E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peticioni: Prokuroria e policia të hetojnë dhunën e himariotëve



VLORË - Arrestimi i të rinjve vlonjatë dhe moshetimi për asnjë moment i bllokimit të rrugës për më shumë së 15 orë në Himarë, është objekti i peticionit të bërë nga qytetarët vlonjatë. Paraditen e sotme ata do ta bëjnë publike kërkesat që do t’u parashtrohen Policisë dhe Prokurorisë së Vlorës. Lajmi është bërë i ditur nga grupi nismëtar i këtij tubimi. Reagimi i tyre ka ardhur si pasojë e moshetimit të bllokimit të rrugës nga ana e himarjotëve për shumë orë, ku viktima u bën mijëra turistë, të cilët po lëviznin nga Vlora në Sarandë dhe anasjelltas. Gjithashtu ata kërkojnë të dinë nga policia dhe prokuroria nëse ka persona të vënë nën hetim për plagosjen e gazetarit, e ndodhur ditën e bllokimit të rrugës, si dhe të goditjeve të shumta që kanë marrë qytetarët e tjerë, të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjes, natën e së enjtes duke gdhirë e premtja.
Tubimi
Banorët e Vlorës do të kërkojnë lirimin e gjashtë të rinjve të lënë në qeli, do të kërkojnë të dinë nëse ka persona të arrestuar në lidhje me bllokimin e paprecedent të rrugës kombëtare Vlorë-Sarandë dhe plagosjen e gazetarit dhe të qytetarëve të tjerë. Kjo gjë është bërë e ditur nga një deklaratë e grupit nismëtar. Sipas tyre, sot, në orën 10:30, të rinj dhe qytetarë të tjerë të Vlorës do të mblidhen para Kinoteatrit të qytetit, ku do të hartojnë një kërkesë drejtuar Prokurorisë dhe Gjykatës Vlorë. Sipas të dhënave nga grupi nismëtar i kësaj kërkese, thelbi i saj do të jetë: Kërkojmë dhe duam të dimë nëse ka pasur arrestime, shoqërime apo ndjekje penale për personat që bllokuan aksin kombëtar Vlorë-Sarandë, në Himarë, të cilët njëkohësisht kanë dhunuar dhe goditur gazetarë dhe qytetarë të pranishëm. Gjithashtu, kërkohet dhe ndryshimi i masës së sigurisë deri në lirim të 7 të rinjve vlonjate; Aleksandër Gjokaj, 21 vjeç, Andi Kotorri, 25 vjeç, Dijon Bushi, 19 vjeç, Endrit Salataj, 22 vjeç, Bledar Meminaj, 22 vjeç, Juxhin Mustafaraj, 23 vjeç, Fabjon Jahaj 21 vjeç. Sipas grupit nismëtar, peticioni, pasi të bisedohet për detajet, do t'u dorëzohet institucioneve shtetërore. Grupi nismëtar i këtij peticioni ka bërë të ditur se kjo çështje nuk është për racizëm apo fanatizëm. Sipas tyre, është çështja e diskreditimit të shtetit shqiptar para presioneve të disa personave.
Ngjarja
Policia e Shtetit zbardhi ngjarjen e ndodhur në Himarë ditën e enjte të javës së kaluar. “Rreth orës 22:00, Aleksandër Gjokaj, Bledar Meminaj, Andi Kotorri dhe Juxhin Mustafaraj, teksa udhëtonin me një mjet tip ‘Audi’ me ngjyrë gri, me targa të shtetit anglez, me drejtues mjeti Ilir Mukën, në aksin rrugor Himarë (qytet)- Himarë (fshat), pas një debati me fjalë për motive banale me Aristotel Gumën, banor i fshatit Himarë, i cili po udhëtonte me motoçikletë në të njëjtën rrugë, në vendin e quajtur ‘Avli’, e kanë goditur atë me automjetin e tyre, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje ata janë larguar dhe janë fshehur në vendin e quajtur Përroi i Vishës, ku i kanë telefonuar tre shokëve të tyre, Endrit Salataj, Dijon Bushi dhe Fabjon Jahaj, të cilët udhëtonin pas tyre me automjetin me targa VL 8312 C, në momentin e ngjarjes. Këta tre persona e kanë marrë Ilir Mukajn dhe janë larguar për në drejtim të Jalit me qëllim fshehjen e tij”, - deklaroi Policia e Shtetit.

