Berisha: Furnizimi me ujë, prioritet i qeverisë
Kryeministri Berisha mblodhi dje grupin e punës për zgjidhjen e problemeve të furnizimit me ujë të zonës së Tiranës dhe të Durrësit. Qëllimi i këtij takimi ishte gjetja e mundësive për të zgjidhur problematikën e furnizimit me ujë të këtyre dy qyteteve. Gjatë fjalës së tij, Berisha kërkoi që të veprohet me shpejtësinë e madhe për zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë, pasi ky është edhe një nga drejtimet kryesore të programit qeverisës në katër vitet e ardhshme. Gjatë diskutimit janë dhënë disa propozime se si mund të dilet nga kjo gjendje, ndaj dhe Kryeministri ka kërkuar që për secilin nga variantet e propozuara të përcaktohen afatet kohore të realizimit të këtyre veprave, sigurimi i qëndrueshmërisë së zgjidhjeve të ofruara, kostot e ndërtimit, si dhe ato të operimit, mbi bazën e të cilave do të merret vendimi përfundimtar. Propozimet për Tiranën janë ruajtja e burimeve, veçanërisht puseve, nga ndotja, rritja e kapaciteteve depozituese, ndërhyrjet e menjëhershme në zonat periferike, të konsideruara deri më sot "informale", me qëllim zgjidhjen definitive të furnizimit të tyre me ujë të pijshëm. Për Durrësin dhe Kavajën kërkohet reduktimi i humbjeve, ndërtimi i depove dhe rrjetit shpërndarës për zonat rurale, shtimi i sasisë së ujit nëpërmjet burimeve shtesë nëntokësore apo sipërfaqësore etj.
E.Gj.
E.Gj.