Zgjerimin ka shpjeguar raportet vjetore për vendet aspirante për anëtarësim përpara europarlamentarëve.
Raporti i KE për mediet
- Gazetaria investigative ka kontribuar duke raportuar praktika korruptive. Megjithatë, ekzekutivi ka ushtruar presion, kryesisht financiar, por dhe përmes aksioneve selektive kundër operatorëve mediatikë. Disa medie janë dëbuar nga ambientet e tyre, në pronësi të qeverisë. Interesat e biznesit dhe ato politike vazhdojnë të influencojnë medien e pavarur, për sa i përket pavarësisë editoriale dhe kapaciteteve profesionale.
- Mbulimi mediatik i fushatës elektorale ishte shpesh i njëanshëm. Për sa i përket mbulimit të medies, OSBE/ODIHR bën të ditur se gjatë fushatës ai ishte i balancuar. Megjithatë, raporti bën të ditur se të gjithë transmetuesit treguan njëanshmëri ose për PD, ose për PS. Transmetuesi publik nuk ka garantuar plotësisht kohë të barabartë për të gjitha partitë politike.
- Këshilli Kombëtar i Radiove dhe Televizioneve ka avancuar përgatitjet për një strategji kombëtare për dixhitalizimin e televizioneve. Megjithatë, ligji për transmetimet elektronike duhet të miratohet. Ligji për radiot dhe televizionet publike dhe private nuk është ende në përputhje me standardet ndërkombëtare.
- Amendamentet e kërkuara për dekriminalizimin e shpifjes dhe fyerjes nga Kodi Penal në atë Civil dhe implementimi i ligjit për eksesin në informacion vazhdojnë të jenë në pritje për miratim e zbatim.
- Për sa i përket kapaciteteve administrative, nuk raportohet progres për aftësitë monitoruese të KKRT. KKRT ka favorizuar mediet që lidhen me qeverinë. Një gjobë e vendosur nga KKRT ndaj një transmetuesi privat televiziv solli reagimin e Avokatit të Popullit. Kjo ngre pikëpyetje në lidhje me pavarësinë e KKRT.
- Reforma në transmetuesin publik është në vendnumëro. Ndikimi i vazhdueshëm i qeverisë po ndikon negativisht në pavarësinë e këtij institucioni. Niveli i ulët i mbledhjes së pagesës së licencës vazhdon të jetë një çështje shqetësuese.
Protesta e G99: RTVSh është bërë megafoni i Berishës dhe zëvendësit të tij
G99 protestoi dje përpara godinës së Radiotelevizionit Shqiptar duke kërkuar ndryshimin radikal të funksionimit të këtij institucioni të informimit publik që financohet nga taksapaguesit shqiptarë.
Erion Veliaj, duke iu referuar edhe gjithë raporteve ndërkombëtare (OSBE, Këshilli i Evropës etj.), sidomos sa i përket performancës së TVSh gjatë fushatës elektorale, theksoi se “TVSh është kthyer në një megafon ekskluziv për familjen e kryeministrit e të zëvendësit te tij”.
Ndërkohë, Genc Kojdheli nënvizoi se G99 është e vendosur në përpjekjen për t’ia kthyer TVSh qytetarëve shqiptarë, të cilët me taksat e tyre financojnë këtë institucion. “TVSH është i vetmi televizion që mbahet me taksat e shqiptarëve, të majtë a të djathtë, në jug a në veri, dhe është e
padrejtë dhe abuzive që ky institucion i informimit publik t’i shërbejë vetëm kastës në pushtet”, - tha Kojdheli, duke shtuar se, “është koha që TVSH të transformohet në një institucion profesional që informon publikun në mënyrë të ndershme e të paanshme, pa i shërbyer padronit të radhës”.
G99 deklaroi se do të vazhdojë betejën për reformimin e TVSh, me një sërë dëgjesash
publike me grupet e interesit dhe specialistë të fushës, dhe duke e finalizuar me një propozim të detajuar për reformimin e tërësishëm e përfundimtar e këtij institucioni.
