E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Vasili: Vëmendje për ndërgjegjësimin e qytetarëve për autizmin dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale


Ministria e Shëndetësisë do të tregojë të gjithë vëmendjen dhe kujdesin e nevojshëm për ndërgjegjësimin mbarëqytetar për ekzistencën e autizmit, por edhe për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe strukturale të nevojshme për trajtimin e tij, siguroi sot ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në Konferencën II Ndërkombëtare për Autizmin, me temë "Nga shkaqet tek trajtimet". Ministri Vasili theksoi se "duke qënë se autizmi është shndërruar në një çështje madhore për shëndetin publik, jo vetëm në vendet e zhvilluara, por edhe në vendet në zhvillim, ne duhet të veprojmë shpejt, veçanërisht me ndërhyrjen e hershme, pavarësisht se shkaqet dhe mjekimi i vërtetë akoma nuk janë gjetur". Vasili theksoi se "për këtë një rol i madh u takon pediatërve për monitorimin e zhvillimit normal të fëmijëve dhe ndërhyrjen e shpejtë". Me shumë rëndësi në këtë drejtim, sipas tij, është rritja e vetëdijes për autizmin dhe nevoja e shërbimeve bazë për fëmijët dhe familjet me autizëm dhe çrregullimet e tjera të zhvillimit. Ministri i Shëndetësisë kërkoi nga Shërbimi i Psikiatrisë së Fëmijëve dhe Adoleshentëve, si dhe Fondacioni për Fëmijët Shqiptarë "Domenick Sgaclione", strategjinë e ndërtimit të sistemit të kujdesit për fëmijë dhe adoleshentë, që në mënyrë integrale të vizualizojnë si duhet të duket ky sistem pas 5 apo 10 vitesh, përfshirë këtu edhe shërbimet për fëmijët autikë, duke siguruar përkrahjen maksimale të MSH. Rastet e fëmijëve të prekur nga autizmi në botë, por dhe në vendin tonë, janë shtuar së fundmi. Autizimi, shenjat e së cilës shfaqen tek fëmijët është ende një çrregullim jo shumë i njohur nga specialistët. Fëmijët me këtë sëmundje, gjatë viteve të fundit trajtohen pranë pavionit të psikiatrisë, si dhe në qendra komunitare. Sipas Klasifikimit Ndërkombëtar të Sëmundjeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, “autizmi shfaqet tek fëmijët para moshës tre vjeçare dhe shoqërohet me vonesa në ndërveprimet e tyre shoqërore, gjuhë, shenja, apo lojëra përfytyruese”. Lidhur me përhapjen e këtyre çrregullimeve, raportimet vlerësojnë se në botë 3-4 fëmijë në 1000 vuajnë nga autizmi infantil. Autizimi prek më tepër meshkujt, sesa femrat e vlerësuar në raportin 4:1.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›