E Diel, 1 Nëntor 2026

ISSH: Ja si mund të përfitojnë pension të plotë pleqërie nënat me shumë fëmijë dhe invalidët



Instituti i Sigurimeve Shëndetësore publikon skemën e përfitimit të pensionit të plotë të pleqërisë për nënat me shumë fëmijë dhe invalidët. Ky institucion bën të ditura kushtet që duhen plotësuar për të përfituar pensionin dhe dokumentacionin që duhet dorëzuar për të përfituar këtë pension. Nënat më shumë fëmijë kanë të drejtën e përfitimit të pensionit të plotë të pleqërisë kur mbushin moshën 50 vjeç, kanë lindur 6 apo më shumë fëmijë dhe kanë 30 vjet periudhë sigurimi. Për të përfituar pension të plotë invaliditeti duhet së pari të plotësohen baza ligjore dhe kriteret mjekësore për caktimin e aftësisë në punë të invalidëve. Gjithashtu ISSH përcakton kushtet e përfitimit, dokumentacionin që duhet plotësuar, shqyrtimin e kërkesës dhe vlerësimin e KMCAP-it, si dhe të ardhurat shtesë për fëmijët në ngarkim për të përcaktuar masën e përfitimit të pensionit të invaliditetit.

I. 4 Pensioni i plotë i pleqërisë së nënë me shumë fëmijë
1. Baza ligjore:
a) Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
b) Udhëzimi nr. 2, i ISSH-së, datë 05.10.2005 “Për llogaritjen dhe indeksimin e bazës së vlerësuar dhe pagës neto për efekt pensioni“;
c) Rregullore nr. 1, e ISSH-së, datë 19.10.2009 “Mbi administrimin dhe llogaritjen e pensioneve”.
2. Kushtet e përfitimit:
a) Personat që kanë periudha sigurimi, kanë të drejtën e përfitimit të pensionit të plotë të pleqërisë kur:
b) Plotësojnë moshën 50 vjeç;
c) Kanë 30 vjet periudhë sigurimi;
d) Janë tërhequr nga veprimtaria ekonomike;
e) Kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë të rritur mbi 8 vjeç;
f) Për periudhën e tranzicionit, për moshën e daljes në pension zbatohet neni 92, i Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë“, i ndryshuar.

3. Dokumentacioni
Për të përfituar pension të plotë si nënë me shumë fëmijë përfituesi, ose i autorizuari me prokurë, paraqitet në ALSSH të vendbanimit, sipas rregjistrimit në gjendjen civile, për të bërë kërkesën e përfitimit të pensionit si nënë me shumë fëmijë.
Përfituesi për pension si nënë me shumë fëmijë, ose i autorizuari me prokurë, së bashku me kërkesën duhet të paraqesë dhe dokumentat si më poshtë:
a) Dokumentat që vërtetojnë moshën dhe identitetin:
- Fotokopje e letërnjoftimit elektronik, ose çertifikatë lindjeje me fotografi;
- Çertifikatë e gjendjes familjare;
- Çertifikatë martese (vetëm për aplikueset femra);
- Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në çertifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, duhet të paraqitet edhe çertifikatë e veçantë lindjeje, martese ose vdekjeje, për fëmijet që nuk figurojnë në çertifikatën e gjëndjes familjare;
- Dy copë fotografi.
b) Dokumentat që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës janë:
- Libreza e punës;
- Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj;
- Vërtetim për periudhën e sigurimit, e lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në bujqësi dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare, si dhe të siguruarit sipas VKM;
- Vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë (në se shikohet e arsyeshme);
- Vërtetim i vjetërsisë në punë për ish-anëtarët e kooperativave bujqësore, para vitit 1992;
- Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj);
- Vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët;
- Fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna).
c) Për personat që përfitojnë nga Ligji nr. 7514, datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe reabilitimin e ish-të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë” duhen edhe:
- Vërtetim i gjendjes gjyqësore;
- Vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik;
- Vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuar nga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë;
- Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton qënien në punë.
d) Dokumentat që vërtetojnë të ardhurat e realizuara:
- Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994);
- Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributive.

4. Masa e pensionit të plotë të pleqërisë si nënë me shumë fëmijë
Masa mujore e pensionit të plotë të pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë.
Shuma bazë e pensionit iu jepet të gjithë personave të siguruar. Shtesa që iu jepet personave të punësuar është 1 % për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme, që i siguruari ka arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë së tij kontributive. Shuma e përgjithshme e pensionit do të jetë jo më shume se dyfishi i shumës bazë, ose 75 % e pagës neto mesatare të 3 viteve rrjesht, në 10 vitet e fundit të punës të personit të siguruar, cila të jetë më e vogël. Pensioni bazë përcaktohet me VKM.

