Përgjimi, dëshmia e vëllait të Rusmalit
Vëllai i ish-ministrit të Drejtësisë dëshmoi 2 orë në prokurori për kasetën e përgjimin që solli dorëheqjen
Edmond Rusmali: Teferiçit nuk i bëra presion, por i kërkova një nder. Im vëlla nuk dinte gjë për bisedën
TIRANË- "Është e vërtetë. I kam kërkuar Zija Teferiçit favorizimin e firmës private "Lika", por nuk i kam bërë presion". Edmond Rusmali, vëllai i ish-ministrit të Drejtësisë ka pohuar para prokurorit të çështjes bisedën e përgjuar, ndërsa më pas u është përgjigjur të gjitha pyetjeve të prokurorëve. Burimet zyrtare pranë task-forcës së krimit ekonomik konfirmuan për "Shekullin" se i vëllai i ish-ministrit Rusmali është marrë në pyetje dhe ka dëshmuar për dy orë të vërtetën e bisedës së bërë mes tij dhe Zija Teferiçit, tashmë ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Burgjeve. "Pasi i dërguam fletë-thirrjen në adresën e shtëpisë së tij, Edmond Rusmali u tregua i gatshëm për t'u paraqitur në prokurori për të dhënë deklarimet e tij, në lidhje me bisedën e bërë me Zija Teferiçin. Ai është marrë në pyetje nga prokurori i çështjes, Genti Osmani dhe oficeri përkatës, ku para tyre nuk ka ngurruar të pranojë bisedën dhe të japë shpjegime të hollësishme",-pohojnë burime nga prokuroria.
***
Pasi ka pranuar bisedën e publikuar në media, vëllai i ish-ministrit ka mbrojtur veten me versionin e një nderi shoqëror. "Unë i kërkova miqësisht Teferiçit të shikonte me prioritet një kompani, por nuk i ofrova atij asgjë këmbim",-ka thënë Rusmali para prokurorëve. "Kam kontaktuar me telefon me ish-drejtorin e Policisë së Burgjeve, Zija Teferiçi, duke i kërkuar një takim. Pasi ka pranuar takimin, kemi lënë edhe datën e orën. Kam shkuar në zyrën e tij dhe kemi bërë bisedë miqësore. Në bisedë e sipër i kam kërkuar në mënyrë miqësore, pa i ofruar asnjë lek, që në zhvillimin e tenderit për ndërtimin e paraburgimit të Durrësit të shikojë me prioritet një kompani private. Gjithë biseda është bërë e qetë dhe pa asnjë lloj presioni, thjesht shoqërore",-ka thënë vëllai i ish-ministrit.
***
Gjatë dëshmisë së tij, Edmond Rusmali u ka thënë prokurorëve se nuk i ka kërkuar Teferiçit të shpallë fituese kompaninë e mësipërme pa të drejtë,ndërsa ka shtuar se i vëllai, asokohe ministër i Drejtësisë, nuk kishte dijeni për këtë bisedë. "Nuk kam qenë në dijeni se po regjistrohej biseda dhe nuk e prisja një gjë të tillë, pasi unë kisha shkuar aty si Edmond Rusmali dhe jo si vëllai i Ilirit",-ka shtuar ai para prokurorëve, duke justifikuar kësisoj gjithë bisedën e përgjuar. Megjithatë, dëshmia e Edmond Rusmalit duket se ka sprapsur disi prokurorinë, në hetimin e kësaj çështjeje. Pak ditë më parë, ishte bërë gati një fletë-thirrje në emër të ish-ministrit, por dje, burime nga prokuroria pohuan se nuk është e nevojshme për hetimin, dëshmia e Ilir Rusmalit. "Nëse Rusmali mendon se ka dijeni për çështjen, të vijë të dëshmojë vullnetarisht",-kanë pohuar dje burime nga Task-Forca në Prokurorinë e Tiranës. Hetimi i filluar pas denoncimit në media të kasetës së përgjuar, ende nuk ka një status të përcaktuar. Prokurorët e çështjes ende nuk e kanë të qartë se çfarë qëndrimi do të mbajnë ndaj vëllait të ministrit Rusmali, ndërsa pritet që në ditët e ardhshme të bëhet një analizë e fakteve, për të vendosur fatin e dosjes.
EDMOND RUSMALI
Pohimi 1
"Është e vërtetë. I kam kërkuar Zija Teferiçit favorizimin e firmës private "Lika", por nuk i kam bërë presion. Këtë kërkesë ia kam bërë shoqërisht"
Pohimi 2
"Nuk kam qenë në dijeni se po regjistrohej biseda dhe nuk e prisja një gjë të tillë, pasi unë kisha shkuar aty si Edmond Rusmali dhe jo si vëllai i Ilirit"