Ministri i Shëndetësisë, deputet i LSI-së, bën apel për fillimin e punës për reformën zgjedhore
Ministri i Shëndetësisë, deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, u ka bërë thirrje dje partive politike që të fillojnë punën për realizimin në kohë të reformës zgjedhore. Sipas Vasilit, të gjitha partitë, në fillim të sesionit parlamentar duhet të kenë kryefjalë të punës së tyre realizimin e reformës zgjedhore duke përmirësuar Kodin Zgjedhor mbi bazën e sugjerimeve dhe rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Më tej, në një intervistë për gazetën “Albania”, Vasili thekson se nuk mund të shkohet në zgjedhjet e ardhshme vendore pa bërë ndryshime në Kodin Zgjedhor, pasi, sipas tij, do të ketë përsëritje të së njëjtës retorikë politike për manipulime dhe parregullsi. Përsa i përket përgatitjes për zgjedhjet vendore dhe negociatave me PD-në për ndarjen e bashkive dhe të komunave, Vasili bën të ditur se është ende herët për të nisur negociatat dhe se prioritet është reforma zgjedhore. Ai thekson se pas realizimit të reformës do të nisin negociatat politike me PD-në për zgjedhjet vendore. Përsa u përket zërave për ndryshime në qeveri, ministri mendon se nuk ka vend për një diskutim të tillë për shkak se qeveria ka përmbushur objektivin parësor të saj, që është liberalizimi i vizave, vendim ky që pritet të bëhet realitet sa më parë. “Duke parë zhvillimet politike dhe rolin e veçantë që kanë zgjedhjet dhe standardet e tyre, Lëvizja Socialiste për Integrim ngre edhe njëherë sot, me të njëjtin shqetësim, çështjen e reformës zgjedhore. E gjithë politika ka konsumuar me qindra deklarata, ka shpërthyer me një patos të jashtëzakonshëm për nevojën e standardeve gjithmonë e më të mira zgjedhore, por ai që është momenti krucial që demonstron vullnetet e mira e që ka të bëjë me arritjen e këtyre standardeve dhe që është reforma zgjedhore, këtij impenjimi, konstatojmë që po i shmangen në mënyra të ndryshme. Ne jemi këtu për të bërë apel edhe njëherë dhe për të vazhduar të vihemi në dispozicion, në vend të parë, për atë që ka qenë gjithmonë si kredo e LSI-së, për mbajtjen e zgjedhjeve më të mira dhe me standarde më të larta, për të filluar sa më parë reformën zgjedhore”, - është shprehur Vasili. Më tej ai ka shtuar se sesioni i ri parlamentar duhet të fokusohet pikërisht në këtë reformë. “Besojmë se sezoni i ri politik, i cili normalisht starton në shtator, duhet të ketë si kryefjalë të tij nisjen e punës intensive për një reformë zgjedhore sa më të mirë, duke nisur punën me sugjerimet që kanë ardhur nga ndërkombëtarët në raportin e bërë publik pas zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR-i. Zgjedhjet duhet të sigurojnë parametra të tjera, parametra të një Shqipërie që duke qenë tashmë një vend europian dhe ku qytetarët do të lëvizin lirshëm në Europë, sigurisht që duhet të ketë dhe zgjedhjet që meriton. Ndaj konkludojmë se koha e deritanishme është humbur dhe shpërdorur, dhe nuk ka më minuta kohë për të humbur. Të gjitha partitë duhet të ulen në tavolinën e bisedimeve të thella dhe reflektimeve, dhe çdo shmangie nga kjo, apo klithmë demagogjike për përmirësime zgjedhjesh, pa përmirësuar ligjin zgjedhor dhe pa reflektuar rekomandimet e ndërkombëtarëve dhe çdo gjë që nuk ka shkuar mirë në zgjedhje, besojmë se këto mbeten vetëm klithma demagogjike që nuk kanë të bëjnë me thelbin apo me shqetësimin për të pasur zgjedhje më të mira në Shqipëri. Si përfundim, LSI-ja e ka shumë të qartë se cilat do të ishin përmirësimet e ndryshme që mund t’i bëhen Kodit Zgjedhor, të cilat nuk lëvizin thelbin e tij; ka të gjithë grupin e ekspertëve të domosdoshëm për ta bërë këtë gjë, për ta ofruar këtë në tryezën e bisedimeve, por edhe njëherë e theksoj, duhet vullneti politik për ta shikuar drejt e në sy dhe seriozisht këtë problem, i cili nuk duhet shtyrë asnjë sekondë më shumë”, - është shprehur Vasili në apelin e tij.
Është bërë e ditur pak kohë më parë se LSI-ja ka gati një draft për përmirësimet në Kodin Zgjedhor. A mund të thoni cilat janë pikat kryesore të këtij drafti?
Gjithçka duhet të diskutohet në tavolinë. Ne kemi vërejtjet e OSBE/ODIHR-it. Të gjithë i kanë vënë re defektet e Kodit dhe janë në dijeni të pikave që duhen përmirësuar. Ne mbështesim rekomandimet e bëra në raportin e OSBE/ODIHR-it; sigurisht kemi dhe vërejtjet tona që do t’i bëjmë publike në tryezën e bisedimeve. Ne bëjmë thirrje të ulemi, të bisedojmë dhe ta përmirësojmë këtë kod. Ky është thelbi.
Përsa u përket zgjedhjeve vendore, a kanë filluar negociatat me Partinë Demokratike për ndarjen e bashkive dhe komunave?
