Pandeli Majko, një provokues astmatik
Sot në politikë të mos kesh talent nuk mjafton më. Duhet të jesh njësoj si Pandeli Majko, pra praktikisht i papërgjegjshëm dhe provokativ. Kjo sjellje si derivat ka të mirat dhe të këqijat së bashku. E nisim nga e mira që fatkeqësisht është bosh, por e keqja më e madhe është t’i japësh flakë serbatorit të shpresës, vetëm për të qenë interesant në media. Është kuptuar tashmë se Majko prodhon lajm vetëm kur provokon hapur apo flirton ashiqare me biznesmenë që tashmë janë subjekte të drejtësisë. Madje, ai ka dhënë prova të pakundërshtueshme të papërgjegjshmërisë qysh nga shitja e tankeve për skrap, më tej me deklaratën e djegies së flamurit maqedonas në mes të Shkupit, dje ishte ideja e hapjes së problemit historik të Shën Naumit e së fundmi tek tentativa për grabitje të figurës politike të Fan Nolit. Periodat e Majkos për të lëshuar provokacione sapo e kanë nisur ciklin e tyre natyror. Dalja e fundit mediatike shënon në tabelën e provokimeve një tjetër pikë, atë të përvetësimit të disa shtresave sistematikisht të gjymtuara nga regjimi komunist, si pronarët, ashtu edhe ish të përndjekurit politikë. Kjo deklaratë nuk është re, por është në vijim të paqartësisë që ka kapur viroza Rama në PS, madje edhe dalja e fundit e tij ishte në zyrën personale e jo në bahçen e selisë, as në klubin e Xibrakut, afërmendsh kjo shpreh qartë një gjë se e majta në Shqipëri është në panik të plotë dhe e ç’orientuar.
Ka natyra të frikshme, të dobëta, që tremben prej realitetit dhe pëlqejnë krimbin e dyshimit. Janë si ata që duan më mirë t’u dhembë gjithnjë dhëmballa, sesa ta durojnë një herë dhembjen e të shkulurit.
Mirëpo provokacioni është më i madh se reflektimi që u është bërë ideve në tryezë. Ky marshim për në humnerë, ka këtë parullë: “Programi i ri politik do të ketë si bazë riparimin e marrëdhënieve të plasaritura deri në imoralitet mes votuesve dhe politikës”. Pasqyra e Pandeliut është si të gjitha pasqyrat personale dhe shikon fytyrën dhe ambientin që ka përreth, pra PS-së. Nëse nuk i mjafton kjo auto-akuzë për t’u fundosur në ekzaminime ideologjike, por shkon më larg në diagnostikimin e sëmundjes “Shteti shqiptar, ne marrëdhënie me pronarët, është në kufijtë e një krimi te mirëfilltë ekonomik. Problem mbetet edhe çështja e legalizimeve, ndersa levizja e njerezve nga qyteti ne fshat nuk ka nisur mire”. Pandi Majko, tak-fak ka mendimin se në programin e ri politik të PS-së janë çështja e pronarëve dhe e ish-të përndjekurve politikë nga regjimi komunist. Majkoja kërkon të provokojë me tym programesh të reja, kur programit të vjetër i kanë dalë thinjat, bile është mbytur nga zhuli i sirtarit të Edi Ramës.
E majta shqiptare është në një hutim kolosal, për faj kryesisht të kryetarit të idesë manekine të politikës së ndarë në të re dhe të vjetër, në të mirë e në të këqij. Kështu që kur merr apriori pozat e së mirës kuptohet vetiu se kush dhe si është rrjedhoja alogjike që ushqen radikalizmin në një aksiomë krejt falimentuese. Për të majtët vazhdon akoma ndarja në “ne” dhe “ata”, duke e ruajtur të paprekur kundërvënien e vjetër dyjare: ne, “përparimtarët” dhe ata, “klasat e përmbysura”, “reaksionarët”. Reagimet e Pandeli Majkos janë në linjë krejt totalitare, bile si tepër agresive, po të marrim parasysh sfondin e politikës konfliktuale. Në botë partitë e majta janë parti populiste për t’iu përgjigjur shtresave në nevojë, kurse tek ne është PS-ja me orbitën e saj politike, që në kupolën drejtuese ka të paktën 15 milionerët më të mëdhenj të vendit si deputetë - disa prej të cilëve përfaqësojnë shtresat e privilegjuara të diktaturës komuniste - që për interesat e tyre meskine sakrifikojnë interesat madhore të vendit. Këto parakushte afërmendsh sjellin që reformat e integrimit në BE, herët ose vonë, janë të destinuara të zvetënohen.
Përfaqësimi i Pandeli Majkos në llogoren e nacionalizmit shterpë është indikativ për të majtën shqiptare të mbetur memece në ide, por që riciklon nacional-komunizmat e përgjumura. Duke ngelur bosh në argumentime rinxjerr nga sutaku i tij gjenezën e tij majtës shqiptare, që rrjedh nga Noli. PS-ja për ata që se dinë është veshja me rroba të reja të partisë komuniste, që nuk po shkonte në dasmë por në varrim e totalitarizmit në Shqipëri, përvetësimit i politikanëve të saj periudhe nuk mund të bëhet sot për vetë faktin që nuk ka asnjë amanet për këtë gjë. Më sa dimë shqiptarisht urata e Nolit ishte Shqipëria Evropiane kurse e Majkos është Shqipëria e Edi Ramës, që nuk është e njëjta gjë, kuptohet.