“Çilimiu” dhe “Kiu Fiu”, një çift politikanësh komik
Edi Rama, i cilësuar si “Çilimiu” i politikës shqiptare nga eurodeputetja Doris Pack në prag të zgjedhjeve të kaluara për pushtetin vendor dhe Spartak Ngjela i etiketuar nga shumëkush si një politikan i tipit “Kiu Fiu” për shkak të ndryshimit të shpeshtë të bindjeve dhe anëtarësisë nga një parti politike në tjetrën, janë bashkuar në Berat këtë mes tetori dhe me artikulimet e tyre revolucionare në protestën e dytë socialiste në qytetin e Beratit na kanë kujtuar Mbledhjen e Dytë të KANÇ-it, mbajtur në po këtë qytet nga 20-23 tetor ’44, vendimet e të cilës, sipas Historisë së PPSH-së, “…ishin plotësim dhe konkretizim i mëtejshëm i vendimeve historike të Kongresit të Përmetit…” dhe “…një grusht tjetër kundër orvajtjes së imperialistëve anglo-amerikanë për të vendosur kontrollin e tyre në Shqipëri”. Të jetë rastësi vallë, që protesta e dytë e socialistëve të mbahet në të njëjtin qytet, madje në të njëjtin muaj e javë që u mbajt edhe Mbledhja e Dytë e KANÇ-it, këtu e 65 vjet më parë? Në pamje të parë duket si rastësi, por po t’i analizosh me kujdes parrullat e hedhura dhe vendimet e marra ato ngjajnë si dy pika uji me njera tjetrën. Mosnjohja nga çifti politik “Çilimiu” dhe “Kiu Fiu” i legjitimitetit të qeverisë “Berisha 2” dhe kundërshtimi e kundërvënia komuniste e tyre ndaj gjithë faktorit ndërkombëtar apo kërkesa për anullimin e akt-marrëveshjes për ndarjen e kufirit tonë detar me Greqinë, të kujtojnë vendimet e Kongresit të Përmetit, të përforcuar në Mbledhjen e Dytë të KANÇ-it, për “mosnjohjen e asnjë qeverie tjetër të krijuar brenda e jashtë vendit; për shfuqizimin e të gjitha marrëveshjeve politike, ushtarake dhe ekonomike, të përfunduara nga regjimi i Zogut me shtetet e huaja; vazhdimin me ashpërsi të luftës ndaj pushtuesve gjermanë dhe tradhëtarëve të vendit; deklaratën mbi të drejtat e qytetarëve, etj”. Siç dihet, Mbledhja e dytë e KANÇ-it dhe Kongresi i Përmetit janë një zhvillim i mëtejshëm e ideve të hedhura apo vendimeve të marra në Konferencën e Pezës, e cila, nga ana tjetër, vazhdon të frymëzojë dhe orientojë politikisht kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, deri në atë masë sa që Peza po bëhet vendlindja e dytë e tij. Po kështu çështje afeksionesh të vjetra janë edhe shoqëritë e reja politike dhe qytetare të Edi Ramës me djalin e Myslym Pezës dhe Kiço Ngjelës. Këta pinjollë të Byrosë Politike dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, mund të betohen ditë e natë se luftojnë për demokracinë, por harrojnë se mjetet që përdorin i identifikojnë menjëherë si vazhdues të veprës revolucionare të baballarëve të tyre biologjikë dhe politikë. Një ndër këto mjete janë dhe barrikadat, të cilat nga materiale që ishin në kohën e luftës, po shndërrohen në “njerëzore” nga dyshja politike “Çilimiu” dhe “Kiu Fiu”. Nëse dikur barrikadat materiale ngriheshin për të penguar përparimin e armikut dhe asgjësuar atë në pritë, sot kur “armiku” është me ne, “barrikadat njerëzore” mund të ngrihen vetëm për të penguar ecjen përpara dhe integrimin e shoqërisë shqiptare në familjen e përbashkët europiane. Këtë qëllim të mbrapshtë të barrikadave të Ramës dhe Ngjelës kanë filluar ta kuptojnë edhe një pjesë e mirë e socialistëve të thjeshtë, të cilët po e braktisin dyshen komiko-politike çdo ditë e më shumë. Pamjet filmike të dhëna nga tubimet socialiste në kryeqytet dhe në Berat janë dëshmia më e mirë në këtë drejtim. Kjo është dhe arsyeja që Rama ngulmon gjithnjë e më shumë tek nxjerrja periodike në rrugë e “popullit të majtë” dhe mbajtja jashtë Parlamentit e grupit të deputetëve socialistë. Ngulmimi i tij i ngjan kapriços së një fëmije, që sa më shumë e lut aq më arrogant bëhet. Këtë arrogancë politike Rama po e tregon me faktorin ndërkombëtar dhe politikanët më të lartë të mazhorancës shqiptare, të cilët po i bëjnë përditë thirrje kreut të PS-së të respektojë parlamentarizimin, siç shprehet ortaku i tij i “barrikadave njerëzore”, Spartak Ngjela apo “Kiu Fiu” i partitizmit dhe politikës. Normalisht grupi i deputetëve socialistë duhet në Parlament jo për hatër të ndërkombëtarëve, por të shqiptarëve. Gjithashtu ky grup nuk duhet atje as për nevoja të mazhorancës po për interes të demokracisë, e cila e ka të domosdoshme praninë e opozitës në Parlament. Një fjalë e thënë apo një iniciativë e marrë në Parlament nuk mund të krahasohet me mijëra fjalë apo dhjetëra “barrikada njerëzore” të ngritura në rrugë, qoftë kjo edhe në itinerarin Tiranë-Berat dhe kthim, duke ecur në gjurmët e KANC-it dhe “Tarasit” të tyre të dashur. Pastaj, ç’është ky pozicionim apo “vetsakrifikim” politik që nuk kërkohet as nga shqiptarët dhe as nga ndërkombëtarët? Pse i jepen atij nota patriotizmi dhe demokratizimi, kur s’është gjë tjetër veçse një këmbëngulje donkishoteske për t’iu imponuar realitet të krijuar pas zgjedhjeve të 28 qershorit, të shtyrë nga sedra e sëmurë për të mos pranuar humbjen në këto zgjedhje? Kujt duan t’ia shesin sapunin për djathtë këta politikanë ordinerë dhe pa moral? Politika në demokraci nuk është një veprimtari anarkiste, sikundër nuk është një mundësi për të fshehur të shkuarën perverse në jetën civile. Këta zotërinj ende nuk arrijnë të kuptojnë se me veprimet e tyre po cënojnë të drejtën e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për progres dhe integrim. Si mund të mos rreshtet duke provokuar deri në ekstrem të gjithë shqiptarët që kërkojnë të lëvizin lirisht në Europë, që kërkojnë të jetojnë si qytetarë europianë në trojet e tyre, që nuk kërkojnë të etiketohen më si njerëz të cilët nuk dinë të heqin dorë nga protestat e dhunshme e të paarsyeshme, etj.? Rama dhe ortaku i tij më i fundit, Ngjela, kanë të drejtë të trimërohen jashtë Kuvendit, pasi nuk janë deputetë, po deputetët e tjerë socialistë, natyrisht jo ata që i shkojnë sipas avazit të tij, ku i çon mushka? Edhe bashkëpunëtorë e miq të Ramës në Partinë Socialiste ia kanë thënë qartë kryetarit të tyre, madje më shumë se njëherë, që gjithë ky rrebelim bëhet thjesht për interesat e tij personale dhe jo të qytetarëve shqiptarë. Çiftëzimi politik më Ngjelën e bën akoma më të dukshme këtë tëndencë, pasi ka qënë cënimi i interesave private, të cilat e kanë shndërruar “Avokatin” në një politikan të tipit “Kiu Fiu”, duke ndërruar partitë në çdo gjashtë muaj. Nuk është çudi që ai të anëtarësohet edhe “de jure” në Partinë Socialiste, pasi “de facto” është pjesë e saj, madje pjesë e grupimit të “idealeve komuniste e partizane”, siç e la amanet ati i atit të tij në përshëndetjen me rastin e 40 vjetorit të çlirimit të atdheut. Divorci i shëmtuar që bënë këta dy tipa me Partinë Demokratike është shprehje e mungesës së cilësive liberale të tyre dhe e pranisë së vesit të diktatit, mosmirënjohjes dhe imponimit të paarsyeshëm në shoqëri. Duke qënë aventurierë në jetën private ata nuk mund të bëheshin të rregullt në jetën politike apo publike. Tashmë nuk do shumë mend për të kuptuar, se ç’seriozitet mund të ketë një lëvizje politike, që ideohet dhe udhëhiqet nga një çift politikanësh komik, ndërkohë që gjithë veprimtaria e tyre politike është një komedi e shëmtuar pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Këtë po e sheh gjithë bota mbarë, me përjashtim të atyre që u lëviz në deje gjak revolucionarë. Sidoqoftë, ky qëndrim karagjozësh i tyre nuk duhet shpërfillur apo nuk duhet trajtuar si një xhest që na dhuron humor, pasi duke mbajtur gjallë frymën e aventurizmit politik sjellin pasoja të rrezikshme në jetën tonë të përbashkët. “Të hapen kutitë!” është motua e protestës së tyre. Por kutitë u hapën dhe u numëruan në televizion si asnjëherë tjetër; pastaj u hapën, numëruan dhe çertifikuan edhe nga KQZ e Kolegji Zgjedhor, duke ezauruar të gjitha shkallët e vlerësimit dhe gjykimit ligjor. Por Edi Rama kërkon një hapje jo ligjore të tyre, që do të thotë të kërkosh të pëmundurën për t’u bërë, siç ka kërkuar tërë jetën e tij. Një mënyrë e tillë të vepruari, më shumë se sa një procedurë normale është një provokim anormal, jo vetëm i shtetit dhe shoqërisë shqiptare por edhe i faktorit ndërkombëtar. Nuk e dimë saktësisht, se çfarë i këshillon Ngjela i Partisë “Ligj e Drejtësi” për këtë kërkesë antiligjore, ortakut të tij politik, por dihet që në përgjithësi e nxit, të mos tërhiqet nga rruga e nisur. Një njeri, të cilit u mungon autokontrolli, nuk mund t’ju këshillojë maturi të tjerëve. Në këto kushte, përfshirja në dialog apo bashkëpunim e tyre, e shtie në zero koefiçentin e sigurisë së vetkontrollit. Duke abuzuar me një farë oratorie të lindur që kanë, artikulojnë një lëmsh fjalësh të pakuptimta, për t’ua çoroditur mendjen qytetarëve të thjeshtë, duke arritur të bëjnë simpatizatë të tyre atë grupim njerëzish, që i japin të drejtë atij, i cili flet e ankohet më shumë. Sidoqoftë, tek pjesa më e madhe e shqiptarëve, këtij çifti karagjozësh politik po i delë më shpejtësi boja, pavarësisht se “Çilimiut” dhe “Kiu Fiut” nuk u mbyllet goja. “Fol, kush të dëgjon”, thotë populli në këto raste. Nuk ka fatkeqsi më të madhe për një politikan, që të shpërfillet në këtë farë feje, megjithatë kjo ka edhe anën tjetër të medaljes, pasi tregon shkallën e lartë të pjekurisë demokratike të qytetarëve dhe klasës politike në Shqipëri.