Ministri Ruli takon fermeret e Malesise se Madhe
Disa qindra hektarë tokë e varfër dhe e pashfrytëzueshme po bëhet një burim kryesor të ardhurash për fermerët e Malësisë së Madhe. Me anë të mbështetjes financiare dhe orientimit nga Ministria e Bujqësisë, qindra fermerë në këtë zone kanë arritur të mbjellin me sukses qindra hektarë me sherebelë dhe bimë të tjera mjekësore. Gjatë një vizite që bëri në komunën Kastrat dhe fshatrat e tjerë, ministri Genc Ruli kujtoi edhe kryetarin e e Partisë Socialiste, duke i bërë thirrje që të takojë fermerët e vërtetë dhe jo ish kryetarë komunash.
Kjo bisedë me fermerët dhe drejtuesit lokale u bë në të njëjtën parcelë ku ishte para disa ditësh kryetari i PS-së, Edi Rama.
Më shumë se 26 milion lekë janë dhënë gjatë këtij vitit për të subvencionuar dhe mbështetur fermerët që kultivojnë bimë medicinave. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit bëjnë me dije se deri më tani janë bërë 314 aplikime me një sipërfaqe prej 376 hektarë të mbjella me bimë medicinale. Subvencioni për bimët mjekësore është 200 mijë lekë për hektarë dhe çdo fermer që aplikon mund ta përfitojë direkt këtë mbështetje financiare.