Ministri i Punës: “Punësimi i të rinjve, prioritet edhe në 2009-n”
Punësimi i të rinjve do të jetë një ndër prioritetet e Ministrisë së Punës për vitin 2009, pasi niveli i papunësisë për këtë kategori llogaritet të jetë mbi mesataren. Pra, nëse flasim për një papunësi 13.1 për qind në shkallë kombëtare, në moshat e reja ky nivel arrin në 22.6 për qind. Ministri i Punës, Anastas Duro, bën të ditur se gjatë vitit 2008, nga rreth 12 mijë punëkërkues të papunë të punësuar nëpërmjet zyrave të punës, 27 për qind kanë qenë të rinj. Sipas tij, një mundësi e mirë për të rinjtë e arsimuar është edhe pjesëmarrja në panairet e punës, ku ofertat për punë nga biznesi për këtë kategori janë të shumta. Problemi kryesor jo vetëm për të rinjtë, por në përgjithësi për të papunët, është, sipas ministrit Duro, mungesa e një profesioni dhe këtu synon ndërhyrja e politikave qeveritare. Duro deklaron se strukturat e Ministrisë së Punës gjatë këtij viti do të zbatojnë një program të përbashkët të financuar nga ILO në masën e 200 milionë lekëve për nxitjen e punësimit të kategorive të tilla si, të rinj, gra, të papunë të moshës mbi 45 vjeç etj.
Veliaj: “Shqiptarët po marrin barnat me listë”
Aktivistë të G99-s vizituan dje disa farmaci në kryeqytet që mbajnë lista borxhesh për kategoritë që nuk i përballojnë dot ndryshe medikamentet. Një kategori që është prekur nga ky fenomen janë pensionistët, të cilët me pensionet e pakta dhe sëmundjet e shpeshta të moshës e gjejnë veten në vështirësi dhe për pasojë dhe në listat e farmacive. Gjatë kësaj vizite, Veliaj bisedoi me farmacistët që i marrin emrat në listë me mirëbesim duke qenë se shpesh njerëzit që u kërkojnë ndihmë janë pjesëtarë të komunitetit dhe fqinjë si dhe me pensionistë të cilët treguan se me një pension prej 5000 lekësh duhet të harxhojnë 2000 lekë vetëm për ilaçe. Veliaj tha për mediat se, “argumenti më i mirë për rritjen ekonomike përtej demagogjisë boshe dyshifrore janë pikërisht këto lista të një fenomeni krejt të ri. Kishim dëgjuar për listat e ushqimeve dhe tani po dëgjojmë për lista akoma më të trishtuara, listat e borxheve për barnat që u nevojiten të sëmurëve”, - tha Veliaj.
14 Janar 2009