Fejt: Zgjedhjet nuk kanë të bëjnë me statusin
Nga cinizmi i hidhur evropist, Piter Fjet kaloi në arrogancë të egër, dhe deklaroi se serbët në Kosovë duhet të dalin në zgjedhje të Kosovës pa e pranuar statusin politik të Kosovës, që do të thotë pa e pranuar statusin e pavarësisë, sovranitetin. Ai thotë “zgjedhjet nuk kanë të bëjnë me statusin”. Po në cilin shtet mbahen zgjedhjet, në Serbi a në Kosovë, shumë pyetje e thjeshtë? Cili është status i zgjedhjeve, nëse nuk është shtetëror? Kush po del në zgjedhje dhe ku?
Sipas një analisti të njohur ndërkombëtar, jo BE-ja si organizëm politik, por “disa nga kryeqytetet e Evropës të cilat i frikësohen ballafaqimit të drejtpërdrejt me separatistët serbë në veriun e Kosovës, besojnë se UNMIK-u mund të nevojitet (Rusia në seancën e fundit të KS) të qëndrojë në Kosovë që ta parandalojë konfliktin që mund të ndodhë gjatë kësaj kohe sa BE-ja po përpiqet që të bëjë de jure ndarjen e Kosovës”, (…) Ndaj përfaqësuesit e BE-së janë të gatshëm të bëjnë kompromise me serbët (me Serbinë) edhe në lidhje me vetë synimet e tyre”. Kompromiset ashiqare të BE-së e kanë një “logjistikë strategjike” të Ban Ki Moon-it “në kohën kur Moon-i ka nevojë për përkrahjen e Moskës për arsyet që i di vetëm ai.
Analisti shton se “ambicia personale (e Ban Ki Moon-it) bëhet prioritet në krahasim me stabilitetin evropian”. Fejti ka punë me një klasë politike të Kosovës, e cila ende nuk e ka mësuar abc-në e “zanatit”. Prandaj hezitimet e BE-së ndaj qëndrimeve zyrtare (kushtetuese) të Planit të Ahtisarit sa i përket statusit të Kosovës, dhe krijimit të pikëpamjeve dekonverzuese midis “kryeqyteteve” dhe unitetit politik që quhet BE. Po që se mbrohet status quo-ja dhe vazhdimi i vendosjes së pushteteve paralele serbe në Kosovë, askush nuk do të ketë nevojë të frikohet nga “ballafaqimi i drejtpërdrejtë me separatistët serbë”, së paku jo derisa ata lirshëm dhe me përkrahjen e heshtur të Ban Ki Moon-it realizojnë të gjitha qëllimet në ndarjen de facto të Kosovës, dhe atë provojnë ta legjitimojnë me pranimin e heshtur të UNMIK-ut.
Të gjithë kosovarët e klasës politike po thonë se UNMIK-u nuk është më në Kosovë, edhe pse Këshilli i Sigurimit, edhe në seancën e fundit e konstatoi një gjë të tillë. Por, UNMIK-ut vetë i konvenon që të veprojnë në mënyrë ilegale politike policore, që të mbahet balancimi i status qos, të cilën elita politike shqiptare e quan “çlirim i Kosovës”. Mbase deklarimet zyrtare që vijnë nga Brukseli mbi “pritjen” e instruksioneve nga “lartë” nuk janë tjetër pos deklarime “lakonike diplomatike”, shkaku se më e dobishme politikisht për BE-në do të ishte sfida e “kryeqyteteve” të Evropës për ta pranuar Pavarësinë e Kosovës, se sa të bjerrë kohë duke pritur Ban Ki Moon-in dhe “fleksibilitetin” rus. Por Piter Fejtit të pashkathët i lëshohet goja e thotë “zgjedhjet nuk kanë të bëjnë me statusin” e Kosovës. Dhe kjo i shpjegon të gjitha strategjitë ilegale të UNMIK-ut. Përkundër që (disa) “kryeqytete” e pranojnë Pavarësinë e Kosovës, japin deklarata që nuk janë konform me qëndrimet zyrtare të BE-në, por me Moskën dhe Lavrovin, që si ky i fundit, edhe ato deklarojnë se “kurrë nuk do ta pranojnë” pavarësinë e Kosovës! Kush në fakt e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, as OKB-ja, as BE-ja, as Këshilli i Sigurimit, e asnjë organizatë politike e tipeve si Komisioni Evropian, dhe llakërdive politike të Bizmarkut. E kanë pranuar disa kryeqytete.
Së paku do të ishte mirë që të shpallët publikisht inferioriteti diplomatik që shprehet në “frikën” e Evropës ndaj “ballafaqimit me seperatistët serbë”. Evropa nuk ka frikë nga serbët, por nga rusët, dhe kjo më është shumë evidente. Askush nuk i frikohet “ballafaqimit me serbët”, por i frikohet ballafaqimit me rusët.
A paska arritur puna deri aty, që kategoria “veto” në KS të jetë shantazh politik, apo ajo është bërë instrument që përdoret kur mungojnë argumentet politike, dhe atëherë ngritën gishti me “veto” si marrëveshje e fshehtë e BE-së me Rusinë. Nëse nuk përfillen argumentet që e kanë ndërtuar Planin e Ahtisarit me konstruksionet e vetë BE-së (mbase edhe disa “kryeqyteteve” të saj), atëherë Pakon Ahtisari nuk do të duhej ta pranonin edhe kosovarët (joserbë). Pse ekziston elefanti i coftë OKB. Ekziston për të bërë luftë të hapur kundër Rendit të Ri Botëror, për t’i relativizuar të gjitha ato predispozita ligjore që i ka aprovuar në “kartat e saj” (të OKB-së)? Nëse relativizohet Kushtetuta e Kosovës, atëherë relativizohet Plani i Ahtisarit, kështu që Evropa do t’i shmanget “ballafaqimit me separatistët serbë” dhe këtë punë do t’ia lë në dorë kosovarëve (joserbë) dhe shqiptarëve tashmë serbë.
Çdo gjë që ndodh në Kosovë e që nuk ka lidhje me statusin e pavarësisë së Kosovës është një proces që e bën strategjinë e një lufte të egër ballanike, të cilën e kanë paralajmëruar që në korrik të vitit 2004 diplomatë karizmatik dhe eminent të disa “kryeqyteteve” të Evropës. Pas deklaratave të tilla, s’di si ka fytyre ky Piter Fejti të vazhdojë të jetë kryeministër në hije i Kosovës.
“Bota sot”