E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, projekti i xhamisë kundërshtohet edhe nga demokratët



Projekti për ndërtimin e një xhamie afër vendit ku ndodhën sulmet terroriste më 11 shtator 2001 është kundërshtuar edhe nga demokratët, pavarësisht mbështetjes që mori nga presidenti Obama.
Senatori i njohur Herri Reid, publikisht ka shprehur mospajtim me presidentin Barak Obama, duke argumentuar se edhe pse Kushtetuta mbron lirinë fetare, xhamia duhet të ndërtohet “diku tjetër”. Kritikët e planit për ndërtimin e një qendre të komunitetit islam dhe të një xhamie, dy blloqe nga vendi i sulmit terrorist, thonë se kjo paraqet lëndim të ndjenjave të familjeve të viktimave, që janë vrarë në sulmin e ndërmarrë nga ekstremistët islamikë. Më 13 të këtij muaji, presidenti Obama tha se xhamia do t’i nderonte viktimat pasi paraqet vlerën amerikane të lirisë së religjionit. Në Shtetet e Bashkuara jetojnë rreth 7 milionë myslimanë. Por për shumë amerikanë, islamizmi është i lidhur me ekstremistë si Osama bin Laden. Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama ka rënë dakord me ndërtimin e një xhamie dhe të qendrës kulturore “Cordoba Center” që një shoqëri myslimane kërkon të ndërtojë pak metra nga “Ground Zero”, ku gjendeshin kullat binjake që u sulmuan 11 shtator nga terroristët e Al Kaedës. Obama është shprehur se në bazë të principit të lirisë fetare, myslimanët kanë të drejtën të ndërtojnë “Cordoba”-n. Por ky projekt është kundërshtuar nga shumë amerikanë, të cilët thonë se ndërtimi nuk do t’i respektojë kujtimet e më shumë se 2.700 njerëzve, të cilët humbën jetën në sulmet e 11 shtatorit në Nju-Jork. Ky projekt është kundërshtuar hapur edhe nga politikanët konservatorë, si ish-kandidatja republikane për nënpresident, Sarah Palin, dhe republikani Njut Gingriç, ish-folës i Dhomës së Përfaqësuesve. Ata kanë bërë thirrje për tërheqjen e këtij projekti, i cili sipas tyre nuk është aspak dinjitoz. Në një takim me diplomatë nga vendet islamike dhe anëtarë të komunitetit të myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, Obama tha se myslimanët kanë të drejtë të njëjtë që ta praktikojnë fenë e tyre si gjithë të tjerët në Amerikë. Presidenti amerikan tha se kjo e drejtë përfshin edhe mundësinë e ndërtimit të vendit të adhurimit dhe qendrës së komunitetit, në pajtim me ligjet amerikane për ndërtimin e objekteve të tilla.
Presidenti shtoi se përkushtimi kushtetues i Amerikës për lirinë e religjionit duhet të jetë i “palëkundur” dhe pa përjashtim për religjione të veçanta.

Itali, ndërron jetë ish-presidenti, Kosiga

Françesko Kosiga, ish-president dhe kryeministër i Italisë, ka ndërruar jetë në moshën 82 vjeçare. Ai ndodhej i shtruar në spitalin e Romës “Gemelli” prej 9 ditësh, ndërsa gjendja e tij shëndetësore ishte renduar gjatë natës. Kosiga sipas raportimit mjekësor të mëngjesit kishte shfaqur një përkeqësim të frymëmarrjes. Ish presidenti italian u shtrua në spital për një terapi intensive, pasi pati probleme me frymëmarrjen për shkak edhe të uljes së tensionit të gjakut. Në çastet e fundit të jetës ai shoqërohej nga fëmijët e tij Xhuzepe dhe Anamaria, të afërm, miq dhe roje, të cilët presidenti i quante “engjëjt mbrojtës”. Kosiga u zgjodh si kreu i senatit italian në 12 korrik të vitit 1983 dhe e mbajti këtë detyrë deri në vitin 1985, kur u zgjodh President i vendit. Françesko Kosiga dha dorëheqjen dy muaj para përfundimit të mandatit në vitin 1992. Më pas ai u shpall si Senator i përjetshëm.

