E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri i Brendshëm pranon keqtrajtimin në paraburgime



Nishani: Janë dërguar për ndjekje penale 128 punonjës policie

SHKB, kontroll zbatimit të legjislacionit nga policia

“Ka pasur raste të keqtrajtimit të të paraburgosurve, por persona përgjegjës janë dërguar në ndjekje penale”, - ka pranuar dje ministri i Brendshëm, Bujar Nishani gjatë një takimi të përbashkët që ka pasur me Avokatin e Popullit. Madje, ministri Nishani e ka konkretizuar edhe me shifër konkrete, duke deklaruar se të paktën 128 punonjës policie janë dërguar për ndjekje penale për kryerje të veprimeve arbitrare. Gjithashtu, kreu i institucionit të rendit dhe sigurisë në vend është shprehur se policia është orientuar për zbatim të ligjeve dhe për këtë kontrollohet nga SHKB-ja. Ministria e Brendshme dhe institucioni i Avokatit të Popullit kanë organizuar ditën e djeshme një tryezë të rrumbullakët me temë “Bashkëpunimi i Avokatit të Popullit dhe Policisë së Shtetit - Garanci për funksionimin e shtetit ligjor dhe respektimin e të drejtave të njeriut”. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, u shpreh në takim se Policia e Shtetit gjatë tri viteve të fundit, krahas përmirësimit të standardeve të sigurisë ka shënuar një progres të dukshëm edhe në respektimin e të drejtave të njeriut. “Ligji i ri për Policinë e Shtetit mbart frymën e shndërrimit të saj nga një forcë policore në shërbim policor dhe është e rëndësishme që parashikimet e ligjit të zbatohen në praktikë. Krijimi i një legjislacioni, i cili përcakton në mënyrë të qartë e strikte fushën e veprimtarisë ligjore të instrumenteve të zbatimit të ligjit për Policinë e Shtetit, i jep mundësi kësaj të fundit që nëpërmjet instrumenteve të saj të sigurojë rendin publik, të luftojë krimin e korrupsionin dhe nga ana tjetër në tërë këtë veprimtari të sigurojë mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut”, - tha ministri Nishani. Ministri i Brendshëm theksoi gjithashtu se “në bazë të parashikimeve të legjislacionit është riorganizuar struktura e Policisë së Shtetit, jo vetëm në departamentet përkatëse, por edhe në zyrat e shërbimeve konkrete në terren për ofrimin e ndihmës nga punonjësi i policisë në çdo moment kur rendi e siguria e qytetarit kërcënohet dhe ndërkohë nëpërmjet instrumenteve përkatës si Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm kontrollohet si zbatohet ky legjislacion”. Ministri Nishani përmendi faktin se SHKB-ja gjatë tre vjetëve të fundit ka evidentuar dhe dërguar për ndjekje penale 128 punonjës të policisë për veprime arbitrare dhe tejkalim kompetencash në përdorimin e forcës. Në këtë tryezë të rrumbullakët u diskutua mbi rolin e njësive të institucionit të Avokatit të Popullit për parandalimin e torturës dhe njohjen e këtij roli nga policia, sfidat dhe bashkëpunimin për zgjidhjen e tyre, përdorimin e forcës si veprim ligjor dhe tejkalimin e saj në formën e dhunës që është e dënueshme, procedurat e shoqërimit të shtetasve sipas ligjit të ri për Policinë e Shtetit dhe shkeljet e konstatuara. Në tryezë morën pjesë Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, dhe drejtues të tjerë të këtij institucioni, si dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›