Ministri i brendëshëm i Austrisë vlerëson hapat e rëndësishme të Shqipërisë drejt zhvillimit
Kryeministtri Berisha takoi sot pasdite Ministrin e Brendëshëm të Austrisë zotin Gunfer Platter.
Gjatë takimit Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve, si dhe vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm në fusha të ndryshme, vecanërisht bashkëpunimin në luftën me zero tolerance, kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve.
Kryeministri u shpreh se qeveria shqiptare është në përpjekje të vazhdueshme për të konsoliduar luftën kundër krimit ekonomik dhe për këtë arsye nënvizoi Kryeministri do të nënshkruhen të gjitha marrëveshjet e nevojshme për bërjen sa më efikase të kësaj lufte.
Duke vlerësuar të një rëndësie të veçantë, bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit dhe dialogun ndërkulturor, Kryeministri u shpreh se Shqipëria me tolerancën ndërfetare të dëshmuar në shekuj, mund të japë një kontribut modest por shumë pozitiv në dialogun ndërmjet kulturave.
Gjithashtu Kryeministri Berisha theksoi se rezultatet e arritura në luftën kundër krimit tregojnë se forcat e policisë kanë punuar me profesionalizëm të lartë dhe ndershmëri në kryerjen e detyrës së tyre, si dhe kanë patur vullnetin e palëkundur të qeverisë shqiptare për ti mbështetur ato.
Duke vlerësuar bashkëpunimin në rrafshin ekonomik, Kryeministri u shpreh se kompani nga më të shquarat dhe më seriozet kanë investuar në Shqipëri si EVN, UNIKA Raiffaisen, Rogner,etj.
Nga ana e tij zoti Platter, i cili vjen për herë të dytë në vendin tonë vlerësoi zhvillimin me ritme të shpejta të ekonomisë shqiptare. Gjithashtu ai vlerësoi reformat e ndërrmarra nga qeveria shqiptare në fusha të ndryshme, si atë ekonomike, ushtarake, arsimore etj. Gjithashtu Zoti Platter propozoi fillimin e një dialogu ndërkulturor vitin e ardhshëm në Vjenë, i cili do ti shërbejë përpjekjeve të përbashkëta në luftën kundër terrorizmit.
Të dy bashkëbiseduesit ranë dakort për zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit në të ardhmen në fusha të ndryshme, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe të rendit.