Ministri i Piramidave
Ministri i Financave të Shqipërisë po lejon me vetëdije një taktikë financiare banale, e cila synon të qarkullojë lekët nga një xhep i qeverisë në tjetrin për të rritur borxhin e brendshëm dhe duke u marrë dhjetëra herë më shumë lek nga xhepat qytetarëve përmes rritjes së çmimit të shërbimeve.
Për të dytën herë brenda një periudhe rreth njëvjeçare, qeveria shqiptare po nxjerr pare nga xhepat e qytetarëve shqiptarë, përmes veprimeve fallco të shitblerjeve të pasurive publike nga vetë ajo. Pak më shumë se një vit më parë, qeveria shqiptare, e cila ishte pronare e Hotel Dajtit, ribleu Hotel Dajtin përmes Bankës Qendrore të Shqipërisë, duke arsyetuar futjen në buxhet të rreth 30 milionë eurove. Banka Qendrore i ka shumë të përcaktuara detyrat e saj si institucion që përgjigjet për politikat bankare në vend, dhe financimi i veprimtarisë së saj bëhet po nga buxheti i shtetit. Kështu që në thelb blerja nga shteti prej shtetit e një hoteli, që është ende ashtu siç ka qenë, bile dhe më keq, ishte qartazi një mënyrë për të nxjerrë lekë nga një xhep dhe për ti futur në xhepin tjetër. E njëjta gjë po përsëritet me Hidrocentralin e Lanabregasit në Tiranë, i cili po blihet nga një kompani shtetërore, që është Ndërmarrja e Ujësjellës- Kanalizimeve, me pronar 100 për qind shtetin shqiptar, me qëllim që të nxirren fonde nga buxheti i shtuar i kësaj kompanie për qeverinë shqiptare. Nga ana e saj, kjo kompani ka dhjetëfishuar çmimin e ujit dhe gjobat ndaj qytetarëve me qëllim që të financojë këtë operacion që në thelb çon Lanabregasin nga Ministria e Ekonomisë tek Ministria e Transportit dhe Punëve Publike, dhe paret e plaçkitura të qytetarëve shqiptarë në xhepat e qeverisë.
Qeveria ka paralajmëruar dhe privatizime të tjera hidrocentralesh apo të Albpetrolit dhe shpreson se ato do të shiten deri në shtator, por nuk duhet të çuditemi se, nëse nuk shiten, kompani të mbetura shtetërore do të blejnë këto asete duke arsyetuar nxjerrjen e lekëve për buxhetin. Mund të ndodhë që Posta Shqiptare të jetë pronare e Albpetrolit ose Hidrocentralit të Shkopetit, apo Porti i Durrësit të jetë pronar i Albpetrolit. Kjo me sa duket është manovra e fundit financiare që Berisha po tenton të bëjë për të justifikuar nxjerrjen e pareve në treg, duke rritur realisht borxhin e brendshëm, i cili tashmë nuk ka më asnjë shans të llogaritet me këtë xhonglim paresh nga një xhep në tjetrin për të shtyrë krizën para zgjedhjeve.
Alarmi duket se është rritur dhe po të kemi parasysh se Berisha ka paralajmëruar ndryshimin e buxhetit në qershor, i cili pritet të ketë fatin e dy buxheteve paraardhës, atë të vitit 2010 dhe 2011, që u ndryshuan nga tre herë duke u ulur për shkak të rënies së të ardhurave.
