E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kancelarja gjermane përshëndet anëtarësimin e Shqipërisë në aleancë

Angela Merkel citon kryeministrin Berisha, në fjalën e saj mbajtur në seancën e djeshme parlamentare në Berlin

- Kancelarja gjermane Angela Merkel ka përdorur dje në Berlin, gjatë punimeve të Bundestagut, një citat të kryeministrit shqiptar Sali Berisha, për të ilustruar domethënien e samitit të NATO-s, që do të zhvillohet më datat 3 dhe 4 prill në Kehl të Gjermanisë dhe Strasburg të Francës, sipas Radios Deutsche Welle. “Jam shumë e interesuar që këtij samiti t’i jepet rëndësia e duhur”, tha ajo gjatë deklaratës zyrtare në Bundestag. “Ndoshta do të na ndihmonte për këtë një citat nga një intervistë që kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha i pat dhënë të hënën e kaluar gazetës ‘Frankfurter Allgemeine Zeitung’. Pyetjes se çfarë do t’i sjellë NATO-ja Shqipërisë, ai iu përgjigj si më poshtë citoj, ‘Qëllimi i NATO-s është që armiqtë t’i kthejë në miq, kjo do të thotë se është një fitore e madhërishme që një nga vendet më komuniste të botës, tani po bëhet anëtar i Aleancës më perëndimore”, u shpreh Merkel citatin e Berishës, që u prit me duartrokitje nga deputetët e fraksionit të saj.      

Ajo theksoi se “ne përshëndesim anëtarësimin në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë. Jam e bindur që konflikti për kufirin mes Sllovenisë dhe Kroacisë nuk do të rrezikojë këtë proces. Shpresoj gjithashtu që në një të ardhme të afërt edhe anëtarësimi i Maqedonisë do të bëhet i mundur. Për mendimin tim, procesi i anëtarësimit të këtyre vendeve është shumë i rëndësishëm”, tha Kancelarja Merkel. 

Sipas Merkel samiti i NATO-s që do të zhvillohet më datat 3 dhe 4 prill në Kehl të Gjermanisë dhe Strasburg të Francës me këto dy anëtarë të rinj do të hedhë piketat e para për një koncept të ri strategjik. 

Kancelarja kristiandemokrate shtoi se samiti i NATO-s do të hedhë piketat e para për një koncept të ri strategjik. Në 60-vjetorin e themelimit, Aleancës, - aktualisht 26 anëtarësh, do t’i shtohen edhe Shqipëria dhe Kroacia. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›