Korrupsioni, dy mjekë nën hetim
Organi i akuzës ka shtrirë hetimet në maternitetin e Tiranës, duke vënë nën akuzë, krahas kirurgut gjinekolog Janaq Kasapi, edhe anestezistin Arti Qosja. Dy mjekët dyshohen se kanë marrë ryshfet 50 mijë lekë pas një ndërhyrje kirurgjikale për lindjen e fëmijës. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se bluzat e bardha kanë marrë ryshfet edhe në dy raste të tjera. Megjithatë, burimet nga njësia Task Forcë në prokurorinë e kryeqytetit deklarojnë se kanë dokumentuar vetëm një rast mitëmarrje nga dy mjekët, ndërsa për rastet nën hetim ende nuk kanë dalë në një konkluzion. Sipas prokurorisë, aktiviteti i paligjshëm i mjekëve kishte vazhduar për disa muaj dhe janë dashur hetimet e njësisë antikorrupsion në prokurori për të zbuluar abuzimet në maternitet. Ndërkohë, për rastin në fjalë, Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim për shtyp, duke deklaruar se janë dokumentuar abuzimet për këta mjekë.
“My baby”Policia e Tiranës tha dje se ka shoqëruar në polici 2 mjekë për korrupsion e shpërdorim detyre. “Në kuadër të operacionit policor të koduar ‘My baby’, i realizuar nga Policia e Tiranës, në bashkëpunim me njësinë Task Forcë pranë Prokurorisë së Tiranës, u arrit të dokumentohet aktiviteti i dy mjekëve, pranë maternitetit ‘Mbretëresha Geraldinë’ në Tiranë”, thuhet në njoftimin për shtyp të policisë. Sipas tyre, të hetuarit janë Janaq Kasapi, 54 vjeç, me banim në Tiranë, me detyrë mjek kirurg dhe përgjegjës i grupit të mjekëve pranë maternitetit të Tiranës dhe Arti Qosja, 38 vjeç, me banim në Tiranë, me detyrë mjek reanimator pranë të njëjtit maternitet. “Në ngarkim të tyre, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurimit ‘garanci pasurore’, për konsumim të veprës penale të ‘korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike’, në bashkëpunim”, thanë burimet nga Policia e Tiranës. Sipas tyre, pas një hetimi disamujor të Prokurorisë së Tiranës u dokumentua tërësisht implikimi i tyre, ku për çdo lindje me operacion, shtetasit e sipërpërmendur dyshohet se merrnin shumën prej 50 000 lekësh. “Po vazhdon puna hetimore në drejtim të personave të tjerë të implikuar apo dhe goditjes së këtij fenomeni korruptiv”, thanë të njëjtat burime.
Masa shtrëngueseKirurgu gjinekolog dhe anestezisti do të hetohen në masën shtrënguese “garanci pasurore”. Gjykata e Tiranës ka vendosur këtë masë, ndërsa ka rrëzuar kërkesën e organit të akuzës për “pezullimin nga detyra”. Dy ditë më parë, prokuroria kërkoi pezullimin e mjekut Janaq Kasapi dhe anestezistit Arti Qosja. Pas verifikimeve paraprake, togat e zeza vendosën ndaj të hetuarve një garanci pasurore, e cila është 500 mijë lekë. Burime nga gjykata deklaruan për gazetën “Shqip” se masa shtrënguese është vendosur, duke parë parrezikshmërinë shoqërore të mjekut dhe infermierit, si edhe arsimimin e tyre. Pra, gjykata ka kërkuar vetëm vendosjen e një garancie pasurore, duke lejuar organin e akuzës të kryejë hetime ndaj tyre në gjendje të lirë. Ndërkohë, prokuroria ka apeluar vendimin e Gjykatës së Tiranës, pasi e cilëson si jo reale.
#