E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paratë e drogës në Itali financojnë ekipin e Beratit

 Hetimi i policisë italiane zbulon implikimin e vëllezërve të presidentit të "Tomorrit" , Ylli Keli, në rrjetin me 61 të arrestuar
Përgjimet tregojnë biseda mes vëllezërve Keli, që kanë blerë lojtarë të rinj me paratë e drogës
ITALI- Trafik ndërkombëtar droge, shfrytëzim femrash për prostitucion dhe përfitime multimilionëshe që investohen në një klub futbolli në Shqipëri. Me paratë e drogës paguheshin rrogat e lojtarëve, qiraja e fushës dhe mbuloheshin të gjitha shpenzimet e tjera të klubit të "Tomorrit" në Berat. Madje me paratë e drogës janë blerë edhe disa lojtarë por ato nuk kanë mjaftuar për të ngritur "Tomorrin" nga Kategoria e Parë në Superligën e futbollit shqiptar. Këto të dhëna kanë dalë në dritë pas arrestimit të dy vëllezërve të ish- financuesit dhe presidentit të klubit të "Tomorrit", Ylli Kelit. Ferdinand dhe Afrim Keli janë prangosur nga policia italiane në kuadrin e një operacioni të madh që ka shpënë pas hekurave të burgut 61 persona, shqiptarë e rumunë, si dhe ka sekuestruar 40 kilogram heroinë e kokainë.. Në dosjen hetimore italiane ndodhen edhe transkriptimet e telefonatave të bëra nga vëllezërit Keli ku tregohej se si përdoreshin paratë e drogës.
Trafiku i drogës
Muaj më parë policia italiane ka rënë në gjurmë të një rrjeti gjigant të trafikut të narkotikëve që përfshinte linjën e vjetër ballkanike të heroinës dhe një rrugë të re kokaine nga Belgjika. Guardia di Finanza e Torinos nisi menjëherë përgjimin e të gjithë personave të dyshuar si të implikuar në këtë trafik dhe pak ditë më pas zbuloi se ata merreshin edhe me shfrytëzim femrash për prostitucion. Hetimet vazhduan për muaj të tërë dhe në gusht të këtij viti policisë italiane i erdhi një "xhol" në dorë. Një vajzë minorene nga Rumania kishte refuzuar që të prostituonte rrugëve të Torinos dhe "pronarët" e saj e kishin rrahur barbarisht. Më pas e kishin mbyllur në një dhomë në rajonin e Beinascos në Torino. Kjo vajzë është gjetur dhe liruar nga policia italiane, për tu bërë më pas dëshmitari kyç që ndihmoi hetuesit italianë në zbardhjen e mozaikut gjigant të trafikut. Nga hetimet rezulton se trafiku i drogës ndiqte dy rrugë. Njëra ishte ajo e heroinës afgane, e cila pasi kalonte përmes të gjithë Ballkanit, përfundonte në veriun e Italisë. Ajo hynte në Itali përmes kamionëve dhe makinave të tjera të mëdha që niseshin nga portet shqiptare. Ndërkohë kokaina merrej në Belgjikë e Holandë. Më pas ishte e thjeshtë që ta fusje atë në Itali. Pothuajse të gjitha paratë e drogës dërgoheshin në Shqipëri me rrugë detare ku si korrierë përdoreshin studentë shqiptarë që vazhdonin shkollën në Itali.