Përmbytjet, BB i jep Pakistanit një kredi prej 900 milionë dollarësh

Banka Botërore i siguroi qeverisë pakistaneze një kredi prej
rreth 900 milionë dollarësh ose rreth 702 milionë euro lidhur me përmbytjet që prekën vendin. Mbi një e katërta e Paksitanit ndodhet nën ujë, 20 milionë njerëz janë të pastrehë. Të prekurit nga kjo katastrofë ankohen se qeveria po shpërndan ushqime vetëm kur mediet janë aty prezent. Sipas vlerësimeve të organizatës humanitare ndërkombëtare “Care”, Pakistani ndodhet në prag të një krize urie. Deri 3,5 milionë fëmijë mund të vdesin nga hepatiti, tifoja dhe diarreja. Krahas rrugëve, urave dhe sipërfaqeve bujqësore, janë mbi 720.000 shtëpi të rrënuara ose pjesërisht të dëmtuara. Pasojat e katastrofës në ekonominë e vendit aziatik janë të mëdha, tha një zëdhënës në Uashington. Këtë e konfirmoi edhe koordinatori i OKB-së për ndihmat humanitare, Xhon Holms në një intervistë për “CNN”.

SHBA
Qeveria kritikon armatimin në rritje të Kinës

Kina vazhdon të rrisë më tej epërsinë ushtarake kundrejt Tajvanit. Ky është përfundimi sipas një raporti të Departamentit amerikan të Mbrojtjes, çka nënkupton se Republika Popullore ka zgjeruar fushat me armë bërthamore, të raketave me rreze të gjatë veprimi, të nëndetëseve, të aeroplanmbajtësve dhe të luftës në internet. Me këtë spostohet edhe baraspesha ushtarake në rrugën e Tajvanit edhe më tej në dobi të Pekinit, thuhet në Pentagon. Mediet shtetërore kineze kritikojnë raportin si një ndërhyrje në punët e brendshme.

Rumani
Vdesin tri foshnja nga zjarri në maternitet

Një zjarr në repartin e terapisë intensive të maternitetit të një spitali në kryeqytetin rumun ka shkaktuar vdekjen e tre të porsalindurve dhe plagosjen e tetë foshnjave të tjera. Tragjedia thuhet se mund të ketë ndodhur nga një shpërthim i impiantit elektrik të godinës, i shkaktuar ndoshta nga një keqfunksionim i një kondicioneri. Disa prej të porsalindurve janë në gjendje shumë të rëndë. “Kanë djegie 70-80 për qind të trupit”, ka thënë Dan Xhorxh Enescu përgjegjës i spitalit pediatrik në Bukuresht.
Rumania është një ndër vendet më të varfra në BE dhe shërbimi shëndetësor konsiderohet si një ndër më të dobëtit.

Rusi
20 të plagosur nga shpërthimi në jug të vendit

Policia lokale tha se të paktën 20 njerëz janë plagosur nga shpërthimi në qytetin Pjatigorsk në jug të Rusisë, në Kaukazin Verior. Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi shpërthimin, i cili ndodhi në një kafene. Agjencitë ruse të lajmeve raportuan se nga shpërthimi u thyen xhamat e automjeteve në largësi deri 200 metra. Disa orë më herët, një sulmues vetëvrasës shkaktoi vdekjen e një oficeri të policisë në Osetinë Veriore. Nuk dihen ende detaje të tjera lidhur me këto ngjarje, ndërkohë policia ka bërë të ditur se po punon për të zbardhur çdo paqartësi.

Iran
Aeroplani luftarak rrëzohet afër centralit atomik

Një aeroplan luftarak F4 i Iranit, është rrëzuar në afërsi të një centrali bërthamor në jug të këtij shteti. Nga kjo fatkeqësi vetëm pilotët e aeroplanit janë lënduar. Zyrtari i qeverisë lokale, Golam Reza Keshtkar, thotë që incidenti ndodhi rreth 6 kilometra në veri të qytetit Bushehr, vendi ku ndodhet centrali i parë bërthamor që do hyjë në funksion të shtunën më 21 gusht.
Keshtkar citohet të ketë thënë se “dy pilotët e aeroplanit kanë arritur me sukses që të dalin nga aeroplani”. Ata po trajtohen në spital, por nuk është dhënë asnjë detaj rreth gjendjes së tyre.

18 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›