E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhërs: Politika të mbështesë paktën për përkatësinë gjinore



"Akuza që paketa burimore mbi përkatësinë gjinore nxit homoseksualitetin mes të rinjve është tërësisht e pavërtetë. Ajo që në të vërtetë kjo paketë nxit është edukimi dhe toleranca. Për këtë arsye u bëj thirrje drejtuesve politikë shqiptarë që jo vetëm të mos debatojnë rëndësinë e kësaj pakete, por t'i ofrojnë burime të plota dhe ta mbështesin", këtë deklaratë ka bërë ambasadori i SHBA, Xhon Uidhërs, dje gjatë takimit në Qendrën Aleanca Gjinore për Zhvillim. Ai e cilësoi hartimin e kësaj pakete një hap të rëndësishëm dhe me vlerë për edukimin civil në Shqipëri. "Kjo paketë do ta ndihmojë Shqipërinë të ecë përpara me të gjithë aspiratat e saj drejt integrimit Euroatlantik. Edukimi dhe zgjerimi i mendjes së të rinjve nuk duhet të bëhet subjekt i lojërave politike", tha ambasadori i SHBA në vendin tonë. Sipas tij, përdorja për përfitime politike e projekteve të tilla është e pakuptueshme dhe nuk duhet të lejohet.
"Me këtë dhimbje dhe keqardhje të veçantë, ky kriticizëm vjen prej disa syresh, që thonë se janë në pararojë të çështjeve të barazisë shoqërore dhe veçanërisht çështjes së gruas. Madje disa prej këtyre personave në të shkuarën janë mbështetur prej Qeverisë Amerikane, nën përshtypjen se angazhimi i tyre ndaj këtyre çështjeve ishte i vendosur dhe i plotë", tha Uidhërs.
Ai vlerësoi paketën e hartuar nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim në bashkëpunim me organizatat evropiane. "Unë nuk jam i vetmi që mendon se kjo është një punë e shkëlqyer. Ish-presidenti i njërit prej universiteteve më të mira, Universitetit të Uashingtonit, shfaq pikëpamje të ngjashme për këtë projekt. Dhe më lejoni të them se ai është njëri prej ekspertëve kryesorë në edukimin qytetar dhe studimet sociologjike, opinioni i tij ka shumë vlerë", tha Uidhërs. Ai shtoi: "Kjo paketë do të jetë një kontribut i madh për edukimin e fëmijëve në Shqipëri, që do t'u mësojë atyre mësime të rëndësishme mbi barazinë gjinore, mbi orientimin seksual dhe vendosmërinë tonë për të parandaluar çdo formë diskriminimi ndaj personave me orientim të ndryshëm seksual. Dhe në luftimin e stereotipeve të rrënjosura mbi rolet e burrave dhe të grave dhe çështjeve të tjera të rëndësishme të tilla si barazia shoqërore, që të gjitha janë pjesë e tablosë së ligjit shqiptar".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›