"Tomorri" i Beratit
Gjatë përgjimit të anëtarëve të kësaj organizate, policia italiane ka evidentuar disa biseda që ishin ndryshe nga të tjerat. Dy prej anëtarëve, vëllezërit Ferdinand dhe Afrim Keli, dërgonin shuma të mëdha parash në vendlindje, qytetin e Beratit. Paratë investoheshin në këtë qytet por me to janë blerë edhe prona të paluajtshme në qytete të tjera të Shqipërisë. E veçanta e telefonatave të tyre ishte se paratë po përdoreshin edhe për një "qëllim të mirë". Vëllai i tretë, Ylli Keli, po tentonte që të merrte presidencën e klubit të "Tomorrit" në qytetin e Beratit. Me paratë që i kishin dërguar vëllezërit ai po financonte klubin e futbollit. "Në një prej telefonatave që kemi përgjuar ne dëgjohet shumë qartë se Ylli Keli i thotë të vëllait Ferdinandit se me paratë e ardhura nga Italia ka blerë disa lojtarë të rinj për ekipin e Beratit. Me këto para ai ka mbuluar edhe shpenzimet e klubit. Për këtë arsye ne kemi marrë Ylli Kelin në hetim për riciklim parash me prejardhje kriminale. Ai po hetohet në gjendje të lirë",- pohoi dje koloneli i policisë italiane, Germano Caramignoli. Sipas tij, telefonatat e bëra nga tre vëllezërit janë prova konkrete që tregojnë financimin e ekipit të "Tomorrit" të Beratit me paratë e drogës dhe prostitucionit.
Ekzekutimet e Adrian Çobës dhe Edmond Malollarit vetëm pak metra larg stadiumit "Selman Stërmasi"
Presidentët e vrarë të "Tomorrit" të Beratit
Ylli Keli është i treti në listën e presidentëve të Sport Klub Tomorrit që implikohet në afera të paligjshme. Fati i keq i ekipit të qytetit të vogël, i cili njëherë pothuajse u bë edhe kampion i Shqipërisë, ka nisur me Adrian Çobën. Ai ishte presidenti më i suksesshëm i klubit por njihej për implikim në botën kriminale. Pasditen e 13 majit të vitit 2000 ai ka zbritur nga shkallët e stadiumit dhe është ulur në një kafe së bashku me tre gjyqtarët e ndeshjes. Vetëm pak minuta më pas, një i njohuri i tij, Aglin Goxhaj, shfaqet në derën e lokalit duke hapur zjarr me breshëri. Çoba dhe gjyqtari Luan Zylfo gjejnë vdekjen e menjëhershme ndërsa dy gjyqtarë të tjerë plagosen. Shkaku i kësaj vrasjeje ishte tradhtia bashkëshortore e gruas së vrasësit me shokun e tij të ngushtë, Adrian Çobën. Pas vdekjes së tij ekipi i Beratit u zhyt në renditje dhe përfundoi në kategorinë e dytë. Në këtë moment del në skenë Edmond Malollari, i cili u bë presidenti i radhës i klubit beratas. Emri i tij nuk u lakua shumë deri në momentin kur ai u ekzekutua në mënyrë mafioze në derën e shtëpisë së tij. Më 14 dhjetor të vitit 2005 biznesmeni Edmond Malollari është ekzekutuar me një pistoletë me silenciator në shkallët e pallatit, i cili ndodhet vetëm pak metra larg stadiumit "Selman Stërmasi" në kryeqytet. Motivi i vrasjes dyshohej se ishte një borxh i vjetër që Malollari ia kishte marrë disa personave dhe refuzonte t'ia kthente. Një koincidencë ogurzezë bëri që të dy presidentët e "Tomorrit" të Beratit kanë gjetur vdekjen nga plumbat në zonën përreth stadiumit "Selman Stërmasi" në kryeqytet. E. J
Ylli Keli, presidenti "pa letra" i ekipit të Beratit
Ylli Keli ka tentuar që të marrë presidencën e klubit të Beratit disa kohë pas vrasjes së Edmond Malollarit. Ekipi i "Tomorrit" vazhdonte që të financohej nga familja Malollari, e cila nuk donte që ta linte klubin. Në fillim të këtij viti, me nisjen e fazës së dytë, vellezërit Keli vendosën që të rindërtonin ekipin dhe ta ngrinin atë në kategorinë e parë. Edhe pse zyrtarisht presidenca ishte e familjes Malollari, ata filluan që të investonin në këtë klub. Në këtë moment u erdhi në ndihmë edhe bashkia e Beratit, e cila vendosi që t'ia hiqte presidencën e klubit familjes Malollari dhe t'ia jepte Ylli Kelit. Gruaja e Malollarit nuk e pranoi këtë gjë dhe vendimin e bashkisë e hodhi në gjyq. Procesi vazhdon ende në Gjykatën e Beratit. Por kjo nuk e pengoi aspak Ylli Kelin që të vazhdonte të investonte në ekipin e "Tomorrit". Gjatë dy- tre muajve të parë ai ka bërë edhe blerje të reja me shpresën se ekipi do të ngrihej në Ligën Superiore. Blerjet dhe financimet e bëra nga vëllezërit Keli nisën që të jepnin frytet e para por në fund të sezonin ata e lanë sërish ekipin.
