E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura Shtetërore, me sa pikë do të vlerësohet mesatarja e shkollës së mesme



Jonida Tashi

Mesatarja do të zërë 20 për qind të pikëve të përgjithshme në provimet e Maturës. Ky fakt konfirmohet zyrtarisht nga Ministria e Arsimit. Burime nga kjo ministri bëjnë të ditur se pesha e mesatares në provimet e Maturës Shtetërore nuk ka ndryshuar. Ajo do të zërë 20 për qind të rezultatit të përgjithshëm të maturantëve, ashtu si edhe në 3 vitet e fundit. Megjithëse një vit më parë vlerësimi i mesatares me kaq pikë u kontestua nga mjaft maturantë, pasi sipas këtyre të fundit, të drejtën e studimit e fituan edhe shumë nxënës me mesatare të ulët, Ministria ka vendosur të mos e ndryshojë peshën e mesatares edhe këtë vit. Për pasojë, për t’u shpallur fitues për në universitet, maturantët duhet t’ kushtojnë më shumë rëndësi pikëve të marra në provime, pavarësisht mesatares që kanë.
Pikët
Testet e dy provimeve me detyrim të Maturës, Gjuhë-Letërsi dhe Matematikë, do të kenë secili nga 25 pyetje, nga të cilat 13 me alternativa dhe 12 me zhvillim. Në total, një maturant duhet të marrë maksimumi 50 pikë për çdo provim të detyruar. Kurse testet e provimeve me zgjedhje të Maturës do të përmbajnë për secilën lëndë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje me përgjigje alternative (10 pikë) dhe 10 pyetje me përgjigje me zhvillim (30 pikë). Në total një maturant duhet të marrë maksimumi 40 pikë për çdo provim me zgjedhje. Matura Shtetërore përbëhet nga katër provime: dy të detyruara dhe dy me zgjedhje. Të gjitha provimet zhvillohen me shkrim dhe në ditë të ndryshme (dy provimet me zgjedhje zhvillohen në të njëjtën ditë). Provimet e detyruara të Maturës Shtetërore i jep çdo nxënës që ka përfunduar vitin e fundit të shkollës së mesme 4 dhe 5-vjeçare. Ndërsa nxënësit mbetës në provimet e detyruara kanë të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë (vjeshta). Për nxënësit kalues në provimet e detyruara dhe që dëshirojnë të vazhdojë shkollën e lartë publike është e domosdoshme të japin edhe provimet me zgjedhje.
Përqindja
Pikët që të kualifikojnë për në shkollë të lartë përbëhen nga pesë komponentë, të cilët janë: mesatarja e shkollës së mesme, dy provimet me detyrim dhe dy provimet me zgjedhje. Specialistët e arsimit kanë përcaktuar se sa për qind të pikëve të përgjithshme të një maturanti do të zërë secili prej pesë komponentëve. Kështu, sipas tyre, të pesë komponentët e mësipërm të Maturës do të vlerësohen me 20 për qind të pikëve të rezultatit të përgjithshëm. Për shkollat e mesme profesionale social-kulturore, përqindja e notave të provimeve të detyruara (D1 dhe D2) do të jetë e ndryshme nga ajo e shkollave të mesme të përgjithshme. Në shkollat profesionale, Letërsia do të ketë 15 për qind të peshës së pikëve të Maturës, kurse Matematika 25 për qind. Në shkollat social-kulturore (përjashtuar shkollat pedagogjike), Matematika do të ketë 15 për qind të peshës së pikëve të Maturës, ndërsa Gjuha shqipe dhe Letërsia 25 për qind. Maturantët e shkollave profesionale do ta ndajnë 40 përqindëshin e provimeve të detyruara, sipas profilit (social a natyror), sipas përqindjeve të mësipërme.

Përqindja e pikëve

Mesatarja e shkollës së mesme (20%)
Provimi 1 i detyruar (D1, Gjuhë-Letërsi, 20%)
Provimi 2 i detyruar (D2, Matematikë, 20%)
Provimi 1 me zgjedhje (20%)
Provimi 2 me zgjedhje (20%)

MASH: Tekstet e huaja, alternativë në tregun e librit

Gjimnazistët e viteve të para do të kenë mundësinë të mësojnë me tekste të huaja. Për herë të parë Ministria e Arsimit shpall këtë vit risinë e adaptimit të librave shkollorë nga vende të ndryshme europiane. Sipas ministrit të Arsimit, Fatos Beja, këto tekste do të përkthehen dhe do të futen si tekste alternative në tregun e librit shkollor. Gjatë bërjes publike të njoftimit për tekstet e huaja, ministri i Arsimit Beja, ka publikuar edhe ndryshimet e Maturës Shtetërore. Sipas tij, në maturën e këtij viti, risi pozitive do të jetë e drejta e rivlerësimit të testeve të provimeve, rezultati i të cilave kundërshtohet nga maturantët. Nisur nga problemet e vitit të shkuar me Akademinë e Arteve dhe Edukimit Fizik, kandidatët që duan të regjistrohen vetëm në fakultetet e tyre nuk janë të detyruar të japin provimet me zgjedhje. Më tej, kreu i Arsimit ka reaguar edhe për diplomat e studimeve 3-vjeçare, duke thënë se në asnjë vend të botës dokumenti nuk lëshon titullin, por fushën e studimit. Ndërsa përsa i përket simboleve të diplomës, Beja ka deklaruar se ato janë të pranishme në të gjitha vendet e Europës.

14 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›