E Diel, 1 Nëntor 2026

Prononcim i Kryeministrit Berisha dhënë për TVSH-në

-       Kryeministri u shpreh se gjatë kësaj vizite është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, veçanërisht në atë ekonomike

Zoti Kryeministër cilat i shikoni si fushat më të mundshme për të bashkëpunuar me Katarin?

Kryeministri Berisha: Në Katar erdha me disa qëllime të caktuara. Së pari, të intensifikoi marrëdhëniet politike me Katarin, vend me prestigj të veçantë në rajon dhe më gjerë. Ka shumë arsye që vendi ynë të ketë marrëdhënie miqësore me këtë vend dhe vizita të nivelit më të lartë janë një faktor shumë i rëndësishëm. Në këtë kontekst kam kënaqësinë të konfirmoj se edhe Emiri i Katarit Lartësia e Tij, Al Thani dhe Kryeministri i Katarit Shkëlqesia e Tij, Al Thani, pranuan me kënaqësi ftesën për të vizituar Shqipërinë.

Së dyti diskutuam mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, në veçanti në fushën ekonomike. Një nga qëllimet e mia kryesore këtu ishte inkurajimi i biznesit të këtij vendi për të investuar në Shqipëri. Dihet që kompani të Katarit kanë një blerë dhe po operojnë ose do të fillojnë së shpejti ndërtimin e rezorteve të mëdha turistike në brigjet e Shqipërisë.

Pas pak pres të takoj komunitetin e biznesit të këtij vendi dhe tu paraqes të gjitha potencialet e mëdha të Shqipërisë. Kjo zgjoi interes të madh edhe në takimet politike që pata me Emirin dhe Kryeministrin e Katarit. Natyrisht, një vend të veçantë në axhendën tonë zë problemi i Kosovës. Unë kam kënaqësi që ky vend ka mirëkuptim për pavarësinë e Kosovës, po shqyrton dhe do të njoh pavarësinë e saj.

Kryeministri Al Thani më konfirmoi se i ka dërguar një letër Kryeministrit Thaçi në të cilën parashtron qëndrimin e favorshëm të Katarit ndaj Kosovës, kështu që çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ky shtet është një çështje kohe jo e gjatë. Shpjegova të gjithë problematikën dhe kontributin e madh që ky vend mund të japë në paqen dhe stabilitetin në rajon, nëpërmjet njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Një vend të veçantë në bisedimet tona, si dhe një nga qëllimet, është edhe projekti i madh i Semanit. Ky projekt prej rreth 2.5 miliardë euro është një nga projektet më gjigande të rajonit dhe më gjerë.

Unë me ketë rast ftova qeverinë e Katarit që mbi bazën e interesit komercial të marrë pjesë në këtë projekt, sikundër i’u kërkova që të garantojnë sigurimin me gaz të këtij projekti të madh, në rast se nuk përfshihen direkt.

E vërteta është që ky projekt zgjoi interes shumë të veçantë, si tek Emiri ashtu dhe tek Kryeministri. Për shkak të interesit të veçantë që treguan ndaj këtij projekti kërkuan që të vijë këtu dhe ministri i Naftës dhe i Gazit, për të diskutuar kryesisht lidhur me projektin.

Mendoj se dhe ky ishte një rezultat shumë i rëndësishëm i kësaj vizite, pasi autoritetet e këtij vendi treguan interes real për projektin e Semanit, që është një nga projektet më të mëdha në rajon për rigazifikimin dhe prodhimin e energjisë.

Këto ishin qëllimet kryesore dhe temat për të cilat u përqendruam. Mendoj se kjo ishte një vizitë e frytshme dhe pres që së shpejti të vinë në Shqipëri Lartësia e Tij, Emiri i Katarit Al Thani dhe Shkëlqesia e Tij, Kryeministri i Katarit Al Thani.


11/03/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›