Qendra e të alkoolizuarve, ngelet pezull vendimi për hapjen e saj
Emanuela Sako
Të alkoolizuarit mbeten ende pa një “strehë” për trajtimin dhe rehabilitimin e tyre. Qendra e të Alkoolizuarve në QSUT, që duhet të kishte 7 muaj në gjendje pune, aktualisht nuk pret asnjë pacient. Ndërkohë që stafi mjekësor është në punë, por pa asnjë pacient. Ky paradoks ka ndodhur për mungesë të një vendimi nga Drejtoria e QSUT-së për funksionin e vërtetë që duhet të ketë kjo qendër. Qendra e të Alkoolizuarve ndodhet në ish-ndërtesën e Urgjencës së Psikiatrisë në QSUT, e cila u restaurua dhe u krijuan ambientet për pritjen e të alkoolizuarve. Ndërsa pacientët e parë duhet të ishin rehabilituar që në muajin korrik kur duhet të kishin filluar nga puna. Aktualisht, personeli mjekësor gjendet çdo ditë në ambientet e qendrës dhe paguhet nga Drejtoria e QSUT-së, por Drejtoria nuk u ka dhënë të drejtën e fillimit nga puna.
Problematika
Burime nga Drejtoria e QSUT-së bëjnë të ditur për gazetën “Albania” se procesi i hapjes së qendrës ka hasur disa pengesa. Një ndër këto pengesa është se qendra nuk i plotëson të gjitha kapacitetet për të pritur të alkoolizuarit, pasi ambientet e saj janë tepër të vogla. Një arsye tjetër është se Qendra e të Alkoolizuarve duhet të jetë bashkë me Pavijonin e Toksikologjisë, ambientet e të cilit ndodhen pranë Spitalit Ushtarak. Ndërsa ka kaluar në varësinë e Drejtorisë së QSUT-së dhe paguhet prej saj. Por, për t’i bërë bashkë këto dy shërbime mungojnë ambientet. Kështu, Qendra e të alkoolizuarve ngelet jashtë funksionit dhe shpenzimet që janë bërë në të duket se “janë hedhur sa për sy e faqe”. Funksionimi i Qendrës bie në kundërshtim edhe me shefin e Shërbimit të Psikiatrisë, Anastas Suli, i cili pretendon se të alkoolizuarit nuk mund të qëndrojnë bashkë me pacientët me probleme mendore. Godinat janë fare pranë me njëra-tjetrën dhe pothuajse lidhen me një oborr të përbashkët.
Arsyet
Psikiatri Suli, pak kohë më parë ka deklaruar se nuk ka qenë asnjëherë dakord me rehabilitimin e ish-urgjencës së Psikiatrisë në qendër trajtimi për të alkoolizuarit. Ai kërkoi nga Ministria e Shëndetësisë largimin e shërbimit për trajtimin e të alkoolizuarve. Sipas tij, të sëmurët që kanë probleme të shëndetit mendor nuk mund të qëndrojnë pranë dhe të vëzhgojnë të alkoolizuarit. Kjo do të jetë në dëm të pacientëve nga të dyja palët. Por, një çështje tjetër tepër problematike është mënyra e trajtimit që do t’u bëhet të alkoolizuarve nga stafi mjekësor. Sipas Sulit, stafi mjekësor për të alkoolizuarit përbëhet nga 6 persona, ku dy janë mjekë specialistë dhe pjesa tjetër infermier. Për Sulin kjo pjesë e stafit nuk mund të mbulojë punën me turne që mund të bëhet në këtë qendër. Për këtë arsye, të alkoolizuarit nuk do të jenë nën mbikëqyrjen e mjekëve gjatë gjithë kohës. Dy godinat janë mjaft pranë njëra-tjetrës dhe shumë pak metra oborr i ndajnë hyrjet e tyre.
14 Janar 2009