Kryeministri Fatos Nano u takua sot, në Athinë, në rezidencën presidenciale me Presidentin grek Kostandinos Stefanopulos. Z.Nano shprehu vlerësimet për kontributin e z. Stefanopulos, gjatë
Kryeministri Fatos Nano u takua sot, në Athinë, në rezidencën presidenciale me Presidentin grek Kostandinos Stefanopulos.
Z.Nano shprehu vlerësimet për kontributin e z. Stefanopulos, gjatë detyrës në postin e Presidentit të Republikës së Greqisë, në forcimin e marrëdhënieve të miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve dhe mbështetjes së Shqipërisë në rrugën drejt integrimit euroatlantik.
Nga ana e tij, z.Stefanopuolos u shpreh se "në vizitën e bërë së fundi vura re nje progres te paimagjinueshëm të vendit, krahasuar me disa vite me pare kur kam qene ne Shqiperi dhe per kete ju pershendes dhe ju inkurajoj". Ai vleresoi zhvillimet ekonomike dhe rritjen e investimeve strategjike nga kompani prestigjoze, ndërsa i cilësoi marrëdhëniet mes dy vendeve shumë të rëndësishme. Ai u shpreh se autoritetet greke janë të vendosura për ta mbështetur Shqipërinë në integrimin e saj në strukturat euroatlantike. Z.Stefanopulos vlerësoi zgjedhjen e z.Papulias në detyrën e Presidentit të ardhshëm të Greqisë dhe shprehu besimin se ai do të kontribuojë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve.
Presidenti Stefanopulos vlerësoi hapat që janë bërë nga qeveria shqiptare, në respektimin e të drejtave të minoritetit në Shqipëri. Kryeministri Nano gjithashtu vlerësoi dhe hapat e ndërmarrë gjatë kësaj kohe dhe kontributin e z.Stefanopuolos në funksion të normalizimit të qëndrimit dhe integrimit të emigrantëve tanë në Greqi, duke u shprehur se është i mirëpritur kontributi i mëtejshëm në këtë drejtim.
Duke u ndalur në zhvillimet rajonale, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se e ardhmja e Kosovës dhe e të gjithë rajonit është integrimi i tij në strukturat europiane.