E Diel, 1 Nëntor 2026

Vitet në vijim do të jenë edhe më të suksesshme

Kryeministri Berisha feston 65-vjetorin e lindjes Kryeministri Sali Berisha ka festuar dje 65 vjetorin e lindjes mes përfaqësuesve të kabinetit qeveritar dhe një grupi të rinjsh nga shkolla dhe universitete të ndryshme. “One Man With Courage makes a Majority”, ishte dedikimi që kabineti qeveritar i bëri si urim Kryeministrit Sali Berisha, me rastin e këtij përvjetori. Në këtë shkëmbim urimesh, Kryeministri Berisha i falënderoi ministrat për kontributin dhe mbështetjen që ata i kanë dhënë gjatë këtyre viteve për realizimin e reformave të ndërmarra së bashku dhe i siguroi ata se katër vitet e ardhshme do të jenë edhe më të suksesshme. Urime në këtë përvjetor, Kryeministri mori dhe nga një grup nxënësish dhe studentësh, përfaqësues të shkollave e universiteteve të ndryshme, të cilët i priti në mjediset e Kryeministrisë. Studentët dhe nxënësit vlerësuan reformat e kryera deri më tani në arsim dhe për sistemin e internetit të ngritur në të gjitha shkollat e vendit. Duke i cilësuar urimet e të rinjve si më të bukurat të marra në këtë përvjetor Kryeministri i siguroi ata se vitet e ardhshme do të vijohet edhe më tej me reformat në arsim, për të zgjeruar universitetet, rritur cilësinë e tyre dhe për të siguruar vendet e lira të punës, që të gjithë të diplomuarit të mund të angazhohen për njohuritë e marra në shkollë. Profesor Doktor Sali Berisha u lind në Tropojë në 15 tetor të vitit 1944. Ai u diplomua shkëlqyeshëm për mjekësi në Universitetin e Tiranës. Pas përfundimit të studimeve të avancuara në Paris, më 1968, u zgjodh anëtar i Komitetit Evropian për Kërkime në Shkencat Mjekësore. Ka publikuar libra studimorë, tekste universitare dhe shumë artikuj shkencorë në fushën e kardiologjisë brenda dhe jashtë vendit. Sali Berisha e nisi karrierën e tij politike me lëvizjen studentore në dhjetor 1990. Më 1991 themeloi dhe u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike, të cilën e drejton edhe sot. Sali Berisha u zgjodh President i Shqipërisë më 9 prill 1992, detyrë në të cilën u rizgjodh edhe më 3 shkurt 1997. Ai është Kryeministër i Shqipërisë prej 8 shtatorit 2005.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›