LSI-ja i hap rrugë miratimit të buxhetit të Bashkisë së Tiranës
Emanuela Sako
Hapet drita jeshile për buxhetin e Bashkisë së Tiranës. Kryetari i Këshillit Bashkiak dhe përfaqësues i LSI-së, Sokol Dervishaj, i hapi rrugë miratimit të këtij buxhetit. Dokumentacioni i plotë, që përmban të detajuar buxhetin, është dorëzuar ditën e djeshme pranë zyrës së prefektit të Tiranës për shqyrtim dhe firmë. Duket se loja politike mes forcave të ndryshme mori fund, për t’u hapur rrugë investimeve. Në këtë mënyrë, Lëvizja Socialiste për Integrim ka ndryshuar qëndrim ndaj buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2009 dhe në heshtje zyrtare ka dhënë miratimin e këtij dokumenti të rëndësishëm për zhvillimin e kryeqytetit.
Firmosja
Kryetari i Këshillit Bashkiak, Dervishaj, ka udhëzuar me shkrim nënkryetarin e Këshillit, Petraq Simo, që të firmosë kalimin e buxhetit të Bashkisë, i cili më pas i është dërguar për shqyrtim prefektit të Tiranës, Ruzhdi Keçi. “Sot pranë prefektit të qarkut Tiranë ka ardhur, sipas procedurës ligjore, vendimi i Këshillit Bashkiak për miratimin në parim të buxhetit. Ai sot ka ardhur me firmën e nënkryetarit të autorizuar me shkrim me firmën e kryetarit. Rrjedhimisht unë nënkuptoj firmën e kryetarit të Këshillit në këtë vendim dhe nga pikëpamja procedurale vendimi është pranuar në Prefekturë”, - tha Keçi. Tashmë i takon prefektit ta shqyrtojë përfundimisht buxhetin, por këtë herë duket se nuk do të ketë kontestime.
Buxheti
Pas peripecive të shumta dhe konstatimeve të forta që u bënë për buxhetin e këtij viti, gjithçka përfundoi në favor të Bashkisë dhe të qytetarëve të Tiranës, pasi mbajtja peng e buxhetit po bllokonte punën dhe po rrezikonte afatet e përcaktuara për ndërhyrjen në disa sektorë të posaçëm. Buxheti i vitit 2009 për Bashkinë e Tiranës u votua 3 herë, por 2 herët e para nuk gjeti konsensusin e palëve. Ndërsa herën e tretë arriti të kalojë me 29 votat e nevojshme. Dervishaj e konsideroi të pavlefshëm votimin për shkak se nuk u numëruan votat kundër dhe abstenim. Ndërsa për kryetarin e Bashkisë buxheti kishte marrë miratimin e shumicës së anëtarëve të Këshillit.
Projektbuxheti i Bashkisë së Tiranës, i përcaktuar për vitin 2009, parashikon ndryshimin e Tiranës në të gjitha zonat. Buxheti i Bashkisë parashikon ndërhyrje në të gjithë problematikën me të cilën hasen çdo ditë qytetarët. Ekspertët e Bashkisë së Tiranës kanë detajuar ndërhyrjet që do të bëjë Bashkia dhe shumën e akorduar për çdo sektor. Kryeqyteti do të preket nga ndryshime të mëdha përgjatë gjithë territorit, që është përcaktuar nga vetë qytetarët. Buxheti i Bashkisë për vitin 2009 arrin në shifrën 7.6 miliardë lekë, që është menduar të shkojnë për shpenzime operative dhe kapitale për të gjitha programet e përfshira.
