E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet me 300 mijë lekë të vjedhura 11-vjeçari Cungu

Tiranë

Seksioni i Vjedhjeve në policinë e kryeqytetit ka mundur të zbulojë një tjetër vjedhje të ndodhur në periferi të Tiranës, ndërkohë që ka identifikuar edhe autorin e saj. Bëhet fjalë për të etiketuarin “Arsen Lupeni” shqiptar, 11-vjeçarin e shndërruar në tmerrin e banesave të kryeqytetit. Markelian Cungu, 11 vjeç, sipas policisë së Tiranës, është autori i dyshuar për vjedhjen e shumës prej 300 mijë lekësh, në një banesë në Sauk. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se është dokumentuar tërësisht implikimi i 11-vjeçarit në vjedhjen e shumës së parave 300 mijë lekëve në ambientet e banesës së një qytetari. “Nga puna hetimore e bërë nga seksioni Kundër Vjedhjeve të Tjera rezultoi se autor dyshohet të jetë i mituri Markelian Cungu”, - tha policia e kryeqytetit. Pas zbulimit të vjedhjes, dosja me materialet i ka kaluar prokurorisë së Tiranës, për ta bashkëlidhur me dosjet e tjera, që janë në emrin e 11-vjeçarit, Markelian Cungu. Ndërkohë që 11-vjeçari arrin ende të përfitojë për shkak të moshës së mitur, fakt të cilin e di dhe vazhdon ta përdorë për të kryer vjedhje të ndryshme. Ndërkohë që sipas burimeve nga akuza, prej disa ditësh qëndron në burg, në masën “arrest me burg” babai i 11-vjeçarit, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në vjedhjet e të birit, madje edhe si nxitës i tyre. Po sipas të njëjtave burime, Petrit Cungu ka pasur dijeni për një makinë të vjedhur nga i biri dhe ka pretenduar se ajo ishte blerë nga Markeliani, i cili e kishte përplasur atë dhe më pas e kishte çuar për riparim në servis. Kjo makinë i rezultonte policisë e vjedhur, ndërkohë që personi që e kishte vjedhur atë ishte 11-vjeçari Cungu.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›