Në këtë spirale që ka hyrë kriza financiare e qeverisë duket se ajo mund të mbijetojë vetëm nga ndonjë shitje reale e aseteve të fundit që ka lënë komunizmi në këtë vend, siç janë hidrocentralet e mëdhenj dhe ndoshta ndonjë pare xhepi nga Albpetroli. Por problemi nuk është nëse do të gjenden dhe aq pare sa të shkohet deri në dimër, por tek efektet e manovrave për fshehjen e borxhit. Manovra të tilla si kjo e Lanabregasit, përveçse janë banale, janë dhe të rrezikshme, pasi në thelb bazohen tek një sistem taksimesh të shtuar mbi qytetarët, bazuar tek shitja e shtrenjtë e shërbimeve ndaj tyre. Dhjetëfishimi i çmimit të ujit për të blerë ujë ka kuptim, por dhjetëfishimi i këtij çmimi që të paguajmë pare shtesë për qeverinë, që përkon me vlerën e një hidrocentrali, është grabitje. Po kaq e dënueshme dhe ende e pahetuar mbetet e drejta e Bankës Qendrore për ti dhënë qeverisë 33 milion euro për Hotel Dajtin dhe pas kësaj të mos e vërë në punë atë as si hotel dhe as si objekt zyrash. Më e pakta në këtë rast kemi të bëjmë me një keqmenaxhim formal të një investimi formal, që është çmimi që Fullani ka paguar për tu ribërë guvernator duke rritur në mënyrë ilegale borxhin e brendshëm të Shqipërisë. Një hetim penal ndaj këtij fenomeni mund të na shpëtonte së paku nga një guvernator i paaftë, edhe pse nuk mund ta ndalim dot rritjen e borxhit të brendshëm.
Një situatë e tillë katastrofike mund të përballohej nëse ngjallej besim nga personaliteti i një ministri Financash profesionist, i cili ndan politikën nga përgjegjësia që ka për krimin e fshehjes së borxhit të brendshëm dhe falimentimit të vendit. Sali Berisha nesër mund të thotë që këto shifra kisha në tavolinë dhe nuk e dija. Po ashtu mund të thotë dhe Nasip Naço kur ia shet hidrocentralin Sokol Olldashit. Por ministri i Financave, Ridvan Bode, nuk mund të thotë më si në vitin 1996, që nuk isha në dijeni për piramidat. Një ministër që e shikon nga mëngjesi në darkë me Gimen, Zamirin dhe një hordhi doganllarësh, nuk mund të qeverisë Shqipërinë me mendjen e plaçkitësve. Ndryshe nga viti 1996, ai po kthen në piramidë buxhetin e shtetit dhe financat publike, duke i hapur rrugë aventurave, të cilat mund ti japin disa muaj jetë qeverisë, por i shkurtojnë disa vite jetë ekonomisë shqiptare.
Manovrat për të fshehur borxhin e brendshëm dhe për të rritur taksat ndaj qytetarëve përmes shtrenjtimit të shërbimeve që janë ende në dorë të qeverisë, do të rrënojë edhe më tej fuqinë blerëse të qytetarëve, do mpijë dhe më shumë ekonominë shqiptare. Kjo do të na çojë edhe më shpejt tek pamundësia për të fshehur borxhin e brendshëm, i cili tashmë me siguri tejkalon të ardhurat e buxhetit të shtetit shqiptar, nëse do të vendosnim që qeveria të shlyente atë.
Ministri i Financave në këtë situatë bën një krim ndaj vendit të tij duke pranuar të heshtë si ushtar politik nën frikën se kryeministri e nxjerr nga politika në rrugë dhe pastaj nuk i flasin me gojë as sekserët që mban rrotull. Ky qëndrim prej zyrtari të paaftë dhe pa dinjitet profesional ka për të çuar më keq se në rrugë, nesër kur manovra e kalimit të lekëve nga një xhep në tjetrin do të dështojë pasi gjithë xhepat do të jenë të shpuar. Atëherë të gjithë do të kujtohemi se njeriu që lejoi piramidat nga paaftësia dhe servilizmi ndaj Berishës ne vitin 1996, sot po kthen në piramidë buxhetin e shtetit për të njëjtën arsye. Tek ky keqpërdorim i tij janë mbledhur bashkë paaftësia, mediokriteti, mungesa e fantazisë për të tejkaluar krizën, provincializmi, komplekset e njeriut të paaftë për të përballuar një debat publik për këtë çështje dhe mbi të gjitha, pafuqia e tij për të ndalur falimentimin e shtetit për hir të pushtetit. Kjo duket se është dhe kryearsyeja që ai është ende ministër Financash.
