Ministri Ruli: Porta tre e Fierzës s’do hapet
TIRANE- Ministri i Bujqësisë Genc Ruli i pranishëm në Shkdër deklaron se situata nuk është e tillë sa të hapet porta tre e Hidrocentralit të Fierzës. Në një prononcim për NEWS24 ministri Ruli deklaron: “Porta tre hapet vetëm në ditën e qametit. Vetëm kur situata është e jashtëzakonshme dhe kemi prurje të jashtëzakonshme. Nuk jemi aspak afër atij rreziku dhe paralajmërimi” Sipas ministrit të Bujqësisë, ish ministër i Energjetikës në qeverinë e mëparshme, Fierza është mbajtur nën kontroll dhe është zbatuar rregullorja e miradministrimit të saj. “Fierza nuk mund të mbahej bosh. Vetëm nëse do të mbahej 20- 30 metra poshtë nivelit të tanishëm, atëherë nuk do të kishte ndodhur hapja e portave. Fierza është brenda parametrave, ka qenë natyra e reshjeve, reshje të mëdha dhe të befasishme bore të cilat u shkrinë brenda pak ditësh”- vazhdoi më tej Ruli. Ministri shton se situata në kaskadën e Drinit është ekuilibruar dhe janë pakësuar prurjet në Fierzë, Koman e Vau të Dejës dhe nëse do të vazhdohet me këtë ritëm Atëherë situata mund të përmirësohet brenda 3 ditësh. Ruli thotë se zhvillimet gjatë ditës së sotme janë të ndryshme në zona të ndryshme. Ai informon se janë ulur derdhjet në kaskadën e Drinit cka tregon se ka filluar dhe rënia e nivelit të ujit në lagjen Bahcallëk në hyrje të Shkodrës si dhe harku i Bërdicës, tashmë është i kalueshëm. “Kemi një ulje të nivelit të ujërave në komunën e Dajcit dhe një rritje të nivelit të ujërave në Bushat dhe në Velipojë, ku mund të kalohet vetëm me mjete të larta. Problem në Velipojë është shkaktuar nga dëmtimi i një argjinatura e cila ka sjellë dhe përmbytjen e rreth 1000 ha tokë në këtë zonë”- deklaroi më tej Ruli duke shtuar se me procedura të përshpejtuara po punohet për të ndërhyrë në këtë argjinaturë. Sipas ministrit të Bujqësisë Fierza është mbajtur nën kontroll.(s.g/BalkanWeb)