E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e sigurisë që po ndjell PS-ja dhe garancitë stabilizuese të Olli Rehn

Raporti i progresit dhe i strategjise se zgjerimit te EU-se i prezantuar nga komisioneri Olli Rehn permban ne pjesen e tij mbi Shqiperine nje sere kritikash dhe propozimesh ne rrugen drejt integrimit europian. Pa dashur te futem ne nje analize te thelle te ketij raporti le te koncentrohemi tek theniet kyçe te tij dhe mbi te gjitha tek reagimet dhe efektet e tij tek politika e ditës. Ne raport thuhet: “Ne zgjedhjet parlamentare u permbushen shumica e standardeve internacionale dhe mangësitë e vërejtura mbeten per t’u permiresuar ne zgjedhjet e ardhshme”. Ky raport përmban dhe nje sere propozimesh nder te cilat nje vend te vecante zene forcimi i shtetit ligjor dhe te se drejtes, forcimi i luftes kunder korrupsionit, reforma e sistemit gjyqësor, forcimi i lirise se shprehjes dhe i medias si dhe forcimi i shoqerise civile. Edhe Z. Rehn ne prezantimin e tij me 14 Tetor ne Komisionin Europian dhe me 15 Tetor ne Parlamentin Europian perseriti pikat e lartpermendura te cilat u mbeshteten ne menyre te vecante nga europarlamentarja Doris Pack, e cila shtoi se Shqiperia ka qeverine e duhur dhe eshte ne rrugen e duhur. Edhe europarlamentarja Tanja Fajon perforcoi progresin e Shqiperise ne fusha te ndryshme duke kerkuar dhe nje date te qarte per procesin e liberalizimit te vizave me Bosnje-Hercegovinen dhe Shqiperine. Ne referim te kesaj pyetjeje, Olli Rehn u pergjigj se ne momentin qe keto vende permbushin kushtet e vena atehere do te propozojme ne gjysmen e pare te vitit 2010 liberalizimin e vizave.
Nga gjithe kjo transparence ndërkombëtare pritet te pakten njëfare konsensi kombetar, dmth. konsensus i paleve politike ne Shqiperi persa i perket kesaj çeshtjeje me rendesi mbipartiake dhe kombetare. Ne fakt po ndodh e kunderta dhe raporti i BE-se po instrumentalizohet ne mollen e sherrit te rradhes fale fuqise se shfrenuar te fjales - ne kete rast, te interpretimit. Si rezultat kemi nje situate te tille: nje progres-raport te BE-se mbi zhvillimet e Shqiperise ne procesin e integrimit dhe dy qendrime politike; ate te mazhorances qeverisese, si dhe ate te opozites bojkotuese. Ndersa mazhoranca e ka zbutur qendrimin e saj nga deklarata direkt paszgjedhjeve se u permbushen te gjitha standardet deri me sot duke korrigjuar kete qendrim me ane te deklarates se raportit eshte shume objektiv, eshte nje program pune per qeverine dhe se shumica e standardeve te zgjedhjeve jane arritur dhe se ka akoma aspekte qe duhen permisuar ne zgjedhjet e ardhshme, pra nje qendrim i njejte me ate te raportit te BE te lartpermendur. Nga ana tjeter kemi opoziten e kryesuar nga PS e cila me ane te bojkotit te parlamentit e ka shndërruar qendrimin e nga nje qendrim ekstrem në ultraekstrem. Deri para shpalljes se raportit, PS deklaronte se zgjedhjet nuk arriten standardet dhe se rezultati u shtremberua. Pas shpalljes se raportit, PS pretendoi e para ne menyre shume të çuditshme perputhjen e kerkesave te saj me ato te raportit. Por kerkesa kryesore dhe politikëzhbllokuese e PS eshte hapja e disa kutive votimi, gje qe ne raport jo vetem qe nuk permendet, por as nuk nenkuptohet, por thuhet qarte se deficitet e ketyre zgjedhjeve do te mbeten per t’u plotesuar ne zgjedhjet e ardhshme.
