E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Jashtëm, Meta, niset drejt Stambollit

Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, mori pjesë në Takimin Informal të Ministrave të Jashtëm të SEECP (Procesi i Bashkëpunimit të Europës Juglindore), organizuar nga ministri i Jashtëm turk, z. Ahmet Davutoglu, njëkohësisht president i radhës së kësaj nisme të rëndësishme rajonale. Gjatë fjalës së tij, zv.kryeministri Meta nënvizoi rolin e spikatur të Shqipërisë si një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, dimensionin e saj të ri si një vend anëtar i NATO-s dhe me një perspektivë të qartë drejt integrimit europian. Gjithashtu, z. Meta theksoi se pas pavarësisë së Kosovës, rajoni është pasuruar me vlera demokratike dhe standarde të reja të sigurisë, duke shtuar se Shqipëria mbështet institucionet dhe partitë politike në Kosovë në angazhimin e tyre solid për të bashkëpunuar ngushtë me institucionet ndërkombëtare dhe veçanërisht EULEX-in, për konsolidimin e standardeve të demokracisë dhe bashkëjetesës multietnike. Njëkohësisht ai përshëndeti anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore dhe FMN. Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Meta, kërkoi angazhimin e të gjitha vendeve anëtare në këtë nisëm, për të rritur përpjekjet e përbashkëta për krijimin e komunitetit të energjisë së Europës Juglindore, të korridoreve pan-europiane, krijimin e një zone të tregtisë së lirë për Europën Juglindore, si prioritete të rëndësishme që do të forconin bashkëpunimin rajonal, paqen, sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë popujve tanë. Z.Meta gjithashtu theksoi se procesi i integrimit të tregjeve do të jetë edhe më i plotë me një përpjekje të përbashkët për arritjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve të rajonit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›