5. Veçoritë e pensionit të plotë si nënë me shumë fëmijë
Gjatë llogaritjes së pensionit si nënë me shumë fëmijë duhet të kemi parasysh se pensioni si nënë me shumë fëmijë i fshatit ka këto veçori:
- Përfituesi i këtij pensioni në qoftë se ka punë në shtet dhe në ish-kooperativat bujqësore, do të përfitojë pension pleqërie fshati, si nënë me shumë fëmijë;
- Me plotësimin e kushteve për pensionin si nënë me shumë fëmijë dhe në qoftëse plotëson kushtet për pension shteti, pra ka mbi 17 vjet e 6 muaj periudha sigurimi në shtet, ka të drejtë që të kërkojë pension pleqërie të plotë ose të pjesshëm, sipas rastit.

I.5 Pensioni i plotë i Invaliditetit
Personi që bëhet i paaftë për çdo veprimtari ekonomike dhe ka gjymtime të forta e dëmtime fizike (duke përfshirë verbimin), ka të drejtë të marrë pension invaliditeti.

1. Baza ligjore
a) Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;
b) Udhëzimi nr. 2, i ISSH-së, datë 05.10.2005 “Për llogaritjen dhe indeksimin e bazës së vlerësuar dhe pagës neto për efekt pensioni“;
c) Rregullore nr. 1, e ISSH-së, datë 19.10.2009 “Mbi administrimin dhe llogaritjen e pensioneve”;
d) Rregullore e përbashkët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore, datë 30.05.2003 “Për organizimin, të drejtat, detyrat dhe funksionimin e KMCAP –it të invalidëve“.

2. Kriteret mjekësore për caktimin e aftësisë në punë të invalidëve
Në vartësi të shkallës së humbjes të aftësisë për punë, sipas Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, invaliditeti klasifikohet në tri grupe:
a) Invaliditet i pjesshëm, kur personi i siguruar humbet aftësinë për punë në profesionin apo punën e tij të fundit, por mund të kryejë punë të tjera sipas përcaktimit të vendimit të KMCAP-it;
b) Invaliditet i plotë, kur personi i siguruar bëhet i paaftë për çdo punë;
c) Invaliditet i plotë në kushtet e nevojës për kujdestari.

3. Kushtet e përfitimit
a) Merr pension invaliditeti të plotë personi i siguruar që ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit, e cila është e barabartë me gjysmën e diferencës së moshës së personit të siguruar, në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç. (Psh: nëse personi që është bërë invalid është 38 vjeç, për të përfituar pension të plotë invaliditeti i duhen 38-20/2=9 vite sigurim);
b) Të ketë humbur plotësisht aftësinë për punë, jo për shkak të aksidentit në punë apo sëmundjes profesionale;
c) E drejta për të përfituar pension invaliditeti të plotë fillon pas mbarimit të periudhës 6 mujore të trajtimit me raport mjeksor për paaftësi të përkohshme në punë. Vlerësimi nga KMCAP duhet të bëhet në muajin e pestë ose të gjashtë, para përfundimit të kësaj periudhe.