Bonusi, Bashkia nuk ka filluar shqyrtimin e emrave në Këshillin Bashkiak
Bashkia e Tiranës nuk ka filluar ende nga shqyrtimet e dokumenteve të qytetarëve që kanë aplikuar për bonus qiraje. Shkak për këtë janë bërë pengesat për votimin e buxhetit të këtij viti. Janë dhjetëra qytetarë që qëndrojnë në pritje të përfitimit të bonusit, pavarësisht pakënaqësisë që kanë me vlerën e ofruar nga Bashkia. Nga rregullorja më e fundit e Bashkisë së Tiranës, përfituesit e vetëm të bonusit të qirasë janë të gjithë ata banorë që u janë prishur shtëpitë nga zbatimi i projekteve të bashkisë. Burime zyrtare nga Bashkia e Tiranës sqarojnë se përsa i përket bonusit të qirasë, janë ndërprerë procedurat për aplikimet deri në momentin e miratimit të një sistemi të ri pikëzimi për këtë program. Bonuset që do të japë Bashkia në këtë periudhë janë për ata banorë që u janë prishur shtëpitë për ndërtimin e rrugëve, apo projekteve të tjera të rëndësishme dhe kanë mbetur të pastrehë. Kjo do miratohet nga Këshilli Bashkiak, jo më si sistem pikëzimi, por thjesht si subvencionim apo ndihmë që jep bashkia. Me miratimin e sistemit të ri të pikëzimit për këtë program do të fillojë lajmërimi për aplikimet për bonusin e qirasë për të gjithë qytetarët që janë të interesuar dhe që iu takon të përfitojnë nga ky subvencionim. Të gjithë banorët që do të përfshihen nga projektet e rregullimit të territorit të Tiranës mund të drejtohen pranë bashkisë, e cila do t’u japë atyre një shumë të caktuar të ardhurash për të përballuar qiratë.
Ligji antiduhan, strukturat shëndetësore janë të pakënaqura nga zbatimi i tij
Autoritetet shëndetësore janë të pakënaqura nga zbatimi i ligjit antiduhan, i cili nuk mundi të ndalohej në ambientet publike.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, theksoi se për të pasur rezultate të kënaqshme në zbatimin e këtij ligji duhet të ndryshojë mentaliteti i qytetarëve, të cilët duhet të ndërgjegjësohen për të mos e konsumuar pirjen e duhanit në ambientet publike. ”Ligji siguron bashkëjetesën e duhanpirësve dhe joduhanpirësve, por të moskuptuarit mirë dhe si duhet në mentalitetin tonë, çon në suprimimin e së drejtës së tjetrit”, - u shpreh Ivanaj. Sipas tij, mentaliteti është komponent shumë i rëndësishëm, duket se nuk përçohet si duhet nga shoqëria civile.
Ivanaj theksoi se ligji i duhanit nuk synon represionin, dënimin e asnjë duhanpirësi dhe as joduhapirësi, por ndalimin e kushteve të të pirit duhan. Strukturat shëndetësore shprehen se të dhënat e para flasin për një tendencë në rënie të duhanpirjes. Në këta tregues duket se ka ndikuar rritja e çmimit të cigareve, një ndër masat e propozuara nga specialistët e shëndetësisë. “Është vënë re dhe në vende të tjera si Italia, Franca etj., që rritja e çmimit të duhanit shkon në mënyrë të drejtpërdrejtë me atë të uljes së duhanpirjes. Ky është një mekanizëm i vënë tashmë në zbatim, dhe të dhënat e para flasin për një trend në ulje të duhapirjes”,- deklaroi Ivanaj. Sipas tij, ligji ka nevojë për ndryshime, pasi disa artikuj të përfshirë në të janë ndryshuar, siç janë faktorët e monitorimit (Policia Financiare). Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik nisën në muajin tetor të vitit të kaluar programin e ri sensibilizues për popullatën, në zbatim të ligjit antiduhan. Sipas ISHP-së, kjo fushatë është konceptuar si një aleancë e madhe me popullatën shqiptare, që mbron të drejtat e veta kundrejt duhanit.
Sipas të dhënave nga ISHP-ja, në vendin tonë janë meshkujt që dominojnë, ndërsa në Perëndim raporti është i barabartë midis meshkujve dhe femrave duhanpirës. Të dhënat tregojnë se në vend duhanpirja është në fazën e parë të epidemisë dhe numrin më të lartë e zënë meshkujt, rreth 50% e tyre.
14 Shkurt 2009