Ministri i Shtetit për Energjinë dhe Industrinë së Katarit shpreh interes të madh për bashkëpunim në projekte të gazit në Shqipëri
Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Ministrin e Shtetit për Energjinë dhe Industrinë së Katarit Mohamed Salih al Sada.
Ky takim u zhvillua për të diskutuar më hollësisht lidhur me bashkëpunimin në fushën e energjisë. Në takim, ku mori pjesë dhe Shefi Ekzekutiv i Qatari Petroleum Company -QPC, u diskutua lidhur me realizimin e projektit LNG në zonën e Semanit, si projekti më i rëndësishëm në fushën e energjisë për vendin dhe për rajonin, një projekt me vlerë rreth 2,5 miliardë dollarë.
Ministri i Shtteit për Energjinë shprehu gjithashtu interesimin që të studiojnë edhe mënyrat e shfrytëzimit të depozitave natyrore të gazit që ekzistojnë në Shqipëri, si dhe fusha të tjera bashkëpunimi në sektorin e energjisë nëpërmjet QPC. Një grup ekspertësh teknikë të kompanisë do të vijnë për të diskutuar me grupet e ekspertëve vendas për të konkretizuar idetë e diskutuara.
Gjatë bisedës, Ministri i Shtetit për Energjinë së Katarit shprehu vlerësimet më të larta për zhvillimet në Shqipëri, duke u ndalur veçanërisht në kontributin e Kryeministrit Berisha në hartimin e politikave në përkrahje të investimeve të huaja dhe në suksesin e reformave e revolucionin fiskal, hapa të cilat kanë bërë që Shqipëria të jetë një histori suksesi për investimet e huaja për shumë kompani të mëdha.
11/03/2009