4. Dokumentacioni
Për të përfituar pension të plotë të invaliditetit përfituesi ose i autorizuari me prokurë paraqitet në ALSSH të vendbanimit, sipas regjistrimit në gjendje civile, për të bërë kërkesën e përfitimit të pensionit të invaliditetit.
Përfituesi për pension të plotë të invaliditetit ose i autorizuari me prokurë, së bashku me kërkesën duhet të paraqesë dhe dokumentat e mëposhtme:
a) Dokumentat që vërtetojnë moshën dhe identitetin:
- Fotokopje e letërnjoftimit elektronik, ose çertifikatë lindjeje me fotografi;
- Çertifikatë e gjendjes familjare;
- Çertifikatë martese (vetëm për aplikueset femra);
- Dy copë fotografi.
b) Dokumentat që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës janë:
- Libreza e punës;
- Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj;
- Vërtetim për periudhën e sigurimit, e lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në bujqësi dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare, si dhe të siguruarit sipas VKM;
- Vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë (nëse shikohet e arsyeshme);
- Vërtetim i vjetërsisë në punë për ish-anëtarët e kooperativave bujqësore, para vitit 1992;
- Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj);
- Vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët;
- Fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna);
- Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton qënien në punë;
- Vërtetim nga punëdhënësi për profesionin dhe natyrën e punës;
- Këto dokumenta, për efekt përfitimi pensioni invaliditeti, do të pranohen kur personi nuk ka mbushur moshën e pensionit të pleqërisë.
c) Dokumentat që vërtetojnë të ardhurat e realizuara:
- Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994);
- Vërtetim i pagës mesatare neto, për vitin e fundit të punës;
- Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributive.
d) Dokumentat që vërtetojnë gjendjen shëndetësore:
- Fletë-drejtimi për në KMCAP, lëshuar nga institucione shëndetësore me shtretër, (Spital), shoqëruar me fletë-dalje nga spitali, ekzaminime e dokumenta të tjera plotësuese, të kërkuara kur del për herë të parë në KMCAP;
- Fletë-drejtimi nga KML për ato gjëndje shëndetësore, që nuk janë objekt trajtimi në spital, sipas përcaktimit në Rregullore;
- Epikrizë përcjellëse, lëshuar nga mjekë specialistë, apo konsulta e shoqëruar me egzaminimet e nevojshme. Kur del për rikontroll duhet shoqëruar me egzaminimet përkatëse zyrtare;
- Kartela personale dhe libri i shëndetit për të vërtetuar ecurinë e sëmundjes, ndjekjen dhe trajtimin mjekësor me ilaçe;
- Fletë-drejtimi për KMCAP, që vërteton rëndimin e gjëndjes shëndetësore, e vlefshme për KMCAP, para afatit të rikontrollit;
- Raport mjekësor lëshuar nga Komisioni Mjekësor, që përcakton gjëndjen shëndetësore dhe aftësinë për punë (para fillimit të punësimit ose të përfshirjes në çdo skemë sigurimi);
- Raport mjekësor i lirimit nga ushtria, lëshuar nga KMU pranë SQU, për ushtarët që bëhen invalidë gjatë shërbimit ushtarak;
- Vërtetim për pagesën e paaftësisë për punë, shkaktuar nga një sëmundje e përgjithshme (për punëmarrësin).

5. Shqyrtimi i kërkesës dhe vlerësimi i KMCAP-it
a) Dokumentacioni i mësipërm i dorëzohet mjekut të ekspertizës, i cili pas verifikimit të nevojshëm njofton datën për të kaluar në KMCAP, ose i kthen mbrapsht dokumentat per pasaktësi;
b) KMCAP në mbledhjen e tij shqyrton paraprakisht dokumentat, njofton dhe egzaminon të sëmurin, merr vendimin përkatës jo në prani të tij, dhe kryetari i KMCAP-it ia komunikon zyrtarisht të sëmurit gojarisht dhe nëpërmjet vërtetimit tip;
c) Kundër këtij vendimi i sëmuri ose invalidi mund të ankohet tek KMCAP-i epror. Ankesa bëhet me shkrim dhe dorëzohet në DRSSH përkatëse.
6. Masa e përfitimit
a) Masa mujore e pensionit të plotë të invaliditetit përbëhet nga pensioni bazë dhe nga një shtesë pensioni që llogaritet si pensioni i pleqërisë. Shuma bazë e pensionit iu jepet gjithë personave të siguruar.
b) Shtesa që iu jepet personave të punësuar, është 1 % për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme, që i siguruari ka arritur nëpërmjet kontributeve gjatë gjithë historisë së tij kontributive.
c) Shuma e përgjithshme e këtij pensioni do të jetë jo më e madhe se dy herë pensioni bazë, ose 80 % e pagës mesatare neto të vitit të fundit, cila të jetë më e vogël.
d) Pensioni bazë përcaktohet me VKM.

7. E ardhura shtesë për kujdesje sipas Nenit 38, të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Kur përfituesi i një pensioni të plotë të invaliditetit bëhet i paaftë dhe ka nevojë për një kujdesje të vazhdueshme nga një person tjetër, sipas përcaktimit të KMCAP-it, atij i jepet një pagesë shtesë prej 15 % të bazës së vlerësueshme.

7. E ardhura shtesë për fëmijët në ngarkim
Një person i siguruar i paaftë, që merr pension invaliditeti të plotë, sipas Nenit 35, të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe ka fëmijë në ngarkim deri në moshën 18 vjeç, ose deri në moshën 25 vjeç kur vazhdon studimet e larta me shkëputje nga puna, do të marrë një të ardhur shtesë familjare për çdo fëmijë në masën 5 % të pensionit bazë, por jo më shumë së 30 % e tij.

18 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›