Ndriçohet thesari venecian i shekullit XII në Finiq
Thesari i rrethinave të Finiqit prej 182 monedhash veneciane dhe një unaze argjendi me shqiponjë në krye, të periudhës së shekullit dymbëdhjetë janë ndriçuar nga restauruesi Frederik Stamati në laboratorin e Qendrës së Konservimit dhe Restaurimit të Tiranës.
Thesari venecian i monedhave ndahet në monedha bakri të lara me argjend dhe në monedha argjendi të pastër. Sipas restauruesit Stamati monedhat jo vetëm u bënë plotësisht të lexueshme, por u konstatua dhe mënyra e prerjes krahas metalit ku vërehet një prerje me gërshërë dhe stampim i faqes dhe shpinës. Ky thesar i zbuluar është venecian dhe i përket shekullit të Xll. Në fakt jo të gjitha monedhat janë prej argjendi të pastër, ato të cilat kanë të stampuar kryqin janë prej bakri, por të lara me një shtresë të hollë argjendi. Monedhat e zbuluara klasifikohen në 4 tipe. “Është një gjetje e rastit. Këto ndodhen në laborator të përfunduara dhe do të kthehen në Institutin e Arkeologjisë për të vazhduar puna më tej. Kur u zbuluan nuk mund të studioheshin, nuk mund të lexoheshin dhe puna e bërë në laborator nuk paraqiti ndonjë vështirësi të madhe. Mbas studimit do të vendoset nga arkeologët nëse duhen ekspozuar apo jo” ka pohuar drejtori i laboratorit të restaurimit, Frederik Stamati. Nuk është hera e parë që në Finiq zbulohen thesare të këtij lloji, madje dy të tjerë më të mëdhenj tashmë janë pjesë e muzeut arkeologjik të Butrintit. Sipas Stamatit, pikëpyetje të tjera pas pastrimit dhe shkëlqimit të monedhave veneciane u mbeten numizmatistëve për të gjetur të dhëna historike si ndikimet ekonomike, lidhjet tregtare dhe motivin e groposjes së thesarit.
Në rrethinat e vendbanimit antik të Finiqit janë zbuluar edhe dy thesare të tjerë edhe më të mëdhenj të cilët ndodhen të ekspozuar në Muzeun Arkeologjik të Butrintit pas ndërhyrjes restauruese.
Restaurohet koleksioni i unazave të Finiqit në 2008
Në laboratorin e konservimit të arkeometrisë në 2008 kanë gjetur restaurimin monedhat dhe unazat e në Finiq, edhe pse puna për restaurimin e tyre nuk ka qenë aspak e lehtë pasi objektet e kësaj zone në përgjithësi janë tepër të dëmtuara, për shkak të afërsisë së saj me detin, kripa e të cilit është gërryese. Ajo shkakton një erozion të avancuar në objekte, gjë që ndikon në mos ruajtjen në kohë të tyre. Megjithatë, në shumicën e rasteve ka qenë e mundur që këto monedha të bëhen të lexueshme e për pasojë edhe të studiueshme.
Koleksioni i unazave dhe monedhat
Rrethi është forma më perfektë, një simbol që në shumë kultura të lashta merr domethënien e një mbrojtësi, sidomos për sa u përket demonëve e shpirtrave të këqij. E në nivel individual rrethi merr formën e një varëseje, të një byzylyku, por më i fuqishmi nga rrathët mbrojtës mbetet unaza. Që në Antikitet ajo shërbente për të mbrojtur gishtat, të cilët mendohej se ishin më të ndjeshmit, pasi thuhej se ata ishin magjikë... Ndoshta për këtë arsye, e për simbolikë përrallore, katër unazat e Finiqit duhen vlerësuar shumë më shumë, (përtej vlerave arkeologjike). Edhe pse nuk i përkasin ndonjë prej familjeve aristokrate të kohës, nuk janë edhe aq të vyera si material, megjithatë janë të vyera për kohën tonë, sepse janë një tregues më shumë për të shkuarën. Janë katër unaza të zbuluara në Finiq që kanë qenë pronë, objekte zbukurimi, apo "mbrojtëse ndaj shpirtrave të këqij", që gratë e shtresës së mesme të popullsisë i kanë mbajtur në gishtat e tyre. Të zbuluara në kohën tonë, katër unazat vishen me vlera të mëdha... sepse objekti antik mbetet një dëshmi materiale që na kthen gjithnjë pas në kohë. Unazat, të cilat janë pjesa më interesante e objekteve të zbuluara në Finiq, pas pastrimit dhe restaurimit është kuptuar se ato nuk i përkasin një periudhe shumë të hershme. "Ka shumë mundësi që ato t‘i përkasin periudhës së Mesjetës. Megjithatë, ende ekzistojnë pikëpyetje mbi këtë çështje. Gjithçka mbetet akoma për t‘u provuar", shpjegon më tej Stamati, i cili vazhdon duke thënë se dy prej monedhave të restauruara janë të argjendta dhe njëra bronz e larë në argjend. "Nga puna e bërë në laborator ne kemi arritur t‘i pastrojmë e restaurojmë deri sa kemi nxjerrë në pah edhe motivet e tyre zbukuruese. Dy prej tyre kanë si motiv kryesor kryqin. Ndërkaq, përveç motiveve që dalin në pah tek unazat, ne shohim edhe një ndryshim nga ana teknologjike, të cilin nuk e kishim hasur më parë në ndonjë zbulim të këtij lloji. Ai ka të bëjë me mënyrën se si janë përgatitur këto unaza, që do të thotë se për përgatitjen e tyre është marrë një shufër bronzi, e cila është përthyer në formë rrethi, duke shkelur fundet njëri mbi tjetrin, kështu është realizuar njëra prej unazave. Ndërsa në një unazë tjetër shihet se të dy cepat e saj janë salduar në argjend". Ndërsa për sa u përket monedhave, ato janë më të hershme se unazat, edhe pse disa prej tyre i përkasin gjithashtu periudhës së Mesjetës. E kështu vazhdojnë zbulimet dhe studimet e objekteve të zbuluara në Finiqin e lashtë, i cili gjendet në rrethin e Delvinës. Në Finiqin, dikur kryeqendër e Kaonëve, i cili më pas u bë edhe kryeqyteti i gjithë shtetit të Epirit. Ne Finiqin që ngrihej mbi një kodër në formën e një anijeje të përmbysur.