At Nikolla Marku: “Janullatosi abuzon”
ELBASAN - Kreu i kishës Shën Mëria në Elbasan, At Nikolla Marku, e cilëson deklaratën e kryepeshkopit Janullatos për incidentin ku mbeti i vdekur himarjoti Aristotel Guma, si ndërhyrje të pazakontë të klerit në çështjet e shtetit, madje dhe një manipulim ogurzi me karakter etnik. Si udhëheqës shpirtëror i ortodokseve në Elbasan, At Nikolla thotë se kjo çështje nuk duhet të marrë ngjyrime fetare, pasi i takon drejtësisë ta zbardhë atë. Sipas tij, Janullatosi ka heshtur në të gjitha rastet kur emigrantët shqiptarë janë dhunuar e madje vrarë vetëm pse kanë brohoritur për fitoren e Kombëtares së tyre. Janullatosi heshti gjatë gjithë kohës që ka qenë në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare, për vrasjet dhe dhunimet e emigrantëve shqiptare në kufi, heshti për vrasjen e djemve shqiptarë që brohoritën fitoren e skuadrës së tyre me flamurin kuqezi, heshti për manifestimet histerike të ushtarakëve grekë rrugëve të Athinës, por çuditërisht, ai, bashkë me përfaqësuesit më të egër të qarqeve shoviniste, tregohet shumë i ndjeshëm ndaj një aksidenti të zakonshëm rrugor ku janë përfshirë disa të rinj me shtetësi shqiptare. At Nikolla kritikon edhe qëndrimin e kreut të organizatës "OMONIA", Vasil Bollano dhe kryetarit të PBDNJ-së Vangjel Dule, që, sipas tij, duke i dhënë motivit të ngjarjes karakter etnik, po nxitin urrejtjen mes minoritareve greke dhe shqiptarëve.

Vendimet e dhëna nga gjykata
Ilir Muka, “arrest me burg”
Endri Salati, “arrest me burg”
Aleksandër Gjoka, 20 ditë burg
Bledar Meminaj, 20 ditë burg
Andi Kotori, 20 ditë burg
Juxhin Mustafaraj, 15 ditë burg
Dijon Bushi, 1 milion lekë garanci
Fabjon Jahaj, 1 milion lekë garanci

Dëshmia e Ilir Mukës
VLORË - “Më vjen keq për gjithçka që ka ndodhur, por ishte thjesht një aksident". Kështu është shprehur përpara gjyqtarit të gatshëm Ilir Muka, i akuzuar si fajtor për vdekjen e Aristotel Gumës, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 12 gushtit. 20-vjeçari ka dalë përpara gjyqtarit të gatshëm për t'u njohur me masën e sigurisë, ndërkohë që ka dëgjuar edhe versionin e organit të akuzës. I riu ka deklaruar përpara togave të zeza se "gjithçka ka ndodhur aksidentalisht. Unë u kërkoj ndjesë të afërmve dhe familjarëve të tij, por nuk ka qenë asgjë e qëllimshme apo politike, siç është thënë. Qe vetëm një aksident", - u shpreh 20-vjeçari Ilir Muka gjatë masës së sigurisë.

Ekstremistët grekë
ATHINË - Deklarata nacionaliste, kërcënuese dhe të rënda ka bërë zëdhënësi i Partisë LAOS, e njohur për ekstremizmin e saj në shtetin helen. Në këtë mënyrë vazhdon të ngjallë reagime në Greqi vrasja javën e kaluar e Aristotel Gumës nga Himara, i cili vlerësohet si minoritar grek. Partia Komuniste greke kërkon që “shqiptarët e grekët t’i dënojnë dhe izolojnë ata që kërkojnë pretekste për të kultivuar urrejtjen etnike dhe tensionin”. Ndërsa zëdhënësi i Lëvizjes Popullore Ortodokse LAOS, Kostis Aivaliotis, ishte më i ashpër: “Nëse ne do të vrasim këdo që flet shqip në Greqi, vendi do të shndërrohej në një varrezë masive”, - deklaroi ai.

18 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›