Kryeministri Berisha takon përfaqësuesit kryesorë të komunitetit të biznesit të Katarit
- Biznesmenët e Katarit dhe Dubait shfaqën një interesim mjaft të madh për vendin tonë dhe potencialet e tij në fusha të ndryshme
Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga Ministri i Financave dhe delegacioni, ishte i ftuar mbrëmë në një takim dhe darkë të organizuar për të nga Shoqata e Biznesmenëve të Katarit.
Në këtë mbrëmje, e cila kaloi në një atmosferë të ngrohtë e miqësore, merrnin pjesë 20 biznesmenët më të pasur të Katarit dhe Dubait, si dhe Ministri i Kulturës dhe Sporteve të qeverisë së Katarit.
Biznesmenët e Katarit dhe Dubait shfaqën një interesim mjaft të madh për vendin tonë dhe potencialet e tij në fusha të ndryshme, duke u ndalur veçanërisht në turizëm, në ndërtimin e resorteve të mëdha në zonat më atraktive të vendit, në shfrytëzimin e mineraleve, veçanërisht të kromit, nikelit dhe hekur-nikelit, në projektet e gazit për përpunimin dhe depozitimin e rezervave të mëdha të gazit etj.
Kryeministri Berisha i bëri biznesmenëve të Katarit një panoramë të arritjeve në fusha të ndryshme në zhvillimin e vendit dhe në reformat e ndërmarrë nga qeveria për krijimin e një klime sa më të favorshme për investimet e huaja. Kryeministri Berisha u ndal në risorsat natyrore dhe humane që ka Shqipëria, si dhe në proceset e saj integruese në NATO dhe në BE. Kryeministri u shpreh se vendi ynë do të jetë ë shpejti anëtar i NATO-s dhe se ka mbaruar ratifikimi nga të gjitha vendet i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Europian. Shqipëria është gjithnjë e më shumë një vend shumë i sigurt, i cili renditet e dyta për reformat e ndërmarra dhe që po lufton me sukses korrupsionin.
Biznesmenët e Katarit, ndër të cilët ishin edhe disa nga njerëzit më influentë dhe të fuqishëm në qarqet ekonomike dhe politike të Katarit, u shprehën me admirim për reformat e ndërmarra nga qeveria dhe për vendosmërinë për t’i hapur rrugën investimeve të huaja, për të investuar një pjesë kaq të madhe të buxhetit në infrastrukturë, si dhe në për vizionin e qartë të qeverisë shqiptare për ta kthyer Shqipërinë në një superfuqi rajonale në prodhimin e energjisë.
Gjithashtu, investitorët e huaj shprehën interesim dhe vlerësim për politikat fiskale të ndërmarra nga qeveria shqiptare për të lehtësuar zhvillimin e investimeve të huaja në vend, veçanërisht në taksat e ulëta, sistemin “One Stop Shop”, heqjen e pjesës më të madhe të lejeve dhe licencave, si dhe për digjitalizimin e shumë procedurave, që shmangin korrupsionin dhe lehtësojnë praktikat burokratike.
Gjatë takimit dhe darkës, diskutua gjerësisht për organizimin e një Forumi Ekonomik për bashkëpunimin në këtë fushë, ku investitorët e fuqishëm të Katarit të shohin nga afër potencialet e vendit, të shkëmbejnë idetë me komunitetin e biznesit shqiptar, si dhe të ndërmarrin hapat e para për bashkëpunimin në projekte të mëdha me rëndësi për vendin.
12/03/2009