Leje-qëndrimi në Itali, hetime për sekserët
ROMË - Ka një zonë të gjerë hijeje në sanatoren e fundit të një viti më parë të bashkëpunëtorëve familjarë, të populluar nga punonjës të huaj të dëshpëruar në kërkim të një lejeqëndrimi dhe nga mashtrues të paskrupullt që kanë nxjerrë përfitime nga situata e të parëve.
Sanatoria u rezervohej bashkëpunëtorëve familjarë, me një sërë kufizimesh të ngurta mbi kufirin minimal të të ardhurave të punëdhënësve dhe orët e punës të bashkëpunëtorëve, kritere që përjashtuan qindra mijëra emigrantë. E megjithatë shumë provuan të përfitonin duke gjetur punëdhënës të rremë të gatshëm të paraqitnin kërkesë për ta: herë të afërm e të njohur, e herë (e këta janë më të shumtët) persona të panjohur më parë të gjetur nga ndërmjetës e agjenci të ndryshme që për mundimin u paguan me disa mijëra euro.
Por kjo lojë nuk funksionoi kryesisht kur punëdhënësi u tregua i pangopur, nuk u mjaftua me paraqitjen e një kërkese të vetme, siç parashikonte ligji, por nisi aq kërkesa sa “klientë” arriti të gjejë, duke shumëfishuar përfitimin e vet. Sportelet unike të Imigracionit kanë pranuar një prej kërkesave e kanë hedhur poshtë të tjerat, madje kanë sinjalizuar anomalitë pranë forcave të rendit që tani po zbulojnë legalizimet e rreme në mbarë Italinë.
Rasti i Reggio Emilias
Më i bujshmi deri më sot është rasti i zbuluar në Reggio Emilia, ku janë paditur dyzetegjashtë punëdhënës dhe dyqind e dhjetë emigrantë.
“Në të shumtën e rasteve janë të rinj që punojnë në të zezë në ndërtim, që patën besim te ndërmjetësues e agjenci të implikuara edhe më parë në mashtrime të tjera dhe te punëdhënës që u premtonin se do t’i legalizonin si bashkëpunëtorë familjarë. Kanë paguar nga tremijë deri në pesëmbëdhjetë mijë euro, por punëdhënësit paraqitën me dhjetëra kërkesa secili kështu që u zbuluan dhe u paditën” shpjegon Simone Ruini i Komitetit No Pacchetto Sicurezza. Komiteti po përpiqet, deri tani pa rezultat, për një zgjidhje politike të kësaj meseleje. “Po të dënohen për mashtrim këta punonjës do të dëbohen dhe vështirë se do të mund të hyjnë sërish në Itali. Të gjithë e dinë se për të mbërritur te leja e qëndrimit në rrugë të drejtë, me flukset e hyrjes është shumë e vështirë, ata vetëm u përpoqën të dilnin nga klandestiniteti dhe shfrytëzimi. Ndërsa tani kanë humbur kursimet e tyre dhe janë të dëshpëruar”,- vazhdon Ruini.
“Tremijë euro për një leje qëndrimi”
Khaled, egjiptian 25 vjeç, është një nga të mashtruarit e Reggio Emilias. “Jam në Itali prej gjashtë vjetësh, punëtor krahu në kantiere, por pa lejen e qëndrimit është e vështirë, kështu që pagova tremijë eurot për t’u legalizuar, por punëdhënësi paraqiti dymbëdhjetë kërkesa. Kur kërkova të më ktheheshin paratë, egjiptiani që më kishte çuar të agjencia më kërcënoi, më tha se më vret familjen” tregon Khaled për stranieriinitalia.it.
Marrëveshja e integrimit, testi i gjuhës dhe taksa mbi dokumentin e qëndrimit
ROMË - Ka kaluar mëse një vit nga ardhja në fuqi e ligjit të ri mbi sigurinë, i shpallur nga qeveria, me legistët në krye, si një nga rezultatet e saj kryesore. Në qendër të rregullave të reja të kërkuara me forcë nga Maroni & Co, ishte kryesisht një shtrëngim rripash kundër emigracionit klandestin, si futja e veprës penale të klandestinitetit, qëndrime më të gjata në qendrat e identifikimit dhe të dëbimit apo ndalimin e martesës në Itali për ata që nuk kanë leje qëndrimi. Por ligji i ri parashikonte edhe një sërë të rejash shtrënguese për emigrantët e rregullt, por ato më kryesoret, deri më sot, kanë mbetur ende vetëm në letër. Nuk ka hyrë ende në fuqi, për shembull, marrëveshja e integrimit, që shtrëngon emigrantët të arrijnë disa objektivë të caktuar (njohja e italishtes, edukimi qytetar etj.) për të pasur të drejtën e qëndrimit të mëtejshëm në Itali, me fitimin apo humbjen e pikëve në bazë të sjelljes. Rregullorja e marrëveshjes së integrimit është miratuar tashmë nga qeveria, por tani është në shqyrtim të Këshillit të Shtetit dhe të Konferencës së Unifikuar dhe vështirë se do të hyjë në fuqi para vitit 2011.
Një tjetër risi, vetëm e lajmëruar, është provimi i gjuhës italiane i detyrueshëm për ata që kërkojnë kartën e qëndrimit. Në këtë rast rregullorja zbatuese është miratuar madje është përcaktuar edhe data për ardhjen në fuqi: 9 dhjetor 2010. Por duhet parë nëse Sportelet Unike të Imigracionit – gjithnjë me personel të pamjaftueshëm – do të jenë gati për të administruar edhe provimet e gjuhës.
Në fund, fatmirësisht janë humbur gjurmët e taksës së re mbi lejet e qëndrimit. Sipas ligjit mbi sigurinë, duhet të jetë nga 80 euro deri në 200, por ministria e Brendshme dhe ajo e Ekonomisë ende nuk kanë përcaktuar as tarifën e as mënyrën e pagesës. Ndoshta presin të shkurtojnë më parë kohën e lëshimit dhe të përtëritjes së dokumenteve para se t’u kërkojnë emigrantëve të paguajnë shtrenjtë një shërbim kaq të ngadaltë.
Elvio Pasca
Marrë nga Shqiptari i Italisë
18 Gusht 2010