Nuk ka ende negociata me PD-në për zgjedhjet vendore. Por, në lidhje me taktikën dhe mënyrën e konkurrimit që do të ndjekë LSI-ja, e gjitha kjo do të jetë objekt diskutimi dhe debati në forumet e LSI-së. Sigurisht, do të shprehen forumet për këtë gjë në kohën e duhur dhe në përputhje me datën e dekretuar nga Presidenti i Republikës për zhvillimin e zgjedhjeve vendore. Në përputhje me këto vendime do të procedojë LSI-ja për të nisur bisedimet me PD-në.
Përsa i përket LSI-së, në këtë fazë të gjitha strukturat tona në nivel qarqesh janë aktivizuar për zgjedhjet vendore. Tirana, siç dihet, po shikohet me prioritet, pasi është bërë publik fillimi i garës për zgjedhje. Kryeqyteti është në funksion të dinamizmit të përgatitjes për zgjedhjet lokale. Në të tërë territorin po punohet për përmirësime, por edhe me aktivizimin e strukturave të reja dhe pranimeve të reja. Të gjitha këto janë në funksion të zgjedhjeve.
Pra pritet më parë që të realizohet reforma zgjedhore dhe më pas të nisin negociatat?
Logjika e gjërave është pikërisht kjo. Sepse meqenëse kemi të bëjmë me një proces zgjedhor dhe procesi zgjedhor kërkon gjithmonë standarde më të mira, duhet të bëhet një reformë. Ka pasur debate për këtë çështje dhe pas një debati ka reflektime, dhe reflektimet më të mira bëhen në Kodin Zgjedhor. Ka pasur dhe vërejtje nga faktori ndërkombëtar në raportin e tyre. E mira është që duhen bërë përmirësime të këtyre vërejtjeve që janë bërë në raportin e ndërkombëtarëve. Edhe ne kemi vërejtjet tona për Kodin, kemi konstatimet tona, ndaj u bëjmë thirrje të gjitha partive politike që të ulemi dhe të diskutojmë për të bërë ndryshimet dhe përmirësimet e duhura. Kjo për në është kryeprioritet politik, sepse nëse ne do të futemi sërish në zgjedhje me një kod që dihet paraprakisht që ka probleme, atëherë ne do të riciklojmë të njëjtën problematikë dhe retorikë politike. Përsa u përket negociatave politike, këto nuk përbëjnë asnjë problem, pasi këto realizohen në çdo moment dhe vendoset. Prioritet është që të bëjmë zgjedhje me standardet e duhura.
Është propozuar nga disa parti të vogla që ndryshim parësor i Kodit të jetë ndryshimi i sistemit ose korrektimi i tij me proporcional kombëtar. A e mbështet LSI-ja këtë propozim?
Ky nuk është ndryshim i sistemit, pasi sistemi mbetet prapë proporcional. Këto janë ndryshime për t’iu afruar sa më shumë së vërtetës. Ne kemi qenë të hapur që në tavolinë të hidhen të gjitha zgjidhjet që çojnë sa më afër së vërtetës. Për ne korrektimi kombëtar nuk është një çështje e re; kjo është diskutuar edhe më përpara se të miratohej Kodi dhe ka qenë një nga alternativat që u kërkua. Ne mbështesim çdo përmirësim që na çon gjithmonë e më shumë te realiteti elektoral i vërtetë. Këtë e them sepse ne aktualisht kemi një Kod Zgjedhor që nuk garanton përputhshmëri të votave të marra nga një subjekt politik dhe mandateve që ka kjo forcë. Të gjithë e kanë konstatuar që ne kemi fituar 84 mijë vota dhe kemi vetëm 4 mandate. Ndërkohë që mesatarja e një mandati të LSI-së është 22 mijë vota, ndërsa mesatarja e një partie tjetër të madhe është 7-8 mijë vota. Kjo diferencë me tri herë, sigurisht që nuk është e drejtë dhe nuk është demokratike. Ky është një problem. Por, problem tjetër është procesi i numërimit. Në vend të 40 qendrave të numërimit, mund të duhen 80 të tilla. Mënyra se si numërohet mund të ketë përmirësime të mëtejshme që të evitohet mënyra e manipulimit; e të tjera problematike që duhen marrë në konsideratë dhe përmirësuar në zgjedhjet e ardhshme.
Një pyetje e fundit, zoti Vasili, pasi kohët e fundit është artikuluar edhe nga deputetë të PD-së nevoja për një analizë dhe për ndryshime në qeverisje. Mendoni se në shtator do të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar?
Nuk kam dëgjuar nga maxhoranca një qëndrim të tillë. Problemi është i tillë: puna e qeverisjes matet me objektivat e veta. Qeverisja quhet “Qeverisja e integrimit”. Pra, një nga objektivat themelorë është integrimi dhe kryeprioritet është lëvizja e lirë, liberalizimi i vizave. Pra të gjithë e dinë që ky proces është drejt përfundimit dhe dihet që qeveria ka realizuar një nga kryeobjektivat. Procesi i liberalizimit të vizave, megjithëse është një proces politik, në fund të fundit është një vlerësim politik që i bëhet qeverisjes. Në këtë moment faktet flasin në favor të qeverisjes. Sigurisht, kryeministri i vendit është ai që ka kompetencën për të vlerësuar gjërat dhe të drejtën që në çdo kohë, në çdo moment, mund të kërkojë të bëjë përmirësime në sektorë të caktuar. Por, për mendimin tim, objektivi madhor i maxhorancës është i përmbushur më së miri. Por politika është art i së papriturës.
18 Gusht 2010