Tezat e Juridikut, pranga Sporesë
Ish-kreu i Qeverisë Studentore arrestohet pas 2 vitesh arrati. Shiti për 7 mijë euro tezat, u dënua me 18 vjet
TIRANË- Marrin fund ditët në arrati të autorit të skandalit të shitjes së tezave të Juridikut. Ferdinand Sporeja, ish-kryetar i Qeverisë Studentore të fakultetit Juridik në vitin 2005, u arrestua dje në qytetin e Durrësit, pas zbulimit të vendstrehimit të tij në rrugë operative. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, policia e Tiranës bëri me dije se protagonisti i skandalit të shitjes së tezave të konkursit të Juridikut u arrestua nga sektori kundër krimit të organizuar, në bashkëpunim me policinë e Durrësit. Ai ka mundur t'iu shpëtojë prangave për më shumë se 2 vjet e gjysmë, ndërkohë që gjykata e Tiranës e ka dënuar në fillim të këtij viti me 18 muaj burg dhe 10 milionë lekë gjobë. Tashmë pritet që Sporeja të dërgohet në një burg të sigurisë së ulët, ku do të shlyejë dënimin që i ka dhënë drejtësia shqiptare.Skandali i shitjes së tezave të Juridikut shkaktoi mjaft debat verën e vitit 2005, ku për herë të parë u anulua një konkurs masiv studentësh. Asokohe u zbulua se testi i provimit u ishte shitur paraprakisht shumë kandidatëve për studentë, kundrejt 7 mijë eurove. Pas shumë akuzash e kundërakuzash, prokuroria zbuloi se autor i këtij skandali ishte kryetari i Qeverisë Studentore, i cili u zhduk pa lënë gjurmë, pas disa reagimesh publike ku mohonte të kishte gisht në këtë ngjarje. Megjithatë, prokuroria i vazhdoi hetimet në mungesë kundër Sporeas dhe më pas e çoi çështjen në gjykatë."36-vjeçari Ferdinand Sporeja akuzohet për konsumim të veprave penale të "vjedhjes" ;"shpërdorimit të detyrës" dhe të "korrupsionit pasiv të kryer nga persona që ushtojnë funksione publike"-tha dje zëdhënësja e policisë së Tiranës, Alma Katragjini, ndërsa shtoi se këtij shtetasi i është dokumentuar tërësisht implikimi në drejtim të shitjeve të tezave të Fakultetit të Drejtësisë, në vitin 2005.