Ministri i Punës: ”Shërbimet publike të punësimit, sipas standardeve të BE-së”
Shërbimet publike të punësimit në vend duhet të jenë më efikase, në mënyrë që të arrihen standardet e Bashkimit Europian. Kështu ka deklaruar ministri i Punës, Anastas Duro, në takimin e 8-të rajonal të Organizatës Botërore të Punës (ILO) në Madrid. “Prioritet do të jetë rritja e efektivitetit të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, në mënyrë që të arrihet, hap pas hapi, në standardet e Shërbimeve Publike të Punësimit të Bashkimit Europian”, - tha ministri. Nisur nga rëndësia që ka përshtatja e legjislacionit kombëtar të punës me standardet ndërkombëtare, ministri Duro u shpreh se ka ardhur koha për rishikimin e Kodit të Punës në Shqipëri, për të cilin kërkojmë asistencë nga ILO. Takimi i 8-të pesëditor Rajonal i Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), ka pritur 51 delegacione trepalëshe nga vendet e Europës dhe Azisë Qendrore. Ky takim që mbahet çdo 4 vjet po merr në shqyrtim masat e përbashkëta të ndërmarra nga qeveritë e rajonit për përballimin e krizës financiare dhe ekonomike dhe trajtimin e çështjeve që lidhen me dialogun social etj.
14 Shkurt 2009