Ministri i Jashtëm, Ilir Meta paralajmëron se, opozita do të mbajë përgjegjësi nëse tenton të paralizojë institucionet

Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, vlerëson Progres-Raportin e KE-së për vitin 2009, për Shqipërinë se pasqyron arritjet dhe progresit e vendit në kuadër të integrimit evropian. Meta tha se rekomandimet e evidentuara në këtë Raport, do të përbëjnë një objektiv kryesor për punën e mëtejshme të Qeverisë së Integrimit. Për sa i takon bojkotit të opozitës, ministri Meta përcaktoi se kjo palë që ka zgjedhur bojkotin ndaj debatit parlamentar, do të mbajë përgjegjësi të veçanta nëse paralizon punën e institucioneve. Ministri i Jashtëm citoi se Shqipëria ndodhet pranë sfidave madhore të integrimit dhe do të ishte e pafalshme nëse shqiptarët nuk do të preknin rezultate konkrete. “Progres-Raporti skanon ecurinë e reformave në Shqipëri, duke bërë një vlerësim realist dhe objektiv. Raporti, në thelb përcakton ecurinë e marrëdhënies së Shqipërisë me Bashkimin Evropian, e cila sikurse u theksua dje edhe nga Komisioneri Olli Rehn, edhe nga kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë Ambasadori Lohan, është një marrëdhënie inkurajuese”, u shpreh dje Meta në një konferencë për shtyp. Sipas tij, një nga pikat e rëndësishme që vlerësohet pozitivisht në këtë Progres Raport, ka të bëjë me zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit, të cilat u certifikuan nga OSBE/ODIHR si të suksesshme. “Të gjitha rekomandimet e evidentuara në këtë Raport, do të përbëjnë një objektiv kryesor për punën e mëtejshme të Qeverisë së Integrimit, e cila ka angazhuar kapacitetet e saj më të mira në funksion të përmbushjes së standardeve për integrimin e plotë të Shqipërisë në BE. Te gjitha institucionet do të bëjnë një analizë të plotë të konstatimeve të këtij Raporti dhe çdo rekomandim do të kthehet në objektiv pune për Qeverinë shqiptare”, deklaroi Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme. Ilir Meta cilësoi më tej se Raporti vlerëson me nota pozitive politikën rajonale të Shqipërisë si një faktor të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti, dhe në tërësi rritjen dhe konsolidimin e rolit e saj në arenën ndërkombëtare. Në këtë kuadër, shefi i diplomacisë shqiptare, tha se e njëjta garanci jepet për liberalizimin e vizave për të gjitha vendet e rajonit, ku sikurse u vlerësua nga Komisioneri Olli Rehn, Komisioni do të bëjë propozimin për heqjen e vizave me Shqipërinë brenda mesit të vitit 2010. Sipas ministrit të Jashtëm Ilir Meta, ky Progres Raport do të materializohet në një program të menjëhershëm dhe konkret pune për të adresuar pikat ku nevojitet progres i mëtejshëm nga ana e Qeverisë dhe institucionet e tjera të shtetit.
...