E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani shpjegon procedurat e reja të kompensimit

Formular të ri për pronarët

Formulari i ri me kërkesat që ish- pronarët duhet të plotësojnë për t’u përfshirë në procesin e kompensimit fizik e financiar do të jetë gati brenda disa ditësh.
Gjatë një komunikimi me mediat, ministri i Drejtësisë Bujar Nishani konfirmon këtë fakt dhe deklaron se së shpejti drejtuesit e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do t’i sjellin për miratim dokumentin me rregullat e reja të mbledhjes dhe administrimit të dokumenteve.
“Për sa kohë këto ditë është miratuar dhe struktura e re e Agjencisë nga kryeministri është duke ndodhur procesi i transferimit të dosjeve nga zyrat vendore drejt agjencisë qendrore. Do të jetë thjesht çështje ditësh dhe javësh për sa i takon riorganizimit të strukturës dhe besoj që menjëherë pastaj do të fillohet me proceset e tjera që kanë të bëjnë qoftë me hartimin e modularit të aplikimit, por dhe me vendime konkrete nga Agjencia”, u shpreh ministri Bujar Nishani.
Ministri Nishani konfirmon gjithashtu se rregullave të reja nuk do t’i nënshtrohen ata ish- pronarë dosjet e të cilëve janë grumbulluar në vite pa u shqyrtuar. Janë rreth 8000 të tilla për të cilët nuk do të jetë nevoja e dokumenteve shtesë.
“Ata do të trajtohen mbi bazën e dokumentacionit që kanë paraqitur. Nëse gjatë trajtimit do të ketë kërkesa nga komisionet përkatës për dokumentacion plotësues apo për dokumentacione shtesë, kjo është çështje e procedurës dhe e ligjit që parashikon. Ajo bazohet mbi praktikën që është depozituar dhe nuk ka më depozitime të praktikave të tjera”, tha Nishani.
Qeveria vendosi kohët e fundit të ristrukturojë Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave duke shkrirë degët në rrethe dhe fuqizimi i zyrës qendrore.
Po ashtu u miratuan rregullat e reja për kërkesat e të shpronësuarve, të cilat tani pranohen brenda një afati tremujor dhe kundrejt një tarife që do të shpallet nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Financave.
Gjatë 2009 përfituan nga 10 milion euro kompensim financiar 211 familje.
Megjithatë fatura totale e pretenduar e këtij procesi mendohet të shkojë rreth 4 miliard euro.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›