E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Vasili, vizitë edhe te fëmijët shqiptarë që kurohen në Itali



Vijon vizita e Ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, në Vatikan. Dy ditë më parë, ai vizitoi spitalin pediatrik, Bambin Jesu, spitali i Vatikanit. Me këtë spital ka një marrëveshje të rëndësishme dhe vizita e ministrit shqiptar synonte të përforconte marrëveshjen, jo vetëm në sjelljen dhe kurimin e disa pacientëve fëmijë shqiptarë në vit, por dhe në përforcimin e shkëmbimeve të personelit shëndetësor për trajnimin dhe formimin e tyre në disa fusha të rëndësishme të pediatrisë. Nga të dy palët u ra dakort per të shkëmbyer ekipe mjekësh dhe infermierësh. Më pas, ministri Vasili vizitoi një pavion fëmijësh shqiptarë, që ndodhen aktualisht pranë këtij spitali në proces kurimi. Gjatë qëndrimit të tij në Itali, ministri Vasili me ekipin e tij vizitoi Institutin Mendel, institut studimor kërkimor, në lidhje me fushën gjenetike dhe të qelizave staminale, pjesë e "casa di cura e sollievo della sofferenza", themeluar nga Padre Pio. Ministri Vasili me delegacionin që e shoqëron, u prit në selinë e shenjtë në Vatikan nga Monsinjor Dominique Mamberti, Ministri i Jashtëm i Selisë së Shenjtë, i cili i uroi Mirëseardhjen Ministrit Shqiptar dhe e përgëzoi për suksesin e vizitës së Tij në selinë e shenjtë për përshkallëzimin e mëtejshëm të marrëdhënies bilaterale në fushën e shëndetësisë. Nga ana e tij, ministri Vasili e falënderoi Monsinjor Dominique Mamberti për mikpritjen dhe gatishmërinë e të gjitha institucioneve shëndetësore të Vatikanit për të mbështetur Shqipërinë. Gjithashtu ministri Vasili e informoi Monsinjor Dominique Mamberti, për vizitat e frytshme që kishte pas në selinë e shenjtë, si dhe për hapat kryesore të reformës në shëndetësinë shqiptare. Takimi u zhvillua ne një frymë të ngrohtë dhe miqësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›