Vezë e bomba në Kuvendin e Ukrainës, OK pakti me Rusinë
Parlamenti i Ukrainës miratoi një marrëveshje sot për të zgjatur përdorimin e bazës detare ruse në Sevastopol në këmbim të çmimit më të mirë të gazit, me gjithë “luftën” me vezë, bomba gazi dhe grushte me anëtarët e opozitës. Marrëveshja i siguron Rusisë përdorimin e bazës detare në portin Krimen të Sevastopolit për 25 vite të tjera në këmbim të miliarda dollarëve të fituar nga ulja e çmimit të gazit rus për Ukrainën. “Sot do të shënohet si një ditë e zezë në historinë e Ukrainës dhe Parlamentit ukrainas”, tha Julia Timoshenko, ish-Kryeministrja dhe njëkohësisht rivale në zgjedhjet presidenciale me Presidentin aktual pro rus, Viktor Janukoviç. Përfaqësuesit e opozitës thanë se marrëveshja i mban me efektivitet rusët si dominues në Detin e Zi dhe e kthen Ukrainën në mënyrë të pavullnetshme si mbështetëse e veprimeve ushtarake të Moskës, si rasti i bllokadës së Gjeorgjisë nga flota ruse gjatë luftës së vitit 2008 (Rusi – Gjeorgji) dhe disa muaj më pas. Agjencitë lajmeve raportuan se rreth 10,000 protestues ishin mbledhur jashtë Parlamentit ukrainas në qendër të Kievit, duke bërtitur “Mos ia shisni Ukrainën Rusisë” dhe “vdekje tradhtarëve”. Por ligjvënësit brenda Parlamentit e ratifikuan marrëveshjen me 236 vota pro, me 10 votat më tepër të maxhornacës në Parlamentin me 450 anëtarë. Ekspertët thanë se Ukraina e ka rivendosur veten në aleancë larg perëndimit dhe drejt Moskës, që nga triumfi Z. Janukoviç, i cili kryeson partinë ukrainase me bazë në lindje, Partia e Rajoneve. Janukoviç dhe Presidenti rus, Dimitri Medvedev, janë takuar pesë herë që pas zgjedhjeve të shkurtit, përfshirë edhe takimin në Kharkov javën e kaluar, ku lideri Ukrainas nënshkroi marrëveshjen detare në këmbim të 30 për qind ulje të çmimit të gazit rus, me vlerë rreth 40 miliardë dollarë për dekadën e ardhshme. Ekonomia e Ukrainës është shumë e varur nga gazi rus. Ish-presidenti pro perëndimor, Viktor Jushçenko, kishte kërkuar largimin e trupave ruse nga porti deri në vitin 2017. Anëtarët e opozitës në Parlament i hodhën vezë kryeparlamentarit, Volodymyr Lytvyn, ndërsa ai hapi sesionin në “Verkhovna Rada”, duke e detyruar atë të hapte çadrën për t’u mbrojtur. Dy bomba gazi u hodhën në sallë dhe deputetët bërtisnin opinionin e tyre që të dëgjoheshin, me gjithë zhurmën e alarmit të tymit. Disa parlamentarë u grindën me grushte aq keq sa u desh të shtroheshin në spital. Në Kiev, analistët thanë se marrëveshja e bazës detare do të nxitë një ndarje më të thellë në shoqërinë e Ukrainës mes rajoneve lindore pro ruse dhe rajoneve perëndimore, që janë me ndjenja të forta nacionaliste. Gjysma e vendit është kundër marrëveshjes. Vetëm pesë vite më parë, Viktor Jushçenko u zgjodh President i vendit pas revolucionit të Portokalltë, i cili solli në pushtet pro perëndimorët. Jushçenko dhe Presidenti aktual, Janukoviç, janë prej vitesh kundërshtarë të fortë politikë.
Medvedev: Përfitojmë të dyja palët
Presidenti rus, Dimitri Medvedev, është i sigurt se nga marrëveshja e Platformës së Detit të Zi përfitojnë si Rusia, ashtu edhe Ukraina. Ai beson se dokumenti do t’u paraqitet për firmë Presidentëve të të dyja vendeve brenda pak ditësh. “Kjo marrëveshje sigurisht është në dobi të Rusisë dhe Ukrainës. Ne duhet t’i japim fund përdorimit të standardeve aritmetike. Nuk duhet diskutuar më kush humbet më shumë apo kush fiton më shumë. Ne duhet të shohim në të ardhmen”, tha Medvedev në një konferencë për shtyp në Oslo.