E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit, bllokohet procesi, mungojnë kuponët e pagesës



Jonida Tashi

Bllokohet procesi i aplikimit për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti. Shkak për këtë është bërë mungesa e kuponëve në sportelet e postës për të kryer pagesën prej 1200 lekësh. Për pasojë, gjatë ditës së djeshme, asnjë qytetar nuk ka mundur të sigurojë kuponët e pagesës për kartat. Burime nga zyra postare kanë bërë të ditur se për shkak të mungesës së kuponëve të pagesës për kartat e identitetit, edhe gjatë ditës së sotme nuk do të jetë e mundur pajisja e qytetarëve me to. Sipas Postës, kjo mungesë është krijuar për shkak të vonesave në furnizim.
Lidhur me këtë të fundit, burime nga zyra postare kanë shpjeguar se në zyrat postare nuk ka mbërritur ende furnizimi i ri me kuponët e pagesës. Posta bën të ditur se furnizimi me kuponët e pagesës pritet të vijë ditën e enjte, ndërkohë që shumë qytetarë shprehen të shqetësuar në lidhje me këto mungesa.
Qytetarët
Qytetarët që janë më tepër të interesuar për pajisjen me karta identiteti janë ata që kanë probleme me sigurimin e vizave në ambasadat e huaja. Mësohet se në zyrat e aplikimit në njësitë bashkiake ka vazhduar puna për ata qytetarë që arritën të sigurojnë kuponin ditën e parë të aplikimit. Ditën e hënë, Ministria e Brendshme u bëri thirrje qytetarëve t’u drejtohen zyrave postare për të bërë aplikimin për kartat e identitetit, duke përmendur edhe sanksionet që do të vendosen për të gjithë ata që nuk aplikojnë. Kështu, për të mos e lënë procesin e pajisjes me karta, në kuadrin e një procesi fakultativ, Ministria ka vendosur që në rast mosaplikimi nuk do të jetë e mundur tërheqja e pagave mujore, pensioneve, madje do të pengohet edhe dalja jashtë vendit. Të frikësuar nga sanksionet e paralajmëruara dhe duke iu përgjigjur thirrjes së Ministrisë, qytetarët kanë rendur për të bërë pagesën në sportelet e postës, pa e ditur se nuk do të mbaronin punë. Në ditën e parë të aplikimit, që ishte dita e hënë e kësaj jave, Posta deklaroi vetëm që mbaruan kuponët, pa i njoftuar qytetarët se ky problem do të vazhdonte edhe për dy ditë të tjera. Për këtë arsye, qytetarët janë drejtuar edhe gjatë ditës së djeshme në zyrat postare, nga ku kanë mësuar se nuk ka ardhur ende furnizimi i ri me kuponë.
Zhvendosja
Në ditën e dytë të procesit të aplikimit për kartat e identitetit, fluksi i qytetarëve është zhvendosur pranë njësive bashkiake, ku janë hapur dhe zyrat përkatëse për aplikim. Njoftimi i Postës, i cili thotë se kuponët do të rifillojnë të shpërndahen sërish ditën e enjte, i ka kthyer mbrapsht të gjithë qytetarët, që janë paraqitur në zyrat postare në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Ndërkohë, i vetmi problem për qytetarët, që kanë blerë kuponët një ditë më parë, ka qenë radha e gjatë dhe disa orë pritje, për të hyrë në zyrat e gjendjes civile. Përsa i përket aplikimit, ai zgjat vetëm disa minuta. Aplikimi fillon me plotësimin e një formulari, me marrjen e shenjave të gishtërinjve dhe përfundon me fotografinë. Një qytetareje i janë dashur vetëm shtatë minuta për të aplikuar, ndërkohë që pas dy javësh asaj i duhet të kthehet në njësinë bashkiake ku ka aplikuar për t’u pajisur me kartën e saj të identitetit. Aplikimi për pajisjen me kartat e identitetit nisi ditën e parë të kësaj jave, ku vetëm në Tiranë aplikuan rreth 4 mijë qytetarë. Mbarimi i kuponëve në kohë rekord, që në orët e para të mëngjesit të ditës së hënë, bëri që në zyrat postare të kishte një fluks të madh njerëzish.

14 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›