Një park kombëtar kushtuar humanistes Nënë Tereza në Cleveland të SHBA-s
Në qytetin Cleveland të Ohios në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të çelet një Park Kombëtar shqiptar, që do të mbajë emrin e shenjtores shqiptare, Nënë Tereza. Projektin në fjalë e prezantoi në një takim me kryeministrin Sali Berisha, kryetari i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane në Cleveland të Ohio-s, Adem Meta. Parku do të jetë në formën e një amfiteatri, i cili në qendër do të ketë shtatoren e Nënë Terezës. Kreu i shoqatës shqiptaro-amerikane, ka shprehur rëndësinë që ka hapja e këtij parku, duke theksuar se në Ohio jetojnë 120 komunitete të ndryshme nga mbarë bota dhe vetëm 35 prej tyre kanë fituar të drejtën për të pasur Parkun e tyre Kombëtar, midis të cilëve edhe ai shqiptar.
Në këtë park, tha ai, do të vendosen edhe figura të tjera të shquara kulturore të kombit tonë. Kryeministri Berisha e përgëzoi zotin Meta dhe shoqatën e përfaqësuar prej tij, për këtë iniciativë dhe u shpreh se qeveria do të japë kontributin e saj në realizimin e këtij projekti. Kryeministri theksoi se “është edhe më domethënës fakti, që kjo iniciativë ndërmerret në 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, këtij simboli të shquar të shqiptarëve të të gjitha kohërave”.
Mario Costan, regjisorin që la gjurmë në Itali në AQSHF
“Perdonami” (Më Fal), është filmi që do vijë për publikun kryeqytetas në kinemanë më të re të Arkivit të Filmit në Tiranë. Me regji dhe skenar të Mario Costas, në rolet kryesore Raf Vallone (Marko), Antonella Lualdi (Ana), Tamara Les (Vera), etj. Ana, e motra e Nikoles arratiset sepse dyshohej për pjesëmarrje në vjedhje dhe vrasje, fejohet me Markon. Markon e dashuron dhe Vera, shoqja e punës, e cila dëshpërohet kur merr vesh për fejesën. Pas 6 vjetësh, kur Ana jeton e lumtur me të shoqin dhe 2 fëmijët, Nikola kthehet në qytet dhe qëndron i fshehur në një hotel. Ai i kërkon së motrës, Anës, ta ndihmojë me para. Hyrje-daljet e Anës në hotel i vëzhgon Vera e cila sinjalizon Markon. Marko e ndjek Anën ndërsa ajo është duke i çuar para të vëllait dhe e kap në një moment kur një i panjohur kërkon ta dhunojë. Ana i lutet Markos ta besojë që nuk ka faj por pa arritur faljen e tij, ikën nga shtëpia e sëmurë. Pasi gjërat zgjidhen dhe Marko i tronditur mëson të vërtetën, vihet në kërkim të Anës dhe e arrin atë vetëm disa çaste para se ajo të hidhet nga gremina. Mario Costa filloi të punojë në film në vitet '20 duke u marrë me aktivitete të ndryshme që kanë të bëjnë me prodhimin kinematografik si me montazhin, skenarët e dublimeve por edhe me krijime të skenarëve origjinalë. Në 1938, ai realizoi dokumentarin e tij të parë "Shatërvanet e Romës", ndërsa regjinë e filmit të parë e realizoi në 1943 me filmin "Rruga e tij" (La sua strada). Në kohën e pas luftës do të jetë një nga krijuesit kryesorë të filmave muzikorë, të marrë direkt nga operat lirike. I biri, Massimo Costa ka ndjekur me sukses gjurmët e të atit; edhe ai regjisor kinemaje dhe televizioni.
Topalli, përuron ekspozitën për Nënë Terezën
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka përuruar një ekspozitë kushtuar humanistes Nënë Tereza. Në fjalën e saj, kryeparlamentarja u shpreh se zonja Topalli ishte himni i dashurisë dhe dhembshurisë për njerëz që ishin të braktisur nga shoqëria. " Po të ndjekësh thëniet e Nënë Terezës gjen dashurinë që njeriu duhet të transmetojë.
Në çdo sjellje në jetën e saj ajo tregon se dashuria është e kundërta e egoizmit dhe individualizmit", pohoi kryetarja e Kuvendit. Topalli tha se çdo gjë që Nënë Tereza ka realizuar e ka bërë të madhe Shqipërinë.
18 Gusht 2010