E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulimi/Al-Kaeda konsideroi ndryshimin e emrit për të tërhequr myslimanët

11-05-2012 / Gazeta 55

Të shqetësuar për imazhin e tij dhe humbjen e kontrollit mbi rrjetin terrorist që funksioni në emrin e tij, udhëheqësi i vdekur i al-Kaedës, Osama bin Laden konsideroi riemërimin e grupit me një emër më të tingëllueshëm islamik. Sipas një letre të konfisuar në kompleksin e bin Ladenit në Abotabad një vit më parë e të bërë publike më 3 maj, propozimi i "ndryshimit të emrit" u shfaq ndërsa SHBA theksoi se lufta e saj ishte ndaj al-Kaedës e terroristëve dhe jo kundër pasuesve të Islamit. Emri i tanishëm i grupit i lejon SHBA-së e armiq të tjerë të al-Kaedës të pretendojnë "se nuk janë në luftë me Islamin e myslimanët," tha letra. Qendra e Luftës kundër Terrorizmit, që e botoi letrën mes 17 dokumenteve të tjera një vit pasi bin Ladeni u vra nga forcat e SHBA-së, tha se autori i "letrës për ndryshimin e emrit" nuk ishte i qartë. Por disa analistë, si Rohan Gunaratna, autor i librit Brenda al-Kaedës: Rrjeti botëror i terrorit, nuk ka dyshim se bin Ladeni ishte në dijeni se emri i al-Kaedës po bëhej jo i admiruar dhe "ai dëshironte një emër islamik që bën jehonë në botën myslimane". "Nëse nuk do të ishte vrarë, mund ta kishte ndryshuar emrin e al-Kaedës në një emër fetar", tha Gunaratna, gjithashtu kreu i Qendrës Ndërkombëtare për Dhunën Politike dhe Studimin e Terrorizmit, me qendër në Singapor. "Një vit përpara vdekjes së tij, e kuptoi se bota ka shkuar përpara, por al-Kaeda kishte mbetur ende në vend". Shumica e myslimanëve kanë një pikëpamje negative për grupin terrorist, sipas një sondazhi të Projektit të Qëndrimeve Botërore të Qendrës Kërkimore Pew, të nxjerrë më 30 prill. Sondazhi zbuloi se 98% e myslimanëve në Liban, 77% në Jordani, 73% e myslimanëve në Turqi e 71% në Egjipt kanë një opinion negativ për al-Kaedën. Gunaratna theksoi se al-Kaeda dështoi të përmblidhte imazhin e myslimanëve. "Bin Ladeni, Ajman Al Zavahiri e udhëheqës të tjerë në al-Kaeda e kuptuan se kishin dështuar," tha ai. Anëtari i parlamentit turk Ozkan Jeniçeri, një analist i terrorizmit në institucionin studimor me qendër në Stamboll, Instituti Turk i Shekullit 21-të, tha se al-Kaeda "ishte plagosur kaq keq gjatë viteve të kaluara "sa që grupi terrorist konsideroi ndryshimin e emrit të tij për arsye të marrëdhënieve publike. "Kjo është shumë e qartë për grupe terroriste të tilla kur e ndjejnë se po humbasin keq e nuk kanë asnjë vend ku të trainohen," tha ai, duke vënë në dukje se e njëjta gjë kishte ndodhur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), që përkohësisht ndryshoi emrin e saj në Kongresi i Lirisë e Demokracisë i Kurdistanit (KADEK) kur udhëheqësi i grupit Abdullah Oçalan u kap më 1999. "Ka dy arsye pas taktikës së ndryshimit të emrit," tha Jeniçeri. "Ata kanë për qëllim të shmangin të qenit shënjestër e hetuesve ndërkombëtarë, ndërsa gjejnë gjithashtu një shans të ri për të ndërruar mendjen e pasuesve të tyre". Megjithatë, tha Jeniçeri, "Al-Kaeda nuk ka të ngjarë të marrë ndonjë mbështetje nga bota myslimane, në rast të ndryshimit të emrit". "Duke qenë një popull mysliman, për shembull, populli turk beson thellësisht se al-Kaeda nuk u përket myslimanëve. Sapo populli ynë e kuptoi taktikën e propagandën e al-Kaedës, ata do të qëndrojnë përfundimisht kundër saj, pavarësisht sesi e quan veten grupi". Në letër, është gjithashtu një diskutim rreth emrave të rinj të mundshëm të al-Kaedës, duke përfshirë Grupi i Unitetit Mysliman ose Partia e Unifikimit Kombëtar Islamik. Çështja e ndryshimit të emrit të al-Kaedës është shfaqur të paktën dy herë në të kaluarën, sipas Zhan-Pol Ruje, një administrator operacional në Qendrën e Gjenevës për Trainimin e Analizën e Terrorizmit, një studiues për një kohë të gjatë i al-Kaedës në policinë federale zvicerane. Së pari, "mes 2000-shit e 2001-shit, kur Ajman al-Zavahiri shkriu grupin e tij me atë të al-Kaedës, duke i dhënë organizatës emrin Kaedat al-Xhihad". Një diskutim i dytë, thotë ai, ndodhi kur Abu Musa’b as-Suri nisi të sfidojë al-Kaedën si një organizatë, duke argumentuar se duhet të ndryshonte metodën e saj dhe të shndërrohej në një sistem. "Arsyeja pas mospranimit të udhëheqjes së al-Kaedës për të konsideruar idetë e propozimet e al-Surit, kishte të bënte me paaftësinë e qartë të tyre për të parë organizatën e tyre pa disa pika fizike ankorimi e terrene trajnimi", tha ai. For Aviv Oreg, një studiues veteran izraelit që mbuloi al-Kaedën për më shumë se një dekadë, ndryshimi i emrit të al-Kaedës "mbase [ishte] një nismë e anëtarëve të vendosur në nivelin e ulët e të mesëm të organizatës, sesa e vetë bin Ladenit". "Ma merr mendja se nismëtari i kësaj letre besonte se nëse al-Kaeda do të ngjyrosej me më shumë ngjyra fetare-islamike mbi ato laike-ushtarake, mund të nxiste mbështetje për organizatën nga salafistët - anëtarë të vëllazërisë muslimane - po ashtu", tha Oregu. "Nuk besoj se nisma e ndryshimit të emrit kaloi ndonjëherë fazën e një ideje ose propozimi të përgjithshëm". Një nga përpjekjet kryesore të al-Kaedës gjatë shtatë deri tetë viteve të fundit ishte të përhapte këtë emër e logo sa të ishte e mundur më shumë, kryesisht duke krijuar "al-Kaeda" rajonale. Që më 2004, u ngritën al-Kaeda në Irak, al-Kaeda në Jemen, al-Kaeda në gadishullin arabik, al-Kaeda në tokën e Kinanah dhe al-Kaeda në Magrebin islamik. "Ndyshimi i emrit do të detyronte ndryshime të të gjithë emrave të grupeve po ashtu," tha Oregu.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›