Sheshi, Berisha: Urgjent zgjidhja e problemit të trafikut, Rama po bën eksperimente

“Emiri i kuvajtit iu përgjigj kërkesës sime për shtimin e fondit për sheshin “Skënderbej” edhe me 10 milionë euro”
Kryeministri Sali Berisha bëri thirrje sot për zgjidhje të menjëhershme të problemit të trafikut në sheshin “Skënderbej”. Duke e konisderuar si jetike qarkullimin e automjeteve në kryeqytetet, shefi i ekzekutivit i kërkoi ministrit të Punëve Publike, Sokol Olldashi, ndjekjen e kësaj cështje ndërsa i sugjeroi edhe një takim me kryebashkiakuan, përsa kohë ky i fundit po përpiqet të bëjë një eksperiment të rrezikshëm. Në mbledhjen e përjavshme të qeverisë, kryeministri Berisha lancoi vëmendjen e qeverisë ndaj kryeqendrës së Shqipërisë, duke premtuar angazhim institucional të ekzekutivit, për rikthimin e sheshit te qytetarët. “Duhet ulur me të dhe të diskutohet në mënyrën me serioze. Problemi i dytë që duhet diskutuar është zbatimi i ligjshmërisë. Përcaktimet e Intitutit të Trashëgimisë Kulturore janë të detyrueshme për bashkinë e Këshillin e Rregullimit të Territorit. Nuk mund të bëhet sheshi piramidë”, tha Berisha. Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha ka deklaruar gjithashtu se Kuvajti ka dyfishuar fondin për sheshin. “Në Kuvajt kërkova shtimin e fondit për sheshin. Sot jam njoftuar se Emiri i Kuvajtit ka vendosur të dyfishojë fondin për sheshin “Skënderbej”. Kuvajti do japë 10 milionë euro për sheshin”, tha Berisha. Kreu i qeverisë ka kërkuar që sheshi të trajtohet me seriozitet. Ai ka akuzuar më tej Ramën, se po bën eksperimente me trafikun, duke pranuar se ai nuk ka probleme me planin, por i vetmi shqetësim i tij është ai i trafikut. “Projekti i ri që përjashton sheshin nga trafiku do të zhysë në kaos total qarkullimin e trafikun në Tiranë. Eksperimentin e parë e bëri sot Rama. U krijua një bllokim i përgjithshëm, edhe pse e bëri në kundërshtim të specialistëve të qarkullimit rrugor. është absurde të mendosh se trafiku do zgjidhet nga unazat fiktive”, tha ai. Kreu i qeverisë theksoi se nuk mund të hiqet nga sheshi shtatorja e Skënderbeut. “Ndaj duhet diskutuar se ku do qendrojë në këtë projekt të ri monumenti i Skëndebeut”, nënvizoi Berisha. Ndër të tjera Berisha tha se në prag të sezonit turistik ka një papastërti alamante.
...