Afrim Keli rrahu gjyqtarin e ndeshjes për një penallti
Në fund të prillit të këtij viti "Tomorri" i Beratit kishte një ndeshje tepër të rëndësishme me Skënderbeun e Korçës. Në një moment, në pjesën e parë lojtarët beratas pretendojnë për një penallti por për arbitrin Agron Kastrati gjithçka ishte e rregullt. Protestat e lojtarëve beratas dhe përfaqësuesve të klubit u bënë tepër të ashpra dhe për disa minuta me radhë nuk u luajt futboll. Kur situata u qetësua, në pushimin e ndeshjes, Afrim Keli zbriti nga tribuna ku po shikonte ndeshjen dhe shkoi në dhomën e gjyqtarëve për të diskutuar në lidhje me penalltinë e mohuar. Por pa pritua fjalët e gjyqtarit Kastrati, Keli ka nisur që ta rrahë atë. Ndeshja u pezullua dhe iu dha fitorja në tavolinë 3-0 "Skënderbeut" ndërsa policia arrestoi Afrim Kelin me akuzën e rrahjes. Tre ditë më pas, në gjykatë nisi procesi i shpejtuar në ngarkim të tij. Akuza e ngritur ndaj tij nga prokuroria ishte rrahje e thjeshtë dhe 32- vjeçari banues në lagjen Uznovë të Beratit ka pohuar se pranonte fajin dhe se ishte i penduar. Përfaqësuesja e akuzës ka kërkuar nga treshja e gjyqtarëve penalë të gjykatës së Beratit, të kryesuar nga gjyqtarja Marjana Velçani, që akuza kundër tij të klasifikohet si "goditje për shkak të detyrës", çka nga ky trup gjykues nuk është pranuar. Në përfundim të seancës, trupi gjykues e konsideroi fajtor Kelin dhe e dënoi atë me dy muaj heqje lirie.
Precedenti Myftar Çela
Ekzekutimi i presidentit të Vllaznisë në Tuz të Malit të Zi
Presidenti i Klubit të Futbollit "Vllaznia", Myftar Çela, është ekzekutuar në Tuz të Malit të Zi me15 qershor të vitit 2003. Autor i këtij krimi ishte shqiptaro- malazezi Bajram Çulmulaj me të cilin viktima mësohet të ketë qenë shumë mik. Po ashtu mësohet se vrasësi ka qenë me vëllanë e tij kur ka qëlluar për vdekje me armë zjarri mbi Presidentin e "Vllaznisë", i cili në momentin e ngjarjes ka qenë në këmbë në qendër të qytetit malazez. Myftar Çela, mësohet të ketë punuar vite më parë me të dyshuarin, si autor i vrasjes së tij, në kohën kur merreshin me aktivitetin e karburanteve gjatë luftës së Bosnje-Hercegovinës, në kohën kur ndaj ish-Jugosllavisë ishte vendosur embargo nga OKB-ja. Myftar Çela përveçse ishte president për disa vite i klubit të futbollit Vllaznia, ishte edhe një nga biznesmenët më të njohur në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›