Duke dashur te qendroj tek mundesite e interpretimet, te cilat krijojne edhe hapesira spekulimi e dezinformimi, po i lejoj edhe une vetes per hir te debatit politik te them se ky raport shenon edhe fillimin e aktit te fundit te tragjikomedise ne PS. Kjo parti po transformohet nga PSSH ne PSER (Partia Socialiste Edi Rama). Ajo jo vetem qe eshte bere nje arene e politikave personale duke shkelur rregullat e lojes se pluralizmit, por po humbet dita-dites kredibilitetin e vet. Kjo tragji-komedi qe filloi me vizionin e Z. Rama per ta shnderruar PSSH nga nje parti mbarëkombetare me politika te verteta sociale e integruese ne nje forum rinor te saj dhe qe po simulon segmentimin e elektoratit te majte. Nje argument pro kesaj hipoteze eshte edhe vete fakti se ne krahun e majte egzistojne nje numer shume me i madh partish se ne krahun e djathte. Shumëkush mund te thote se eshte shenje e pluralizmit me te zhvilluar, por çdo politolog apo qytetar i interesuar politik e di qe kjo eshte nje perpjekje ne kerkim te identitetit te vertete socialist. Pervec kesaj, mendoj se nje figure politike si Z. Rama as nuk e diskutoj se tashme ka nje potencial te konsiderueshem politik, por i cili nuk mund te sherbeje ne PS, por ne ndonje parti liberale qe pasqyron shume nga vizionet e tij per shoqerine dhe shtetin shqipetar. Tashme PS gjendet ne dilemen me te madhe te historise se saj postkomuniste qe eshte pyetja: cila eshte humbje me e madhe per Shqiperine: deshtimi i Edi Rames apo deshtimi i PS. Nje tjeter aspekt qe vlen per t’u permendur ne kete analize eshte perfaqesimi dhe situata e Shqiperise ne institucionet e Bashkimit Europian. Shqiperia eshte nje vend qe eshte denuar shume shpesh nga historia, por duhet te jemi te lumtur se keto denime jane ndalur se eshte nje perfitim madhor qe ne jemi gjeografikisht dhe historikisht nje pjese e Europes. Nga ky konstatim dhe nga asistimi personal ne Parlamentin Europian mund te them se egziston nje klime teper pozitive ne kete institucion, per sa i perket integrimit te Shqiperise ne BE, paçka se mungon disi perfaqesimi i lobit proshqiptar. Pervec europarlamentares Zj. Pack, europarlamentares Zj. Fajon dhe tek-tuk ndonje europarlamentari te Europes Lindore si psh. Z. J.Kacin apo Z. E.Kukan nuk egziston nje delegacion i perhershem, apo nje perfaqesues i perhershem i lobingut te Shqiperise ne keto instanca. Ashtu sic u lartpermend mbi Shqiperine eksiton nje klime pozitive dhe persa i perket zhvillimeve politike dhe avancimit te reformave Shqiperia renditet ne nje pozicion te mesem duke lene pas ne disa aspekte Bosnje-Hercegovinen, Kosoven dhe Turqine. Se fundmi eshte per t’u vleresuar fakti se Shqiperia, per t’u rikthyer edhe njehere ne thenien “...jemi dënuar shpesh nga historia”, nuk ka as konflikte etnike dhe as konflikte territoriale, ne te kundert te Bosnje-Hercegovinës, Serbisë, Turqisë apo Maqedonisë.
Si perfundim mund te thuhet se zhvillimet e metejshme politike ne Shqiperi mbeten teper interesante dhe monitorohen ne menyre permanente nga BE, e cila ne baze te ketyre zhvillimeve do te vendose mbi dy çeshtje jetike tonat: shqyrtimi i aplikimit per ne BE si dhe procesi i liberalizimit te vizave. Mbetet vetem te shpresojme se klasa politike dhe mbi te gjitha qeveria shqiptare te dije ta shfrytezoje kete situate teper te favorshme dhe te jape maksimumin ne plotesimin e kerkesave, qe ne fund te fundit jane thjeshte pjese e europianizimit te vendit.

Autori i shkrimit është funksionar, pranë Fraksionit të PPE në Parlamentin Europian, në Departamentin e Marrëdhënieve me Parlamentet Kombëtare

 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›