Shndërrimi i TVSh në një TV qeveritar
“Faktori Plus”
Grupimi politik G99, mbështetur nga një grup qytetarësh, organizoi një tubim protestë para RTVSh për t’i bërë qëndresë përdorimit të ekranit të taksapaguesve shqiptarë nga qeveria dhe mazhoranca dhe bojkotit që operatori publik i bën opozitës apo çdo zëri të ndryshëm, sa herë që ligjërata nuk i shkon për shtat pushtetit.
Një nga deputetët e mandatuar të PS dhe botuesi i njohur, Fatmir Toçi, një ditë më parë përsëriti të njëjtën kërkesë ndaj ekranit, sipas tij të përçudnuar, për të cilin shqiptarët paguajnë me detyrim nga të ardhurat e tyre modeste.
Situatën e bën edhe më të rëndë fakti se, skandali i varësisë totale të TVSh nga qeveria njihet edhe ndërkombëtarisht. Progres-raporti i KE, i publikuar ditën e djeshme, thekson se reforma në RTVSh është bllokuar dhe se kontrolli i qeverisë ka ndikuar negativisht mbi të.
Në fakt kjo nuk është një panoramë as e panjohur dhe as e papritur për shqiptarët.
Historia profesionale dhe modeli mediatik i Radiotelevizionit publik turpëron çdokënd që ka pasur një kontribut të përhershëm apo të përkohshëm në atë institucion. Që nga viti 1991 ai është objektivi i parë për t’u pushtuar nga çdo parti në pushtet, duke u keqpërdorur në ekstrem.
Deri në vitin 1996 ai ishte ekrani i vetëm dhe i ndaluar për opozitën e asaj kohe.
Rëndësia e këtij ekrani ra ndjeshëm pas vitit 1998, kur në vend lulëzuan televizionet private, por shkolla e tij propagandistike nuk ndryshoi. Ai vazhdoi të përdorej si kobure ndaj opozitës dhe si një institucion pa vlera profesionale. Drejtuesit e tij historikisht kanë qenë njerëz që nuk mund të gjenin dot punë jashtë televizionit shtetëror për të ushtruar profesionin si gazetarë të lirë. Më keq akoma, drejtuesit e fundit nuk kanë as edhe një lidhje me gazetarinë. Këshilli i ri Drejtues, i zgjedhur pas vitit 2005, me Fatos Lubonjën në krye, fillimisht ruajti status quo-në e gjetur para kësaj kohe. Pas propozimeve për ndryshimin e formulës së Këshillit, Lubonja dha dorëheqjen, dhe në vend të tij erdhi Agron Tufa.
Drejtori aktual i RTVSh, Petrit Beci, u emërua në këtë detyrë në vitin 2006, si propozim i ardhur nga TV Klan. Pas dy votimesh të balancuara, ai fitoi në raundin e tretë falë mbështetjes që iu dha edhe nga anëtarët e opozitës në Këshill. Një punonjës mediokër dhe pa asnjë dinjitet profesional nga radhët e ish-Kinostudios dhe me pas në punë të dorës së dytë në Top Channel dhe TV Klan, ai u bë një urë për të gjitha abuzimet dhe keqpërdorimin e RTVSh prej televizionit Klan. Arkiva e RTVSh është transferuar e gjitha në arkivin e TV Klan me çmime që duhet të hetohen, ndërsa nga pikëpamja profesionale, televizioni ka thyer çdo rekord të medieve propagandistike. Për të filluar një reformë serioze në RTVSh, do të duheshin garanci ligjore për shmangien e kontrollit të politikës mbi të dhe krijimi i një modeli të suksesshëm sipas televizioneve publike perëndimore. Me këtë fytyrë ai ofron vetëm një model të qeverisë shqiptare për shtypin, dhe shihet qartë se modeli i saj është më i keqi i mundshëm.