Të ardhurat nga taksat doganore drejt rënies, doganat humbasin 6.1 miliardë lekë
Ervin Koçi
Të ardhurat nga taksat doganore do të vazhdojnë trendin rënës të tyre gjatë periudhës 2009-2011, si rezultat i reduktimit të niveleve të tarifës doganore. Ky është parashikimi i qeverisë shqiptare që rrjedh nga zbatimi i angazhimeve tarifore të ndërmarra në Marrëveshjen e Ndërmjetme BE-Shqipëri, OBT, CEFTA, Marrëveshje e Tregtisë së Lirë me Turqinë. Reduktimet e këtyre tarifave me OBT-në do të jenë deri në fund të vitit 2009 dhe reduktimet thelbësore të MTL me BE-në, CEFTA-n dhe me Turqinë do të jenë më drastike gjatë viteve 2009-2011. Kështu, në vitin 2009, doganat shqiptare do të kenë një humbje prej rreth 6.1 miliardë lekësh, në vitin 2010 rreth 5.6 miliardë lekë dhe në vitin 2011 rreth 6.2 miliardë lekë krahasuar me 9.4 miliardë lekë gjatë vitit 2008. Gjatë parashikimit është marrë në konsideratë se efektet negative të reduktimit të tarifave do të kompensohen deri diku me rritjen e volumit të importeve nga këto vende, si rezultat i efekteve pozitive që do të sjellin politikat liberalizuese tarifore. Por krejt të kundërtën deklarojnë biznesmenët e import-eksportit, sipas të cilëve ritmi i zhdoganimeve po bie i ndikuar nga rënia e nivelit të konsumit. Sipas tyre, gjatë 3-mujorit të fundit të vitit 2008, efektet e krizës ekonomike globale janë thelluar në Shqipëri. Ekspertët e ekonomisë argumentojnë se tregues është rënia e eksporteve kombinuar me uljen e fuqisë blerëse, çka është shqetësuese për ekonominë.
Rënia e eksporteve
Eksportet kanë pësuar një rënie të ndjeshme dhe paralelisht me to është ulur edhe fuqia blerëse. Ekspertët e ekonomisë shprehen se këta tregues janë shqetësues dhe kërkojnë vëmendjen e qeverisë dhe të gjithë aktorëve të tjerë në treg. Rënia e ndjeshme e eksporteve ka çuar në një thellim të deficitit tregtar, tregues ky që sipas të dhënave të INSTAT-it në muajin tetor 2008 ka arritur nivelin alarmant të rreth 33 miliardë lekëve dhe në nëntor në rreth 30 miliardë lekë. Kjo shënon një rritje respektive prej 25 dhe 13 për qind kundrejt muajit shtator, periudhë kur filloi të shfaqej edhe kriza ekonomike globale.
Sipas ekspertëve, në këtë kohë kemi të bëjmë me luhatje shumë të mëdha të ritmit të eksporteve gjatë vitit 2008, sidomos gjatë 6-mujorit të dytë dhe me tendencë drastike rënëse gjatë 3-mujorit të fundit. Deficiti tregtar që ka Shqipëria për sa kohë që ne eksportojmë më pak sesa importojmë është thelluar ndjeshëm, rreth 25 për qind në krahasim me muajin shtator 2008. Ekspertët e ekonomisë argumentojnë se rënia e eksporteve dhe e fuqisë blerëse do të ndikojë në një ngadalësim të ritmeve të rritjes ekonomike të vendit, ashtu siç ka parashikuar edhe FMN-ja.
