Ministri i jashtëm britanik u premton ndihmë rebelëve në Libi
Ministri i Jashtëm britanik William Hague, u ka premtuar rebelëve në Libi ndihmë të mëtejshme në luftën kundër regjimit të Muammar al-Gaddafi-t. Trysnia ekonomike, diplomatike dhe ushtarake do të shtohet edhe më tej tha Hague, pas një takimi me presidentin e Këshillit të Përkohshëm të rebelëve Mustafa Abdel Xhalil, në Bengasi.
"Përsa kohë Gaddafi do të vazhdojë të abuzojë me popullin e tij, ne do të vazhdojmë të intensifikojmë përpjekjet tona për ta ndalur atë", tha Hague, i cili shtoi se Gaddafi duhet të largohet menjëherë. Ministri britanik e quajti Këshillin Kalimtar "përfaqësues legjitim të popullit libian". Më parë Hague kishte vizituar një qendër shëndetësore me të plagosur nga Misrata. Pak para vizitës së tij, NATO për herë të parë kishte angazhuar helikopterë francezë dhe britanikë në luftime. Ata kryen sulme ndaj strukturave ushtarake në afërsi të qytetit Brega, të pasur me naftë, ku janë të vendosura trupat e Gaddafi-t.