Ministri grek:Kemi para edhe për 22 ditë
Duke iu përgjigjur shqetësimit, pasigurisë në Parlament dhe popullit për marrjen e paketës së ndihmës nga FMN dhe BE, ministri grek i Financave, Jorgo Papakonstantinu, ka deklaruar se pranimi i paketës së ndihmës ishte i domosdoshëm, pasi “Qeveria ka para vetëm për 22 ditë”. “Ekziston një datë e rëndësishme, 19 maji, kur duhet të shlyejmë miliarda euro borxh. Deri atëherë kemi lekë, por më pas nuk e dimë”, ka pohuar Papakonstantinu. Kryeministri grek, Jorgo Papandreu, u ka bërë thirrje qytetarëve helenë që të tregohen të matur dhe të ruajnë qetësinë. Kreu i Qeverisë është shprehur se vetëm kështu Greqia mund të kthehet në rrugën e duhur për rimëkëmbjen e ekonomisë. “Greqia ka nevojë për kohë dhe për qetësi që të ndërmarrë reforma të thella. Gjithçka duhet të ndryshojë, në mënyrë që ekonomia e tronditur të rimëkëmbet”, tha Papandreu, duke kërkuar kështu ndërprerjen e grevave të vazhdueshme kundër masave qeveritare të kursimit.