Marrëveshja CEFTA
Pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes me Bashkimin Europian, që u pasua me reduktim dhe heqje të tarifave doganore për shumë produkte nga BE-ja, si dhe nisjes së zbatimit të tregtisë së lirë me vendet e Ballkanit Perëndimor (CEFTA), në sistemin doganor shqiptar nisi një erë e re. Përmes funksionimit të një mekanizmit tarifor, prodhuesit vendas do të mund të importojnë lëndë të parë me tarifë doganore zero dhe të eksportojnë gjithashtu pa paguar doganë. Marrëveshja CEFTA synon të eliminojë një listë të gjatë marrëveshjesh dypalëshe duke i zëvendësuar ato në një marrëveshje të vetme. Analiza e shkëmbimeve tregtare me vendet e rajonit gjatë viteve të fundit dëshmon për një zhvillim tepër të shpejtë dhe me ritme shumë më të larta se me partnerët e tjerë tregtarë të Shqipërisë. Gjithsesi nuk duhet harruar se tregtia me rajonin përbën rreth 10 për qind të tregtisë së jashtme të Shqipërisë dhe duke filluar nga ky vit, 2 prej vendeve që mbulojnë mbi gjysmën e kësaj tregtie (Bullgaria e Rumania) janë anëtarë të BE-së e për pasojë do të jetë sërish edhe më e rëndësishme për sa i përket orientimit të tregtisë së jashtme.
BOX//////////////////////////////
Konkurrenca në tregje, BE-ja fond 3.4 milionë euro në ndihmë të SME-ve shqiptare
Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ose “SME”-të do të mbështeten këtë vit me një fond prej 3,4 milionë eurosh për të rritur konkurrencën në tregjet e huaja. Agjencia për Nxitjen e Investimeve të Huaja "Albinvest" do të nisë këtë vit zbatimin e programit "Ndihmë Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme për rritjen e konkurrencës në tregjet europiane dhe ndërkombëtare nëpërmjet nxitjes së sipërmarrjes dhe inovacionit", me fondin prej 3.4 milionë euro të dhëna nga Bashkimi Europian. "Ky program përfshin katër komponentë: krijimin e qendrës së inovacionit teknologjik, programin e trajnimeve për SME në funksion të ndërkombëtarizimit të tyre, ndihmën për hartimin e strategjisë për shërbimet e informacionit në Shqipëri dhe programin TAM, (Turn Around Menagement)", - tha drejtori i Departamentit të SME dhe Eksportit në "Albinvest", Gavril Lasku. Programi “TAM” përfshin ristrukturimin dhe këshillimin e ndërmarrjeve të mesme me probleme ekonomike, financiare dhe tregu, të cilat, nëpërmjet konsulencës, do të ristrukturohen me qëllim forcimin e bizneseve të tyre.
Shkurt////////////////////
Shqipëri-Itali, marrëveshje bashkëpunimi për teknologjitë agropërpunuese
Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar dhe Qendra Italiane e Teknologjisë Ushqimore e Umbrias në Itali synojnë të forcojnë bashkëpunimin mes tyre në fushën e teknologjive agropërpunuese. Presidenti i KASH-it Enver Ferizaj dhe Andrea Sisti, përfaqësuesi i kësaj Qendre, nënshkruan dje marrëveshjen e bashkëpunimit dypalësh në sektorin e teknologjive agroushqimore. Mbi bazën e kësaj marrëveshjeje, palët bien dakord të mbështesin aktivitetet projektuese e bashkëpunuese ndërkombëtare në sektorin e bujqësisë dhe ushqimit mes dy vendeve, shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave cilësore në fushën e kërkimit dhe studimit të teknologjive të reja që nxisin konkurrencën. Qendra italiane është specializuar në sektorin e cilësisë, të shërbimeve bujqësore, agroushqimore dhe ka një eksperiencë të gjerë në aktivitete kooperimi ndërkombëtare, duke tërhequr agronomë dhe specialistë të njohur në projektime dhe konsulenca në sektorët si bujqësia, zooteknika, pyjet dhe ambientalizmi.
Ankandi, BSH-ja nxjerr për shitje 3.2 miliardë lekë bono thesari
Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, zhvilloi dje, më datë 13.01.2009, ankandin e radhës për shitjen e bonove të thesarit të qeverisë. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në këtë ankand, Ministria e Financave ofroi për shitje bono thesari me maturim 3-mujor, me një total prej 3.2 miliardë lekësh, të cilat do të përdoren për Bankën e Shqipërisë dhe për bankat e nivelit të dytë.
14 Janar 2009