E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtuesit japin alarmin: “Jemi në krizë, qeveria të na ndihmojë me masa konkrete”

Mosdhënia e kredive nga bankat bllokon sektorin e ndërtimit. Aktivi Kombëtar i Shoqatës së Ndërtuesve konstaton problemet

Ervin KOÇI

Biznesmenët dhe përfaqësuesit e sektorit të ndërtimit në Shqipëri kanë dhënë alarmin se kjo pjesë e industrisë shqiptare ka hyrë në kolaps. Gati që të gjithë përfaqësuesit e Shoqatës së Ndërtuesve shqiptarë kanë qenë në një zë në deklarimet e tyre se sektori i tyre tashmë është prekur nga kriza dhe pasojat pritet të rriten sipas tyre në të ardhmen. "Pasojat indirekte të krizës ekonomike globale kanë filluar të ndihen. Mbi 700 shoqëri ndërtimi nga 2500 të regjistruara në shkallë vendi nuk kanë kryer asnjë lek xhiro",- u shpreh kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Luigj Aleksi. Në takim u evidentuan edhe një sërë shqetësimesh, që lidhen me kreditimin, zgjatjen e afatit të licencimit, fiksimin e centralizuar të çmimeve të proceseve të punës në ndërtim, materialeve të ndërtimit, mbi bazën e të cilave përcaktohen detyrimet tatimore. Në kuadër të koordinimit të punës, përfaqësues të ndërtuesve njoftuan bashkimin në një të vetëm të zërit të biznesit, duke krijuar "Biznes Albania", ku do të aderojnë të gjithë shoqatat e biznesit. Ndërkohë, gjatë takimit u ra dakord dhe për krijimin e një grupi pune, që do të hartojë një paket masash antikrizë, të cilën do t'ia paraqesë qeverisë. Sektori i ndërtimit është një ndër sektorët që ka njohur zhvillimin më të madh në ekonominë shqiptare të viteve të tranzicionit. Kompanitë e ndërtimit ushtrojnë një aktivitet, i cili për nga volumi i qarkullimit që realizon arrin në mbi 1.2 miliardë euro në vit.

Apeli për qeverinë

Ndërtuesit i kanë bërë apel qeverisë që të reagojë me masa konkrete ndaj krizës globale, efektet e së cilës po ndihen në këtë sektor. Ata kanë kërkuar qartë që qeveria të tregohet realiste duke ndihmuar sipërmarrjen private me masa konkrete. Sipas kreut të Ndërtuesve, Aleksi, “përballë një realiteti të tillë çdo shfaqe euforie do të tingëllonte e pakuptimtë, prandaj ne kërkojmë që qeveria të bëjë ç’është e mundur për të amortizuar valën goditëse të krizës globale financiare ekonomike në ekonominë tonë”.
Ndërtuesit i kërkojnë qeverisë të ndryshojë ligjin për prokurimet pasi sipas tyre i mban kompanitë shqiptare jashtë tenderëve ndërkombëtare. Ndërtuesit thonë se 65 e shoqërive në këtë sektor gjatë vitit 2008 nuk u regjistruan pasi qeveria për shkak të kritereve të reja, u dha ndërtuesve pak kohë në dispozicion për plotësimin e tyre. Ndërtuesit kanë vënë sërish në dukje marrëdhënien e vështirë me qeverinë, duke i bërë apel kësaj të fundit bashkëpunim. Shoqata e Ndërtuesve ka kërkuar rishikimin e disa vendimeve të Këshillit të Ministrave, si ai për fiksimin e çmimeve për materialet e ndërtimit, përcaktimin e detyrimeve tatimore mbi bazën e këtyre çmimeve, pagat e referencës e të tjerë.

Bien shitjet

Përfaqësuesit e Shoqatës së Ndërtuesve kanë deklaruar gjatë Aktivit Kombëtar se ky sektor ndodhet në vështirësi për shkak të rënies së fuqisë blerëse dhe mungesës së likuiditetit, që ka ardhur edhe si pasojë e kujdesit që po tregojnë bankat në kreditim. Kreu i Ndërtuesve, Luigj Aleksi, u shpreh se “sektori i ndërtimit dhe tregu imobiliar po ballafaqohen me vështirësi të ndjeshme, ku për shkak të rënies së kërkesës konsumatore, vihet re një rënie e theksuar e shitjeve. Në bazë të të dhënave janë mbi 4 mijë banesa ende të pashitura”. Ndërtuesit shprehen se pritet një ulje e kërkesës për blerjen apartamentesh, edhe pse javët e fundit shumë qytetarët, duke qenë të pasigurt nga kriza ekonomike globale, po investojnë në blerje të pasurive të patundshme, një dukuri që sipas firmave të ndërtimit do të jetë e përkohshme. Prekja e ndërtimit nga kriza do të ndihet në ekonominë e vendit, pasi bëhet fjalë për një ndër sektorët kryesorë, me një ndikim rreth 23 për qind në produktin e brendshëm bruto. Ndërtuesit fajësojnë sistemin bankar që u ka tkurrur kredinë duke u shkaktuar probleme serioze me likuiditetin. Ndërtuesit thonë se gati 1 në 4 kompani ndërtimi nuk ka kryer asnjë lekë xhiro vitin e kaluar, megjithëse në total ky sektor regjistroi një volum prej mëse 1,2 miliardë eurosh.

Çmimet referencë, ndërtuesit janë kundër qeverisë

Ndërtuesit kanë kundërshtuar edhe vendimin e qeverisë për vendosjen e çmimeve të referencës për lëndët e para në këtë sektor për projektet e infrastrukturës. Ata deklarojnë se ky vendim është në kundërshtim me rregullat e tregut të lirë, ku çmimet përcaktohen nga ofertë-kërkesa dhe nuk imponohen. Ndërtuesit deklarojnë se çmimet e referencës janë vendosur në mënyrë arbitrare nga Ekzekutivi, pa marrë parasysh mendimin e tyre.
Ndërtuesit i tremben faktit se qeveria dhe administrata tatimore, duke shfrytëzuar vendime të tilla, mund të zbatojnë çmimet e referencës edhe për ndërtimet private, siç janë pallatet. Në këtë rast, kostot do të ishin të mëdha, pasi do të shoqëroheshin me rritje të mëtejshme të çmimit të shitjes së banesave.

14 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›